Verërat, si duhet të zgjidhni cilësinë e duhur
Asgjë nuk mund të krahasohet me një gotë verë në raste të veçanta apo qoftë me idenë e thjeshtë për të qëndruar në shtëpi në shoqërinë e pijes së quajtur “nektari i ëmbël i Zeusit”. Shumë njerëz kanë zbuluar kënaqësinë e të shijuarit të verës. Disa e pinë atë për arsye shëndetësore, të tjerë sepse duan të shijojnë pijen më sensuale me ngjyrë të kuqe, të bardhë apo rozë.
Si ta njohësh verën tënde?
“Vera është gjëja më e qytetëruar në botë”, - është shprehur shkrimtari i madh Ernest Heminguej. Nobelisti amerikan, në një nga veprat e tij më të njohura, ka thënë: “Në Europë mendimi për verën ishte se ajo ishte e shëndetshme dhe dhënëse pa fund e gëzimit dhe kënaqësisë. Të pish verë nuk është snobizëm, as shenjë sofistikimi, as kult, është po aq natyrale sa të ushqyerit, dhe për mua është po aq e nevojshme”. Vera është shoqëruesja perfekte e ëmbëlsirës, e pjatës së parë apo e antipastave të ndryshme. Megjithatë, e rëndësishme është të zgjedhësh verën e duhur, atë që do të përshtatej më mirë me ushqimin dhe preferencat individuale. Para se të zgjedhim një shishe verë duhet të drejtohemi në një dyqan të mirëfilltë verërash, dhe jo në një supermarket. Shishja duhet të jetë e mbyllur gjithmonë me tapë druri dhe të ketë etiketën përkatëse në të cilën jepet përqindja e alkooli, varieteti i rrushit dhe vendi ku është prodhuar. Edhe pse këto tri detaje nuk ju bëjnë snobë të verës (ose admirues të saj), të japin pa dyshim një pikë mbështetjeje kur bëhet fjalë për zgjedhjen e verës së duhur.
Si ta zgjedhësh verën?
Me tri fjalë.
1. Çmimi
Kjo është ujdia e parë që bëjmë me veten për të zgjedhur një verë të mirë. Gjithçka i ka fillesat nga mitet dhe elita e shoqërisë, si më e privilegjuara për ta shijuar lëngun me aromë. Në fakt, shumë verëra cilësore kanë çmime të larta, por kjo nuk do të thotë se për të shijuar një shishe verë “Cavernet Sauvignon” do të na duhet të lëmë peng makinën. Në tregun e sotëm mund të gjejmë një verë të mirë edhe me 12 euro apo edhe më pak se kaq. Para se të dilni për të zgjedhur një shishe, vendosni më parë çmimin me të cilin do ta blinit. Shitësi i verës në këtë rast do të ishte në gjendje t’u jepte disa sugjerime pas çmimit të caktuar nga ju vetë.
2. Preferenca
Preferencat janë faktori më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për të zgjedhur një shishe verë. Pa dyshim, të gjithë kemi preferencat tona. Ato ndryshojnë nga një person në tjetrin dhe për këtë arsye s’mund të këmbëngulim në faktin që nëse ne na pëlqen, pa dyshim do t’u pëlqejë edhe të tjerëve që ua servirim. Shijimi i verës ka të bëjë me personalitetin, stilin, shijen ekscentrike, dhe jo në reklamat bindëse të prodhuesve të verës. Për përzgjedhjen e saj duhet të keni parasysh edhe rastin në të cilin do të konsumohet. Mendoni të organizoni një mbrëmje apo është thjesht një mbrëmje e zakonshme në familje, ose me miqtë më të afërt? Në këtë rast kujdesuni edhe për preferencat e të tjerëve, duke vënë preferencat tuaja në plan të dytë.
3. Kombinimi
Shumë njerëz kërkojnë shishen perfekte të verës dhe me këtë nënkuptohet se ata po kërkojnë verën që shkon me një ushqim të caktuar. Nëse jeni një nga këta persona, atëherë duhet të dini që përbërësit janë çelësi. Rregulli i artë për kombinimin e verës me ushqimin është: Drejtpeshimi i peshës dhe sasisë së verës me delikatesën ose bollëkun e një pjate të veçantë. Më saktësisht: vera e kuqe me mishin, e bardha me peshkun ose shpendët. Ndiqni këtë këshillë dhe vera do të plotësojë shijen e ushqimit që po shijoni.
Ku prodhohet vera më cilësore?
Franca në një gotë
Njihet si një nga vendet me prodhimtare të verës cilësore dhe verërat më të njohura në botë ende mbajnë emrat e disa krahinave franceze. Historia e verës lidhet ngushtë me Francën që në kohën e Romës së lashtë, kur perandoria u shtri përgjatë Gaulit, që është emri i vjetër i Francës. Kur ushtritë romake u tërhoqën sërish në Itali, klerikët u morën me kultivimin dhe përkujdesjen e vreshtave për furnizimin me verë të ritualeve të shenjta. Kështu lindi vera e famshme e Francës. Ekzistojnë 9 krahina të mëdha për prodhimin e verës në Francë: Alsace, Bordeaux, Burgundy, Corsica, Cotes du Rhone, Languedoc-Rousillon, Loire Valley, Provence, dhe South West. Bordeaux është shtëpia e verërave të njohura me emrat: Cavernet Sauvignon, Chateau d’Yquem etj. Franca njihet edhe si prodhuesja e shampanjës, e cila fermentohet nga rrushi Chardonnay, i cili me raste quhet edhe “Blanc de Blanc”.
Ëndrra kaliforniane
Një tjetër vend i njohur për prodhimin cilësor të verës është edhe Kalifornia. Vende të tjera që prodhojnë verë në Shtetet e Bashkuara janë edhe Uashingtoni dhe Oregoni. Një shishe e vetme me verë kaliforniane ritregon historinë e artë: Harlisja e pranverës në një vresht. Europa, që rrezikon shumë vetëm nga një ëndërr. Kalifornia mund të prodhojë një verë po aq të mrekullueshme sa edhe Europa, vetëm se sasia e prodhuar këtu është shumë herë më e madhe. Zona ku prodhohet vera më e mirë në Kaliforni është Napa Valley. Në vitin 1975, në këtë vend u regjistruan 20 industri të prodhimit të verës. Sot janë rreth 200 të tilla, ndër to përmendim gjigantët: “Hess, Pepperwood Grove” dhe “Beringer”. Verërat më të mira që nxirren nga ato janë: Pinot Noir, Merlot, Cabernet Sauvignon dhe Zinfandel.
Shija australiane
Përjashtim nga rregulli i përgjithshëm bën vera e prodhuar në Australi. Në këtë vend vera nuk e merr emrin nga zona ku prodhohet, por nga lloji i rrushit. Arti delikat i prodhimit të verës fillimisht u prezantua në Australi, në vitin 1788, nga kapiteni anglez i quajtur Filip. Në vitet pasardhëse edhe të tjerët ndoqën hapat e kapitenit anglez dhe shumë shpejt verërat australiane patën vulën e origjinalitetit. Cilësia e mirë dhe çmimi konkurrues bënë që ajo të pushtonte botën e konsumit. Zona më e njohur australiane për verën është lugina Barossa.
7 Mars 2009