Zhvillimet presidenciale në SHBA - Santorum “bekon” Romney, bashkon gjithë republikanët kundër Obamës
Ish-pretendenti për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale amerikane, Rick Santorum ka shprehur zyrtarisht mbështetjen për ish-rivalin e tij Mitt Romney. Në një email të dërguar gjatë orëve të natës, ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mbështesin kandidatin e emëruar për t’i pamundësuar presidentit Obama marrjen e mandatit të dytë. Zoti Santorum tha se ishte i impresionuar nga “mirëkuptimi i thellë” i zotit Romney për çështjet ekonomike dhe familjare, pas një takimi të zhvilluar me të javën e kaluar. Mbështetja e tij tani mund të ndihmojë zotin Romney që të sigurojë terren edhe lidhur me çështjet fetare konservatore. Rick Santorum i dha fund garës së tij për në Shtëpinë e Bardhë në muajin prill, pasi Romney arriti një kuotë të pakalueshme. “Mbi të gjitha, ne të dy biem dakord se presidenti Obama duhet mposhtur. Detyra jonë nuk do të jetë e lehtë. Ajo do të kërkojë gjithë mbështetjen që kandidati ynë të shpallet fitues”, tha Santorum. “Guvernatori Romney do të jetë i emëruari dhe ai ka miratimin dhe mbështetjen time për të fituar në zgjedhjet më kritike të jetës sonë”, shtoi ai. Zoti Santorum u përlesh ashpër me zotin Romney gjatë debateve mes kandidatëve për të emëruarin dhe në një moment ai e cilësoi atë si republikanin më të keq që mund të sfidojë Obamën.
...