Kampionati nis virtualisht, rinis lufta për Europën
Tirana, kampionia në fuqi e Shqipërisë dhe rekordmene e saj me 24 trofe në 70 kampionate të zhvilluara, do të nisë “virtualisht” sot mbrojtjen e titullit ndaj rivalëve të saj më të mëdhenj, Vllaznisë e Dinamos, të renditura edicionin e kaluar respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Kategoria Superiore (por dhe ajo e Parë dhe e Dytë) do të zbardhë kalendarët futbollistikë për sezonin e ri (në një ceremoni luksoze në hotel “Rogner”, ora 11:00). Një fakt është i trishtueshëm: Partizani, skuadra e tretë me më shumë trofe në Shqipëri (15) pas Tiranës (24) e Dinamos (17) nuk është pjesë e Superligës, duke i humbur “sharmin” një kampionati të varfër si i yni, i klasifikuar si i 62-të më i fortë në botë. Gjithashtu, mungon edhe Elbasani (2-herë kampion).
Të eliminuara shumë shpejt nga aventura evropiane (më përjashtim të Vllaznisë, që nga ana e saj kaloi një tur në Ligën e Europës, eliminoi irlandezët Sligo Rovers), katër skuadrat “ndërkombëtare” të Superligës shqiptare, Tirana, Vllaznia, Dinamo e Flamurtari, do të rinisin, më 23 gusht betejën e re për të ndarë dy trofetë sezonalë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, si dhe luftën për katër vendet e akorduar nga UEFA për dy kompeticionet europaine të saj: Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës.
Në fakt, mesa është parë nga merkatoja e zhvilluara nga skuadrat e Superligës (afati i tregut përfundon zyrtarisht, më 31 gusht, tetë ditë pas shartimit zyrtar të kampionatit, më 23 gusht), rivaliteti duket se edhe në kampionatin e ri do të zhvillohet i ndarë në “dy kate”, midis shtatë skuadrave që do të luftojnë për trofetë e vendet evropiane, dhe këtu mund të përfshihen Tirana, Vllaznia, Dinamo, Besa, Shkumbini, Flamurtari e Teuta, dhe pesë të tjerave që do të luftojnë sërish për mbijetesë (Apolonia, Skënderbeu, Gramozi, Laçi, Kastrioti), ku sipas skemës së paracaktuar dy skuadrat e renditura të fundit do të bien direkt në Kategorinë e Parë, ndërkohë që dy të tjerat të renditura në vendet 9 e 10, do të luajnë ndeshje plejofi me dy skuadrat e renditura në vendet 3 e 4 në Kategorinë e Parë.
Ia vlen të kujtojmë, se pikërisht nga këto ndeshje direkte plejofi, u ngjitën në Kategorinë Superiore, Kastrioti e Gramozi, që nxorrën jashtë loje pikërisht Partizanin (15-herë kampion i Shqipërisë) dhe Elbasanin (2-herë kampion).
Titulli kampion në dy edicionet e fundit paraardhës (2007-2008 dhe 2008-2009) është ndarë vetëm në javën e fundit, kur kemi shijuar “finale” emocionuese: Dinamo-Partizani (2-1) dhe Tirana-Vllaznia (2-1), e që kanë kurorëzuar Dinamon (titulli i 17-të i saj) e Tiranën (titulli i 24-t i saj, rekord në Shqipëri).
Të njëjtën situatë e rivalitet midis të mëdhajave besohet se mund përjetohet edhe në edicionin e ri, të paktën me ambiciet që kanë shfaqur të mëdhatë: Tirana (tashmë e drejtuar nga kroati Ilija Lonçareviç), Vllaznia (me në stol Hasan Likën, në kërkim të trofeut të parë si trajner), Dinamo (me Shkëlqim Muçën, 3-herë kampion me Tiranën) e Besën (me Shpëtim Duro, ambicioz në aventurën e tij me skuadrën e Bizhdilit).
Ambiciet e Flamurtarit, fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë (për herë të tretë në historinë e saj), janë për të fituar për herë të dytë titullin kampion (ka fituar vetëm një herë në sezonin 1990-1991), por dhe Superkupën e Shqipërisë (luhet, më 16 gusht), trofe që e ka fituar dhe dy herë të tjera (1991, 1992).
Gramozi, skuadra debutuese e Superligës, e që financohet nga kompania “Taçi-Oil International”, ka bërë të qartë ambicien e saj, se nuk lufton për mbijetesë, por për në vend në Europë.
Merkatoja shqiptare në dukje ka qenë e zbehtë, teksa thuajse është orientuar plotësisht nga vendet ballkanike, që duhet pranuar se kanë një futboll më të përparuar se yni. Dinamo ka bërë “pazar” në Serbi e Kroaci, dhe të njëjtën linjë ka ndjekur edhe Vllaznia (Mali i Zi, Serbi). Besa (dhjetë blerje deri tani) është orientuar e gjitha të lojtarët shqiptarë e ata kosovarë.
Të huajt, një president e dy trajnerë
Kampionati i 71-të Kombëtar i futbollit do të ketë në drejtimin e skuadrave, një president të huaj, italianin Belardeli te Laçi, por dhe dy trajnerë të huaj: kroatin Ilija Lonçareviç te Tirana (debutim i tij) dhe serbo-boshnjakun Esad Karishik te Apolonia (në sezonin e dytë të tij te skuadra fierake). Presidenti i fundit i huaj i një klubi shqiptar ka qenë egjiptiani El-Sajed te Tirana (1996-2000).
Vetëm një derbi kryeqytetas
Në dhjetë kampionatet e fundit, duke u nisur nga sezoni 1999-2000, ishim mësuar të ndiqnim tre derbi midis skuadrave kryeqytetase: Tirana-Partizani, Partizani-Dinamo e Tirana-Dinamo, ndërkohë që në sezonin e ri, atë 2009-2010 do të jetë vetëm një i tillë: Tirana-Dinamo, kjo pasi Partizani është në sezonin e ri futbollistik pjesë e Kategorisë e Parë.
Skuadrat dhe trajnerët
e sezonit 2009-2010
Tirana: Ilija Lonçareviç (kroat, i ri)
Vllaznia: Hasan Lika (i ri)
Dinamo: Shkëlqim Muça (i rikonfirmuar)
Besa: Shpëtim Duro (i ri)
Teuta: Mirel Josa (i ri)
Shkumbini: Gugash Magani (i rikonfirmuar)
Flamurtari: Eqerem Memushi (i rikonfirmuar)
Apolonia: Esad Karishik (serb, i rikonfirmuar)
Laçi: Edi Martini (i rikonfirmuar)
Kastrioti: Ramadan Ndreu (i rikonfirmuar)
Gramozi: Ilir Qirjako (i rikonfirmuar)
Skënderbeu: Gerti Haxhiu (i ri)
Dukuria
Serbia, moda e re ekipeve shqiptare
Në vitet e fundit destinacionet e huaja të skuadrave shqiptare për të kryer fazat përgatitore verore apo dimërore ishin Turqia, Maqedonia e Mali i Zi, duke mos harruar të përmendim edhe ndonjë përgatitore luksi si Partizani në Gjermani, Tirana në Hungari e Egjipt apo dhe Flamurtari në Itali. Por tani hartës së emigrimit të skuadrave elitare shqiptare i është shtuar edhe një vend i ri, Serbia. Apolonia e drejtuar nga serbo-boshnjaku Esad Karishik e kreu atë në Peshter, ndërkohë që të enjten, është radha e Vllaznisë të “transferohet” pas Pukës (ku kreu pjesën e parë përgatitore) në Sllati Bor të Serbisë. Aktualisht, Shkumbini, Besa, Dinamo e Gramozi po kryejnë fazën përgatitore në Mavrovë e Strugë të Maqedonisë, ndërsa Teuta në Pogradec. Nga skuadrat e tjera të Superligës, Tirana pas stërvitjes në Maqedoni, është duke e kryer atë në kryeqytet, Flamurtari në Vlorë, Skënderbeu në Korçë, Kastrioti në Krujë e Laçi në qytetin e tij.
5 Gusht 2009