Peniani komunist i hap derën për herë të parë ish-presidentit amerikan Bill Klinton
Vizita e papritur ish-presidenti amerikan, Bill Klinton tek vendi komunist i Koresë së Veriut po shoqërohet me shumë debate dhe informacione të llojeve të ndryshme, disa prej të cilave janë kontestuar nga Shtëpia e Bardhë. Burimet zyrtare pohojnë se Klinton është takuar me udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong-Il. Agjensia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut ka konfirmuar takimin por nuk dihen hollësi për atë që është biseduar gjatë tij. Sipas medias shtetërore koreanoveriore, Kim Jong -Il shtroi një darkë për ish-presidentin amerikan, para se të dy ata të shkëmbenin ato që ajo i prëshkroi si "një gamë të gjerë opinionesh". Një korrespondent i BBC-së thotë se shumë pak politikanëve perëndimorë u jepet mundësia që të takohen me udhëheqësin koreanoverior. Fakti që kjo mundësi iu ofrua z. Klinton, - shton ai, - mund të jetë një sinjal se ai ka për të marrë atë që kërkon me këtë vizitë: lirimin e dy gazetareve amerikane që mbahen në burg në Korenë e Veriut.
Ndërkaq, ka spekulime se z. Klinton i ka përcjellë një mesazh gojor të presidentit Obama udhëheqësit koreanoverior, por Shtëpia e Bardhë po hesht. Ajo këmbëngul se z. Klinton është në një mision është privat dhe thotë se rasti i gazetareve duhet të mbetet i ndarë nga çështjet e tjera politike. Zyrtarët amerikanë e kanë pranuar se z. Klinton ndodhej në Penian për të negociuar lirimin e dy gazetareve amerikane të burgosura nga Korea e Veriut, Laura Ling dhe Euna Lee. Ato u arrestuan në muajin mars pasi kaluan kufirin nga Kina dhe u dënuan me 12 vjet punë të rëndë për akte armiqësore të paspecifikuara.
5 Gusht 2009