E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka vend për mua?

Si është vendi ku jetojmë? Si janë rrugët dhe banesat, fshati dhe qyteti, bota reale dhe virtuale? Nuk është pesimizëm, por një vështrim kritik i vendeve komune. Profesionistë dhe amatorë, të pjekur dhe të rinj, tregojnë me imazhe jetën në Shqipëri


Në Galerinë Kombëtare të Arteve "British Council" ka prezantuar tashmë ekspozitën "Living together". Këndvështrime të ndryshme mbi jetën dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve. Banesa, mjedise urbane e rurale dhe njerëz. Janë artistët Idlir Koka, Alban Hajdinaj dhe Shpëtim Kërçova të cilët tregojnë se si e shohin jetën shqiptare. Por jo vetëm ata, në ekspozitë i është lënë hapësirë edhe të rinjve dhe gjimnazistëve (jo domosdoshmërisht artistë) për të treguar sipas mënyrës së tyre mjedisin publik. Një kënd i vogël i është lënë fotografive të aktivitetit "Treasure Hunt" (në kërkim të thesarit) që British Councile organizoi në nëntor 2008.
Në krye qëndron një fotografi e Shpëtim Kërçovës, një fëmijë mbi kangjella dhe përtej, pamja e një kishe të ndërtuar së rishti. Jemi në Korçë. Me tej vazhdon një zinxhir me pamje rrënoja banesash. Këto fotografi të bëjnë të besosh se po sheh pjesë të shtëpive të vjetra tiranase në Rrugën e Durrësit, e madje ndonjëra prej tyre duket si ndërtesa e Ministrisë së Arsimit, por nuk është kështu. Janë pamje nga shtëpi karakteristike korçare. Një vështrim në të kaluarën për të ardhur në ditët e sotme. Në njërën prej fotografive të kësaj serie të ngacmon syrin kontrasti i kohëve. Në dritaret e mbyllura me qepena druri të vjetër, në katin e dytë të një banese gjysmë të rrënuar janë vendosur tre antena satelitore. Pamje që të bën të mendosh se ajo shtëpi ka për të përballuar çdo epokë. Më tej fotografitë orientohen nga ditët e sotme, më mirë të themi në mbeturinat e ndërtimeve që kanë mbërritur në ditët e sotme. Ndërtesa gjysmë të rrënuara, jo nga koha por nga dora të njeriut. Mbi to gjen mbishkrime lloj e soj, raciste po se po, në shqipe dhe gjuhën sllave. Pothuajse të gjithë këto imazhe vijë nga zonat rurale. Pamjet e këtyre vendeve përfshijnë edhe "modele" të tjera ndërtesash. Një skelet prej druri i ngritur mbi tarracën e një bodrumi të vogël që mban përsipër një çati prej kashte është imazhi që përcjell Idlir Koka në një prej fotografive të tij. Një pamje që tregon shumë mbi jetën në fshatrat shqiptare, dhe që Koka e ka kapur në dy këndvështrime. Artisti ka sjellë edhe portrete fëmijësh, kryesisht nxënës të shkollave fillore. Janë të vetmit në të gjithë ekspozitën veç portretit të një të moshuareje, që është edhe imazhi publicitar i ekspozitës.


Me kaq mbyllet pjesa profesionale e saj.
Më tej ekspozohen punët e realizuara nga nxënësit e shkollave të mesme. Nga fotot e paraqitura duket sikur të rinjtë i ngacmon më tepër përditshmëria, komunikimi real mes njerëzve. Kështu në një fotografi të realizuar nga një grup nxënësish shohim tre vajza ta ulura në një stol në lulishten pranë monumentit të Skënderbeut. Njëra prej tyre është myslimane, gjë që dallohet lehtë nga shamia me të cilën ka mbuluar kokën, ndërsa në sfond dallohet qartë xhamia e Et'hem Beut. Këta nxënës i ka ngacmuar më shumë aspekti fetar i jetë shqiptare.
Ines Gupe, Erion Kumria, Aljona Cuko e Emral Hodri kanë realizuar në grup një fotografi shumë shprehëse. Një adoleshente që mban me gishta një kuran të vogël dhe në gishtin e mesit të njërës dorë ka të vizatuar një kryq të madh. Madje një grup tjetër nxënësish e kanë paraqitur në një tjetër mënyrë bashkekzistencën fetare në Shqipëri. Një djalë adoleshent indian (Guru) duke qëndruar pranë hyrjes së një kishe ortodokse.
Nxënësen Belsia Kalaja e shqetëson mbingopja me imazhe mediatike. Në fotografinë e saj ajo ka paraqitur një stendë revistash duke i bashkangjitur diçiturën "A ka "vend" për mua dhe për ne, në mes të fytyrave të shndritshme?".
Një nga punët e radhitura në fund të ekspozitës tregon dy skelete ndërtesash, që presin të ndërtohen. Pavarësisht rrugëtimit që bënë kjo eskpozitë në të kaluarën dhe të tashmen ndoshta kjo punë e Shpëtim Kërçovës do të tregojë se gjithmonë ka shpresë.
"Living together" qëndron e hapur deri më 31 mars.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›