A po agjëron Ben Blushi?
Ka tre ditë që hymë në muajin e pastrimit shpirtëror e njerëzor, një muaj ku mundësia për t’u ndarë nga prapësinat e çfarëdollojshme është më e madhe, një mundësi që duhet parë me kujdes për katarsis fizik e mendor, për t’u çliruar nga llumi i skorjeve të përditshme. Këtu midis këtyre radhëve natyrshëm na lind pyetja mes vetit: po Ben Blushi, a po agjëron vallë? Të kuptohemi e dimë që Blushi është me besim ortodoks, të cilët përveç agjërimit asketik të periudhës së Kreshmës, ortodoksët - të vetmit ndër të krishterët - praktikojnë po ashtu atë që njihet si agjërimi eukaristik apo liturgjik. Por këtu nuk do të flasim për agjërimin në kuptimin religjioz, por në atë politik. Pra, a po e forcon trupin dhe mendjen Blushi përpara betejës kongresuale të 29 gushtit? Apo po tregohet dorëlëshuar si Rama me anëtarët socialistë të rretheve? Paketa e rregullave të cilwn ai propozon që të miratohet gjatë kongresit, a do të vijohet me një platformë kandidimi? Pyetjet kanw nevojë për një përgjigje publike. Ora e debatit brenda PS po afron çdo ditë e më shumë dhe me gjak apo pa gjak diçka do të duhet të ndryshojë. Balancat midis të rinjve e statujave të partisë do anojnë nga ata që do të argumentojnë më mirë humbjen elektorale. Afërmendsh pastaj është interesante të dimë nëse Ben Blushi do të mbajë qëndrim asket apo politik, përpara apo ditën e kongresit të Partisë Socialiste. Mirëpo kemi shumë elementë që na bëjnë të mendohemi. Takimi në një hotel të Tiranës me Arben Malajn sikur la të kuptohej mesazhin “unë propozoj, ky të kandidojë”. Iniciativa e vetëshpalljes së Malajt për kreun e PS solli një efekt ortek e menjëherë dolën dy kandidatë të tjerë, anonimë, Shkelqim Meta e Nikollë Hoti, duke e futur Kongresin në vorbullën më qesharake të mundshme. Por më ngjan se Blushi po tregohet njëkohësisht largpamës dhe meditativ, përderisa nuk po kandidon, sepse sipas gjasave, e ka kuptuar se kjo është një lojë shumë më e madhe se idetë e lira dhe prandaj po tërhiqet brenda rregullave nga loja, duke e lënë Malajn të sakrifikohet edhe kësaj radhe. Ka shumë elementë që dëftejnë se do të kërkojë të provojë shansin në 2011-n, pas zgjedhjeve lokale. Nëse PS i humb ato, atëherë, Ai ka të drejtën të kërkojë kokën e Ramës dhe padyshim nga psikoza e humbjes do t’ia servirin në një pjatë argjendi. Mirëpo nëse Rama forcohet aq shumë në parti, duke i eliminuar fraksionet, zërat kundër, e ku di unë çka tjetër, ç’i mbetet në dorë Blushit? Nuk bëjmë parashikime por real-politika e Ramës - pra arti i qeverisjes së një partie pa ideale - i shkon përshtat një njeriu pa karizëm. *** Ndërsa Blushi e të tjerët rrinë e shohin për ndonjë ditë të mirë, I Papranueshmi, ose shkurt Rama, ka nisur fushatën tinëzare të sondimit, me leje e pa leje, me lek e pa lek, se sa duhet të ftojë çdo ditë për iftar a për syfyr të restorant Xibraku (a gjetkë). Aty hahet hallvë e hasude falas, paguan vëllai nga Fieri (a gjetkë). Të kuptohemi, jo se Edi Rama mban ramazan, sepse religjionet i shikon si aksesorë, në mos opium, por ajo orë shfaqet e përkryer për të lyer makinën e tij elektorale brenda PS, pa e parë askush. Atij i pëlqen errësira, drita siç duket e verbon në të gjitha kuptimet. Lart nuk e bëmë pyetjen “a agjëron Edi Rama?” për një arsye që të gjithë tashmë e dinë. Rama nuk agjëron, për të vetmin fakt, se ka punë të tjera dhe nuk e plotëson dot kushtin e parë të agjërimit: i cili është ndalimi i njeriut dhe largimi tij nga gjërat e ndaluara, nga gjërat me të cilat nuk duhet të merret si: cmira, shpifja, gënjeshtra, grindjet dhe armiqësimi me të tjerët... etj. E ka si sëmundje profesionale dhe nuk bën pa të. *** Fed-back: statuja e Stalinit: Një ditë shkova për një vizitë tek një ish-i përndjekur politik, militant demokrat, sapo hyra në shtëpi u habita kur pashë në tavolinën e madhe të dhomës së miqve statujën e Stalinit. U befasova. E pyeta si ka mundësi që e mban Stalinin në tavolinë. Më pëlqen tha ai me ironi, është i vetmi person që ka vrarë më shumë komunistë në botë. Është rekordmen. Kjo histori nuk ka mbaruar me kaq, në Shqipëri është njëri që e ndjek shpirtërisht atë, quhet I papranueshmi, i cili po bën kërdinë ndër socialistë. Humbja e ka tërbuar si kau pelën. E ka kuptuar hilenë, politikanët si Ben Blushi, bashkë me disa të panafakë të tjerë socialistë që kanë mbetur nga sitja e kryetarit të partisë, do të firojnë pas ose gjatë Kongresit. Është e çuditshme që anarkia politike e Ramës, sidomos ajo përtej të majtës dhe së djathtës, po bën “koka turku” në PS si në kohën e mongolit Tamerlan. Edhe ata që kanë mbetur në krah janë po çuditërisht Sërvet Pëllumbi, Namik Dokle dhe Gramoz Ruçi, që po bëhen pjesë e politikës së re të Ramës. Mirëpo duhet thënë një gjë: O ne nuk kemi kuptuar se politika e re i tejkalon edhe njerëzit dhe moshën e tyre cerebrale, çka në vetvete është haluçinante, ose vetë ky nuk i ka pasur idetë e qarta qysh në fillim dhe kur nuk i mbeti asnjë argument, mbajti njërin që e pat huazuar nga jashtë shtetit.
...