Miku im D
Tregim satirik nga Ymer Minxhozi
- Hë, ç’bën, ç’kemi? Ka kohë që s’jemi parë, na mori malli. Si je, si vete? Gruan, fëmijët, djalin, të gjithë mirë?
- Faleminderit, të gjithë janë mirë.
- Po atë të voglin, mirë e keni? Sikur keni një nip, apo jo?
- Tani janë bërë dy. Mirë janë të dy, rriten.
- Sigurisht, sigurisht, ata rriten, ne plakemi. Por fundja, edhe ne kemi jetuar, prandaj dhe jemi plakur, apo jo?
- Patjetër, po s’jetove nuk plakesh.
- Gruaja si u bë, mirë është tani? E kaloi mirë operacionin?
- Nuk është operuar, por më mirë është.
- Vitin e kaluar sikur më pate thënë se do të operohet, apo jo?
- Kanë kaluar dy vjet që atëhere. Duket se e ka hedhur. U harrua ajo punë.
- Po,po e keqja harorhet, posi. E mira mbahet mend. Ata vëllezër mirë i ke?
- Mirë janë.
- Fëmijët mirë i kanë?
- Edhe fëmijët mire i kanë. Po mua më duhet të shkoj deri në bibliotekë se kam lënë takim me një shok.
- Ti vetë mirë ndjehesh? Gjithmonë në formë, djalë i ri. Po shkruan gjë?
- Asgjë... Vapë...
- Shumë mirë, shkruaj se ne presim nga ti. I lexoj me qejf të gjitha. Ke botuar gjë?
- Para disa muajsh botova një libër.
- A, po, ishte shumë interesant. Do ta lexoj patjetër. Kam pyetur edhe në një librari, më kanë thënë se është mbaruar, po unë do ta gjej. Shumë i bukur. Ke dorë ti. Ma kanë thënë edhe të tjerë. Tani sapo u ndava me Kriston. Të përmendem edhe ty.
- Cilin Kristo?
- E kemi patur në shkollën e natës, në vitet pesëdhjetë, të kujtohet?
- Jo.
- Me siguri të kujtohet. Ai të mbante mend shumë mirë, bile një ditë kishte dashur të të fliste, po se si ishte penguar. Në fillim edhe unë s’e njoha, por erdhi e më ra në sup. Unë ktheva kokën, është ky, s’është ky? Si është jeta! Po shkoja në ambulancë se e kam vjehrrën të sëmurë, ka një kohë të gjatë që vuan nga mëlçia, po këta mjekët e sorollasin; njëri thotë se ke gurë, tjetri tëmth; ec e merr vesh. E ku ta kisha fjalën?
- Te vjehrra.
- Ah, po shkova në ambulancë për punën e vjehrrës dhe papritur më del përpara një fytyrë që s’po më kujtohej fare. Ikin vitet, njerëzit ndryshojnë. S’të njoh, i thashë, më fal, po s’po më kujtohesh. Po ti s’më mban mend, më tha, kemi qenë komshij kur ishim të vegjël. Më bëri me turp. Shok fëmijërie dhe të mos i japësh të njohur. I futa krahun, e pyeta për njerëzit e shtëpisë dhe i thashë të pimë kafe. Ishte mungesë korrektese nga ana ime, apo jo?
- Më falni, po edhe unë duhet të jem korrekt me një shokun tim, që po pret në bibliotekë, do të shkojmë diku dhe s’më vjen mirë ta lë të presë...
-Korrektesa është mbi të gjitha. Unë e kam vdekje t’i lë njerëzit të presin. Korrektesa është kulturë. Siç duket, skleroza po më sillet rrotull. Të kujtohet Pertefi?
- Cili Pertef?
- Ai këpucari që e ka patur shtëpinë në hyrje të rrugicës së spitalit, me origjinë nga Kukësi, më duket, po ka banuar këtu për një kohë të gjatë. Ishte sëmurë i shkreti. Dy djemtë i kishin shkuar jashtë, njëri në Greqi e tjetri në Itali. Ka qenë njeri shumë i mirë.
- Ka vdekur, gjë?
- Jo, jo, akoma është gjallë. Gruaja i ka vdekur. E kemi patur shitëse në bllokun tonë. Tani donte të shkonte edhe vetë.
-Ku, tek e shoqja?
- Në Itali, më tha, po kërkonte vizë. Unë i thashë s’ke ç’bën në Itali, rri këtu. S’ka si vendi yt, po atij i qe bërë mendja Itali. Pleqëria... Kemi patur një plak në lagjen tonë, në lagjen e vjetër, jo atje ku banoj tani, i shkreti harronte dhe shtëpinë e tij... More, nuk të kam parë më me atë shokun tënd.
- Cilin?
- Një më i shkurtër, kështu si ti, me flokë të bardha e me kapele kashte, se na djeg dielli. More e kam në gojë emrin, se edhe unë përshëndetem me të, po s’po e shoh prej kohësh.
- Mos u shqetëso për shëndetin e tij, është në Itali dhe ai.
- Po fëmijët mirë i ka?
- Do ta pyes sapo të kthehet nga Italia dhe do të të them.
- Se ti e di, miku i mikut tënd është njëlloj si miku yt. Pastaj, deri sa rri me ty, patjetër është njeri i mirë. Se si u thonë, më thuaj me cilin rri të të them se cili je. Njeriu njihet që në fytyrë. Kam patur tre shokë të ngushtë kur kam qenë në ushtri, po ama, njëri prej tyre dallohej. Dukej që nga fytyra. E takova një ditë dhe më ndali në rrugë. Do pimë kafe, tha, se s’bën. U ulëm dhe më tregonte gjithë ato vite që s’jemi parë. Ka halle bota. I ishte vrarë një nip në Greqi dhe akoma nuk ishte sqaruar asgjë. S’kemi polici.
- Kush, neve apo grekët?
- Të dyja palët. Thuhet se kanë qenë tre shokë që banonin në një shtëpi, ai ka dalë për të blerë diçka dhe nuk është kthyer më. Tani është problem e fejuara.
- E kujt?
- E fejuara e atij që është vrarë. Ajo nuk beson se i fejuari është vrarë dhe thotë se do të shkojë atje patjetër. Të ëmës i ka rënë të fikët dhe s’përmendet.
- Nënës së djalit apo nënës së vajzës?
- Të dyjave, më tha. Prandaj kishte ardhur në ambulancë. Aty ai njihte një mjek që të njihte edhe ty. E kam shok, më tha.
- Tani a ka mundësi të shkoj edhe unë deri në ambulancë, se kam një marrje mendësh?
- Shko takoje këtë shokun që po të them unë e që të njihte dhe ty. Ishte pika e djalit. Më duket se Ilir e quanin. Të atin ia kam njohur që kur punonte në porcelan. Babai im i ka pas bërë nder dhe tani ai nuk e harron. Dardha nën dardhë bie. Prandaj sa herë të kesh nevojë, aty e ke paradite dhe mbas dite.
- Atëhere po shkoj se s’po duroj dot dhimbjen.
- Dhimbjen e kokës ti duhet ta kesh edhe nga leximet e studimet, deri sa rri në bibliotekë. Prandaj pakësoje një çikë leximin se studimet të thinjin para kohe. Një shokut tim, ndofta e njeh edhe ti, nga leximi i janë bërë flokët dele, kështu si ty. Kur ishte i ri, ai nuk shtrohej dhe aq shumë, po tani e shoh një e dy dhe me çantë nën sqetull, drejt e në bibliotekë, kështu si puna jote. Më duket se ka botuar edhe një libër. I ati i tij as që e ka prekur librin me dorë dhe rrojti mirë e bukur derë në tetëdhjetë vjeç, pa një thinjë në kok, kurse ky është bërë i bardhë si bora, pa i mbushur të pesëshjetat. E mori në qafë e shoqja.
- Pse, i vdiq?
- Jo, s’ka vdekur, por ama vajti u martua me një vajzë që shkruante. Bardha e quanin. Ajo u bë mësuese letërsie e ky s’donte të mbetej prapa, prandaj iu vu leximeve, disa herë edhe shkruante. Ti me siguri e ke lexuar, se ju të shkrimeve ndiqnin njëri - tjetrin. Ndërsa djemtë i janë futur tregëtisë dhe s’duan t’ia dinë për libra e gazeta. Na! Si diva janë bërë. E si të mos bëhet njeriu me dhimbje koke po lexoi gjithë ditën nëpër biblioteka? Ja, shife Nasipin, si cironkë është bërë.
- Cilin Nasip?
- Më fal se s’ta tregova. Eshtë një kushëri i gruas sime, ti e njeh me siguri, ka qenë nëpunës biblioteke në lagje. Ti i njeh këta të bibliotekave...
- I njoh, i njoh, po...
- Çfarë po? Më duket se je verdhur në fytyrë, mos...
............................
Nëpër tym shihja fytyrën e zvogëluar të mikut tim D. Ai po më rrinte te koka e shtratit, ndërsa një grua me të bardha me një shishe transparente në dorë më vinte rrotull. Në veshë më vinin zëra të turbullt. M’u dëgjua se dikush tha: Silleni shpejt në sallë! Ky urdhër m’u ngul si thikë. Kjo, siç duket, më solli disi në vete.
Tymnaja që më errësonte sytë filloi të largohet ngadalë dhe konturet e fytyrës katrore të mikut tim D. po merrnin formë vezore.
Ngjitur me shtratin tim, dy gra me të bardha tërhoqën një si barrelë, ku ishte shtrirë një burrë që rënkonte me të madhe.
- Qetësohu, - m’u afrua te veshi miku im D. Tani e dalloja mirë fytyrën e tij. Ti s’ke asgjë serioze. Një turbullirë e lehtë. Një shokut tim i ka ndodhur më keq, ai ra me hundë në trotuar e u bë gjithë gjak, por e kaloi... Po s’kuptova, ti pse i fole doktorit për Muratin?
- Për cilin Murat? - mezi shqiptova unë.
- Mjeku të pyeste për emrin, ndërsa ti shqiptoje vetëm Murat, Rakip, Sefedin... Shyqyr që u ndodha unë e ia tregova ç’ka ndodhur...
- A ka kohë që jam këtu?
- Nja dy orë. Ti mos u bëj merak, se jam unë këtu. S’largohem prej këtej, këtu më ke. Edhe në shtëpi do të vij me ty.
Sytë filluan të më errësohen përsëri dhe më tej s’mbaj mend asgjë. Më vonë gruaja më thotë se prej asaj dite, unë shqiptoj në gjumë emra të panjohurish, madje edhe emrin e një mësuesje që shkruan poezi. Emrin s’ma tregon, po as unë s’guxoj ta pyes...
”Ne që të gjithë jemi të verbër, sikush sipas mënyrës së vet. Kopraci është i verbër: ai sheh arin, po nuk sheh begatinë. Plangprishësi është i verbër: sheh fillimin por nuk sheh fundin. Gruaja lozonjare është e verbër: nuk sheh rrudhat e saj. Dijetari është i verbër: nuk sheh paditurinë e tij. Njeriu i ndershëm është i verbër: nuk sheh batakçiun. Batakçiu është i verbër: nuk sheh zotin. Edhe zoti është i verbër: ditën kur krijoi botën, nuk pa djallin që u fut në të. Unë jam i verbër: flas me ju dhe nuk shoh që jeni të shurdhër”.
Viktor Hygo
5 Gusht 2009