E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Për koalicionin vendosim në maj

Kreu i PBDNJ-së shprehet se edhe koalicioni qeverisës me PD-në, ka dështuar, ashtu si bashkëpunimet e mëparshme


Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në një intervistë për "Shekulli"-n, zbardh disa nga pikat e strategjisë që kjo forcë politike do të ndjekë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke shfaqur hapur ambicien për të rritur mbështetjen në elektorat, 10 deri 15 për qind më shumë se më parë.


Z. Dule, jemi thuajse në fushatë elektorale. Ju si PBDNJ, çfarë masash keni marrë për t'u paraprirë zgjedhjeve të 28 qershorit?
Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut është në fazën përfundimtare të një debati të brendshëm, i cili është përqendruar në tre elementë. Së pari, detajimet e fundit të programit tonë elektroral, së dyti është përzgjedhja e kandidaturave nëpërmjet një debati në strukturat lokale të të gjitha niveleve, si në rang dege, ashtu edhe në rang strukturash koordinuese, dhe, së treti, diskutimi i dy alternativave: ai i kandidimit më vete dhe ai i kandidimit në koalicion. PBDNJ-ja ka një traditë që është respektuar në vazhdimësi në ballafaqimet elektorale administrative dhe politike, që kanë qenë kandidime pa aleanca parazgjedhore, veçse, kësaj radhe, kemi të bëjmë me një kuadër të ri, me një sistem të ri zgjedhor, i cili vështirëson së tepërmi dhe pothuajse përgjysmon kapacitetet përfaqësuese të forcave të vogla. Rrjedhimisht, PBDNJ-ja po përfundon dy variante, të cilat do të shprehen në Kongresin e saj, në datën 9 maj, ku dhe do të merret edhe vendimi përfundimtar se cili nga këto do të zbatohet.


Si ka ecur qeverisja me PD-në?
Me përfshirjen në qeverisje, besoj se nuk kemi patur probleme komunikimi si PBDNJ me Partinë Demokratike, por, megjithatë, edhe ky koalicion, si gjithë koalicionet e mëparshëm, nuk ka arritur të kapërcejë problemet që kanë koalicionet e bashkëpunimit në Shqipëri. Nuk janë koalicione programore, nuk janë koalicione që mbështeten në sintezën e elementëve të ndryshëm të alternativave politike që përfaqësojnë forcat e ndryshme politike. Më tepër funksionojnë si zyra kuadri, ku plotësohen interesat e punësimit të lidershipëve të forcave të ndryshme politike. Nuk duhet të na gënjejë asnjëherë mendja që, hyrja e vendit tonë në NATO dhe afrimi me Bashkimin Evropian, nuk është një akt formal, është një akt thelbësor dhe kjo kërkon ndryshime mentaliteti, ndryshim konceptimi politikash dhe realizim politikash. Të gjithë jemi të motivuar t'i japim një shans jetës politike në vend, të dalim nga stanjacioni, të ndjekim ritmet e shoqërisë, të japim një produkt konkret.



Ju thatë që në kongres do të zgjidhni dy variante. Cili nga këto është më i mundshmi?
Është e qartë që dy variantet janë kandidim tradicional më vete, pa aleanca parazgjedhore dhe, alternativa e dytë, e cila lind për shkak të ligjit të ri zgjedhor, që është eventualiteti i bashkëpunimit paraelektoral. Në qoftë se do të merret vendim për bashkëpunim parazgjedhor, i takon atij momenti që të merret edhe vendimi se më kë do të bashkëpunojmë.


Si mendoni ju, si Kryetar i kësaj partie, me kë do të bashkëpunoni?
Ne nuk jemi një parti që funksionojmë me vendime arbitrare të Kryetarit dhe, sikurse nuk vendos Kryetari, ashtu dhe nuk mund t'u paraprijë vendimeve të strukturave. Rrjedhimisht, është një ekskluzivitet vendimmarrës i strukturave


Ku e parashikoni partinë tuaj në këto zgjedhje më konkretisht?
Ne jemi shumë afër realizimit të objektivave, ku ne punojmë prej vitesh, do të kemi një rritje të elektoratit të PBDNJ-së me 10 -15 për qind. Nuk mund të fshehim ambiciet tona prioritare në Qarkun e Gjirokastrës, Vlorës, Korçës, Fierit, Tiranës. Por kjo nuk do të thotë që do të nënvlerësojmë përpjekjet tona elektorale në qarqet e tjera.

Intervistoi: Kristaq Thanasi

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›