E Shtunë, 31 Tetor 2026

A kanë ekzistuar pellazgët?

(Vijon nga numri i djeshëm)

Fotaq ANDREA

Nga ana tjetër, nuk ka si të mos merret parasysh që mjaft autorë e studiues të huaj të shekullit XIX, lidhur me lashtësinë e shqipes e të shqiptarëve, dhe në favor të tezës pellazgjike, shfaqen, në radhë të parë e mbi të gjitha, si personalitete me goxha peshë të rëndë në fushat e tyre përkatëse shkencore, duke filluar që nga danezi Conard Malte-Brun e deri tek August Fridrih Pot e Hani, ky i fundit tek guxon madje ta shohë ilirishten si gjuhë pellazgjike në kuptimin e gjerë të fjalës, sikurse popujt e tjerë, epirotët e maqedonasit që ishin “barbarë” e jo-grekë, të tërë këta të prejardhur nga pellazgët. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për eruditin dhe anëtarin e Akademisë së Mbishkrimeve të Francës Louis Benloeë (që mbante lidhje të fuqishme me De Radën e Dora d’Istrian), për etnografin Ami Bue, për arkeologun August Degrand, për të famshmin gjeograf Elisé Reclus, për gjuhëtarin e madh August Shlahier, për profesorin e gjuhësisë indoevropiane Paul Kretshmer, etj. Të tjerë autorë, që nuk na shfaqen drejtpërdrejt si personalitete madhore në fushën e indoepuropianistikës e të gjuhësisë, si Pukëvili, Ed. Shnajder, Hecquard, Ksilander, Hobhauz, Lik, Rajnhold etj. etj. kanë vlerat e tyre të padiskutueshme në fushën e shkencës, dhe veçanërisht në atë të Albanologjisë. Ata nuk ishin thjesht apo vetëm mjekë, inxhinierë, juristë, topografë, ushtarakë a letrarë. Të paktën Napoloni diti të thithë të tillë njerëz me peshë për t’i dërguar anë e kënd, gjer tek Ali Pasha e Mehmet Aliu ynë, e për të mbushur kështu pararojën e vet ushtarake gjatë ekspeditës në Egjipt! Të tërë këta, me të drejtë, zënë vendin e tyre të nderuar e merituar në Historinë e Albanologjisë. E njëjta gjë mund të thuhet po ashtu për krejt Rilindasit tanë, që ishin para së gjithash e mbi të gjitha ideologët e zgjimit kombëtar dhe jo thjesht e vetëm poetë e letrarë. Rilindja jonë nuk është aspak fryt letraresk e poetesk, por është, siç dihet, një rrymë e fuqishme ideo-politike, historike e shoqërore që çoi peshë zemrat shqiptare për arritjen e suksesit të dëshiruar shumëshekullor. Tërë rilindësit ishin figura komplekse erudite, që nga De Rada, filolog i klasit të parë, të gjithë ditën ç’thanë e ç’bënë, për të arritur Qëllimin e madh me të gjitha mjetet e patriotizmës e shqiptarizmës. Rilindësit tanë, burimorët e pashtershëm të shqiptarizmës, qoftë edhe me romantizmin patriotik, guxuan mrekullisht të hedhin sytë në mijëvjeçarët e shkuar të historisë - domosdo edhe drejt pellazgjisë -, për të sjellë pishtarin e saj të lashtë për atë zgjim kombëtar. Dhe ia arritën. Dhe mirë bënë. Dhe frytet e tyre i vjelim sot.

Teza pellazgjike sot

Sot, në shek. XX e fillim të XXI-isht, mjaft autorë i janë rikthyer tezës pellazgjike. Eruditi Edwin Jacques në veprën madhore “Shqiptarët” i kushton një syth të tërë origjinës pellazge të gjuhës shqipe. Po ashtu, nuk mungojnë reflekse pasqyruese të kësaj teze në veprat e N. Clayer, S. Métais etj. për shqiptarët, që guxojnë - më shumë nga vetë autorët tanë të Historisë të Shqipërisë (botim i fundit) -, të hedhin vështrimin tutje, përtej ilirëve. Sakaq, prof. i shquar i Universitetit të Paris-Sorbonës Dominique Briquel, në disa vepra madhore (si “Pellazgët në Itali”, 1984) do ndalet jo thjesht tek pellazgët, por edhe tek etruskët dhe lidhjet iliro-epirote të tyre. Veçse Brikel, nëse është një personalitet shkencor i shquar francez, është, “çuditërisht”, edhe autori i prezantimit të librit të Mathieu Aref-it “Shqipëria, - historia e gjuha – apo odiseja e pabesueshme e një populli parahelenik”, vepër aq shumë e përbujshme publike në Shqipëri, por edhe aq shumë e përfolur dhe e zhvlerësuar në qarqet shkencore. Ja se çfarë thotë D. Brikel në parathënie të librit : “Vepra e Mathieu Arefit përfshihet në vazhdën e këtij hulumtimi [të zanafillës pellazgjike] dhe nuk është pra e zhveshur nga precedentët shkencorë” (nënvizimi ynë). A ka më troç e shqip se kaq? E megjithatë, ky studiues vazhdon të trajtohet i mbyllur hermetikisht brenda kuadrit të fantazisë a dilentantizmi “shkencor” nga ana e qarkut albanologjik shqiptar. Po edhe sikur vepra e tij apo e të tjerëve të së njëjtin kallëp të hidhet poshtë shkencërisht në emër të scripta mantent, a nuk përmban ajo një fije minimale shkencë, qoftë edhe atë “një përqindsh” të precedentëve shkencorë për të cilën flet prof. Brikel? E njëjta gjë edhe për veprën e R. d’Angély-së “Enigma”, që ndoca prej shkencëtarëve tanë të hidhen në fyt po ta zësh në gojë, por që publiku shqiptar e sheh me zemër tepër të gjerë, deri në adhurim. Po kush është në të vërtetë d’Angély? Ai është në radhë të parë e mbi të gjitha një erudit i përsosur, njohës i mbi dhjetë gjuhëve të lashta! Njeh në themel persishten, turqishten, arabishten, sanskritishten, greqishten e lashtë dhe latinishten, pa folur për gjuhët e tjera indoevropiane, të cilat i zotëronte me mjeshtëri, tek zhytej në thellësi të kohërave parahistorike dhe drejtpërdrejt nga autorët antikë. Dhe këtë, vetëm e vetëm për parailirinë apo pellazgjinë shqiptare! Kohët e fundit, Jean Faucounau, matematicien e gjuhëtar, anëtar i Shoqërisë Linguistike të Parisit, ka botuar librin “Proto-jonianët, historia e një populli të harruar” (Hartman, 2001) dhe tek orvatet të argumentojë vendosjen e helenëve të parë në Greqi e të zbërthejë diskun e Fastosit, sheh mes Qikladeve popullsitë e lashta “të njohura me emrin “Pellazg디. “Ky emër – citojmë autorin -, zbulon vetë origjinën e këtyre popujve : bëhet fjalë sigurisht për pasardhësit pak a shumë të metizuar të Proto-jonianëve (helenët e parë, shën. përkth.). Sepse, edhe pse ekzistojnë disa vështirësi fonetike, duket e pamundur të mos lidhësh fjalën greke “Pelasgoi” me termin “pelagos” që do të thotë “përtej detit”. Me fjalë të tjera, “Pelasgoi” (fjalë e ardhur nga Pelag-skoi?) ishin marinarët që shkonin përtej detit, domethënë Protojonianët” (fund i citatit, f. 124). Nuk ka më bukur për autorin francez që i ka përcaktuar vetes misionin fisnik për të parë tek pellazgët vetëm protojonianët e protohelenët, duke lënë kështu mënjanë protoilirët, apo “barbarët” e maleve të Epërme të EPirit, të asaj “terra ferma-s apo kontinentit” të fjalës greke epiros. Në fund të fundit, e madhërishmja dhe brilantja Dora d’Distria nuk bëri gjë tjetër veçse i futi gjithë admirim të përkryer edhe vetë helenët në të njëjtën familje pellazgjike, përkrah stërgjyshërve të shqiptarëve dhe ilirëve. Mirëpo, përse ne, shqiptarët, të mos paskemi të drejtë të shohim në vetë fjalët e mësipërme të Fokunosë “Pelag-skoi”, fjalët shqipe të sotme “Pelag shkoi, Për larg shkoi”, përderisa vetë autori e paska të drejtën për të bërë një interpretim të tillë në këtë drejtim? Për më tepër që vetë autori pellazgët i shihka si pasardhës të protojonianëve (mikenasve, etj.) të Detit Jon? Ja një hamendësim nga ana jonë. Mund të hidhet menjëherë poshtë ky hamendësim për të thënë “Jo” kategorikisht, sepse “shkoi-skoi, larg”, fonetikisht para 4 mijë vjetësh nuk janë thënë kështu në ilirishte a pellazgjishte, por kanë ndjekur ligjet e rrepta të fonetikës evolutive.

Studimet për pellazgjishten

Edhe këtu një çudi! Teksa pretendohet nga mjaft autorë të huaj që shqipja e shek. XIX dhe ajo e sotmja (gegërishtja sidomos), është ruajtur në gjendje fosile që prej mijëvjeçarësh, teksa merren për bazë fjalë shqipe të sotme (“ëmë, vëlla, motër, bir, bij, njeri, ari, ulk, dimër, dieg”, mal etj. - me të barasvlershmet e tyre indoevropiane -, p.sh. motër-mater, mat, mutter, mother;) menjëherë gjithë ngutje për shqipen do vihet si barrierë penguese apo infiltruese ligji i saj evolutiv fonetik. E njëjta gjë p.sh. edhe për udh (shqip), odh-os (greqisht) nga ku i famshmi Odhise-Udhëtari. Ama greqishtja këtu e kudo bëhet mëma e fjalës dhe e krejt etimologjisë greko-latine të trashëguar, në emër shi të së shkruarës së parë (scripta manent), kurse shqipja do avullojë në verba volant dhe as që do merret më parasysh, në emër të shkencës, formula e parë biblike: “Në fillim qe Fjala”, ajo fjalë e parë onomatopeike e monosilabike e krejt Homo Sapiensit kolektiv dhe e popujve të lashtë, të zhdukur e të pazhdukur, e mitologjive apo e legjendave. Ka një merak të madh tek albanologët tanë se po të aventurohemi në parahistori me parashkencë, dmth tek pellazgët e parailirët, ne shqiptarët mund të dalkemi si ardhacukë, gjoja me origjinë nga Azia e Vogël, nga Kaukazi, apo nga vetë zemra e Afrikës, e në këtë rast kjo do shpinte ujë në mulli të ndoca studiuesve serbë (që u kthyekan kështu për ne në rolin e dordolecit!), pikërisht për të mos i parë shqiptarët si autoktonë denbabaden. Në fakt, ka albanologë të shek. XIX (Benloew, etj) që i mëshojnë kësaj teze. Asgjë të keqe nuk ka në këtë mes, kur njihet parimi bazë shkencor për të marrë fillimisht çdo gjë me rezervë dhe jo të mirëqenë, po kur edhe vetë ky parim zbatohet pa njëanshmëri. Historia evropiane etj. është e mbushur me shtegtime e lëvizje popujsh, kush më parë e kush më vonë. Po edhe sikur të kenë shtegtuar protoilirët tanë, kjo është në kuadër të atyre lëvizjeve të famshme të indo-europianëve të kohës së bronzit, ndërkohë që shtegtimi i fundit i serbëve nga Veriu i Europës drejt Ballkaneve, është shi në shekujt VII-VIII te erës së re. Mirëpo, çuditërisht “të përfolurit” d’Angely e Aref, nuk shohin kurrfarë shtegtimi parailir, përkundrazi shohin një shtrirje të gjerë protoilire (pellazge) në krejt Mesdheun dhe Azinë e vogël, gjer në afri të Malit të famshëm të gjuhëve të Kaukazit. Dhe këtu, në këtë hapësirë gjeografike, na shfaqet Nikolai Marr, me teorinë e tij të famshme të gjuhëve jafetike, ku përfshin edhe vetë shqipen në familjen e gjuhëve të lashta që ai ka qejf t’i shohë si gjuhë protoindoeuropiane, pra para ardhjes së indoeuropianëve. E ç’të keqe ka në fund të fundit? Edhe kjo është, siç dihet, një teori e debatuar fort, sot e kësaj dite, e linguistit të famshëm rus, që bëri bujë në vitet 3ë të shek. XX, duke shkaktuar tërë atë polemikë të shkencëtarëve rusë si dhe angazhimin përfundimtar të Stalinit për të hedhur poshtë teorinë e Marrit në vitet 5ë, pikërisht në kohën kur Stalini i deklaronte prerë Enver Hoxhës se asnjë lidhje nuk ka midis albanëve të Shqipërisë dhe albanëve të Kaukazit! Në përfundim, do thonim se parahistoria me parashkencën e vet (gjersa të arrijë objektivin e vet teoriko-shkencor) shfaqet thjesht si një pasqyrë e dhjetëra teorive dhe shkollave, që do ngrihen e bien, do ri-bien e ri-ngrihen, për aq kohë sa dijetari, kushdo qoftë, dhe i pa paragjykuar, ka të drejtë të shkojë gjer në thellësi të kohërave, në vetë paleontologjinë e Linguistikës e të Historisë. E në rastin tonë, pse jo, gjer tek protoilirët, stër-stërgjyshërit tanë, që me siguri, një ditë do bëhen edhe pikësynim madhor e fisnik i shkencave të avancuara albanologjike.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›