Dëbora shemb çatinë e shkollës, s'ka viktima
Burrel, fatmirësisht ngjarja ndodhi në një ditë pushimi kur në klasë nuk kishte nxënës që të dëmtoheshin
BURREL- Ngarkesa e madhe e dëborës së rënë javën e fundit ka bërë që çatia e një shkolle 9- vjeçare në fshatin Kurdari të Matit të shembet, duke nxjerrë jashtë përdorimit tre klasa ku mësonin rreth 60 fëmijë. Dëbora e rënë në trashësi të madhe ka qëndruar për disa ditë dhe mësuesit nuk janë ngjitur dot ta heqin për shkak të amortizimit të çatisë, por pikërisht kur ka rastisur ditë e shtunë, çatia është shembur e tëra, duke shkatërruar plotësisht tri klasa ku për çdo ditë ulen në banka 60 fëmijë. Momenti i shembjes për fat të mirë ka ndodhur në një ditë pushimi për fëmijët, pikërisht të shtunën. Çatia e rënë është parë nga disa fshatarë, të cilët kanë lajmëruar personelin e shkollës. Mësuesit ia kanë bërë të ditur gjendjen zyrës arsimore dhe pushtetit vendor, ndërsa është vendosur që mësimi të vazhdojë në anekse të tjera, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse do të ketë ndonjë projekt rikonstruksioni të shpejtë. Mësuesja kujdestare, Lumturi Abduli, tha se nëse nxënësit do të kishin qenë brenda ato momente do të kishte ndodhur një katastrofë e vërtetë. Nuk është hera e parë që edhe pse pa dukuri të tilla natyrore me dëborë të rënë në trashësi të madhe, sërish në disa godina shkollash të amortizuara, jeta e nxënësve vihet në rrezik ndërsa dikasteret përgjegjëse nuk luajnë rolin që duhet për të bërë një hartë të plotë të shkollave në gjendje të tillë të rëndë.