Data 20 shkurt, të shpallet festë kombëtare
Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe Torturës u ka drejtuar dje një thirrje autoriteteve të larta të shtetit dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Kjo qendër ka kërkuar që 20 shkurti i vitit 1991, e cila njihet si dita kur në Tiranë dhe shumë rrethe të tjera të vendit u rrëzuan monumentet e diktatorit komunist Enver Hoxha, të shpallet festë zyrtare kombëtare.
Në thirrjen që Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe Torturës I ka drejtuar dje autoriteteve të larta të shtetit shqiptar, drejtuesve të partive kryesore në vend, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, kërkohet që 20 shkurti i vitit 1991 të shpallet, “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist”, si dhe të dekorohen protagonistët e asaj dite. “Data 20 shkurt 1991 është dita më e shënuar historike e shekullit të kaluar për popullin shqiptar. Kjo ditë shënoi përmbysjen e sistemit komunist, vendosjen e demokracisë dhe të fesë në vendin tonë. Ajo duhet të jetë festë zyrtare kombëtare, më e madhe e demokracisë, sepse protagonist ishte
i gjithë populli”, thuhet në thirrjen e firmosur nga 108 protestues të 20 shkurtit 1991, 107 personalitete të rëndësishme, afro 40 parti politike, institucione shtetërore, shoqata, komunitete fetare, sindikata, OJQ, etj.
Në këtë thirrje ndër të tjera theksohet se “prej afro 18 vjetësh kjo ditë dhe protagonistët e saj janë lënë në heshtje dhe nënvlerësuar. Kjo ngjarje meriton të trajtohet në tekstet shkollore dhe të pasqyrohet gjerësisht në Muzeun Historik Kombëtar”.
...