A mund të ndryshohet një burrë
Dëshira për ta shtyrë partnerin të përmirësohet është tipike femërore. Sipas psikiatërve, ky rol është rrënjosur në ndërgjegjen kolektive dhe në një plan më personal, shpesh, gruaja shfaqet si e aftë të menaxhojë jetën në çift dhe familjen. Për të arritur këtë objektiv gruaja është e gatshme të bëhet “copë e çikë”. “Një burrë i zhgënjyer nga gruaja e vet mendohet pak mbi këtë gjë dhe më vonë largohet nga ajo, duke kërkuar diku tjetër një formë kompensimi”, - shpjegojnë disa filozofë. Gratë, në të kundërt, i përballojnë problemet dhe përpiqen t’i korrigjojnë defektet që e bëjnë më pak joshës burrin që duan. Në fillim shkon çdo gjë mirë. Psikiatër dhe terapistë të çifteve thonë se të biesh në dashuri do të thotë të krijosh iluzione, një iluzion i shëndoshë, ama, pa të cilin nuk do të kishte as tërheqje. Por shpesh, sipas tyre, disa aspekte të vlerësuara në fillim përfundojnë duke mos të të pëlqyer më, kur jeta dhe rutina e bëjnë të zakonshëm imazhin e tij, deri në atë kohë të mitizuar.
Shembull: ambicia shihet si karrierizëm, sensi i humorit kthehet në një bezdisje dhe dinamizmi në pamundësinë acaruese për ta parë të rrijë i qetë. Pra ajo që dikur të dukej interesante, sot të lodh. Është e vërtetë që të thërrasësh në gjyq një anë të karakterit do të thotë të vësh në rrezik konceptin e dashurisë ideale që përfshin dhe pranimin e plotë të njeriut që do. Pra, të rrezikosh që ai të të kthejë shpinën. Prandaj preferon të shpresosh se vetë dashuria do t’i rregullojë gjërat, por butësisht. Një shpresë e vakët, që rrallë gjen mbështetje në realitet. Dëshirat e subkoshiencës ngelen kartë e djegur. Duhet kaluar në fazën e veprimit. Po kujdes! Duhet reaguar atëherë kur je e bindur se marrëdhënia juaj është solide, që partneri është aq i mësuar me ty sa të pranojë kritikat.
Pika kyçe nga duhet t’ia nisësh është të dish t’i prezantosh kërkesat. Të flasësh mund të kthehet edhe në një manovër shumë të guximshme. “Burrat, ish-djem të mësuar t’u plotësohen të gjitha dëshirat, e kanë të vështirë të pranojnë se po u vihet në diskutim mendimi”, - nënvizojnë psikiatrit. Sipas këtyre të fundit, për t’u bërë autonomë, meshkujve u është dashur të luftojnë ndaj dashurisë ndërhyrëse të nënës dhe ja ku jeni tani ju, vullneti tjetër femëror që kërkon t’i mësojë një kod të dhënë sjelljeje, me të cilën atij i duhet të merret. Dhe është normale të marrin zjarr konflikte. Sidomos po t’i merrni gjërat me inat. “Kërkesat për të ndryshuar nuk pranohen lehtë. Forma që zgjedh pastaj, mund të duket si fajësim, dhe pse nuk duam. Kush merr një vërejtje mund të bëhet shumë i ndjeshëm përballë teknikave të njëjta që përdornin prindërit dhe të rigjendet në pozicionin e një fëmije”, -shpjegojnë më tej psikiatrit. Sipas specialistëve, ekziston një mënyrë atërore fajësimi: “Ti nuk i bën detyrat që merr përsipër!”; një mëmësore: “Po të më doje, nuk do të silleshe kështu”; një vëllazërore: “Nuk bën asnjë përpjekje për t’u kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët. Nuk më ndihmon fare”. Për t’u mbrojtur, burri kundërsulmon dhe nis një betejë e vërtetë: hakmarrje të vogla, turinj të varur. Një rreth vicioz. Plotësisht i mjaftueshëm për të shkatërruar ditët.
7 Mars 2009