E Diel, 1 Nëntor 2026

A po i flet Berisha kinezçe perëndimit?

Këto ditë, pasi ka futur në kaos politikën, kinse me seriozitetin e propozimit të tij për gjuhën mandarine si gjuhë të dytë të detyrueshme në arsimin publik, natyrisht që Berisha është gajasur me politikanët e opozitës që duket se nuk e kuptojnë mesazhin e vërtetë të tij, i cili në fakt i dërgohet perëndimit. Kuptohet, në fakt, se ai nuk e ka aspak seriozisht këtë sfidë të hedhur ndaj programit të arsimit shqiptar. Dihet se pas ftesave zyrtare për z.Rama dhe z.Spahiu për të vizituar Washingtonin, z.Berisha, i cili ka qenë shumë i zjarritur për të kryer një vizitë zyrtare në Washington gjatë këtyre dy mandateve, lëshoi shigjetën e tij të gjuhës kineze si një mesazh për përfaqësuesit e SHBA-së dhe Evropës në Tiranë. Ai e shfrytëzoi rastin njëlloj si Enver Hoxha kishte shfrytëzuar Mbledhjen e Bukureshtit për tu ndarë nga Moska në vitin 1960 për tu bashkuar me Kinën, shemrën e re të sundimtarëve të Kremlinit në bllokun lindor komunist euro-aziatik. Pas ardhjes së Hrushovit në krye të Kominternit në mes të viteve 1950, për Enverin kishte kohë që përflitej si një stalinist me kult individi të theksuar. Pati edhe ngjarje, si Konferenca e Tiranës më 1956, ku u tentua largimi i këtij stalinisti shqiptar, nën frymëzimin e grupit të ri moskovit. Ishte pikërisht sektarizmi dhe të qenët e Enverit më stalinist se Stalini që sollën këtë reagim nga Moska me synim për të kryer ndryshime në lidershipin e kuq në Tiranë, çka e detyruan Enver Hoxhën që të braktiste bolshevikët rusë dhe të lidhej me Mao Ce Dunin. Madje nëse nuk do të kishte qenë Kina komuniste në këto pozita konfliktuale me Moskën, Enveri mund të lidhej me Kamboxhian, me Korenë e Veriut me tigrat tamilë apo edhe me vetë djallin për hir të pushtetit të vet absolut. Edhe z.Berisha, si një ish komunist pragmatist dhe ithtar i vjetër i skemave ideologjike partiake, me këtë propozim qesharak të cilin e di edhe vetë që nuk është real, po përpiqet të ndjekë të njëjtën metodë të ustait të tij të vjetër diktator. I gjendur i pashpresë e pak a shumë në të njëjtën situatë vetmie në raport me perëndimin si në vitin 1996-’97 - gjë që u duk nga disa deklarata të ambasadorit Arvizu ku ai shprehte optimizëm mbi mundësinë e një rotacioni demokratik në zgjedhjet e ardhshme - z.Berisha, i cili kujton se Shqipëria është një çiflig i tij dhe i enturazhit të tij me lidhje nepotike ose servile me nukël familjen e tij biologjike, e sheh si katastrofë nëse do t’ia shkëputnin duart nga sisët e lopës së qeverisë, thithkat e të cilës ka rreth 15 vjet që nuk i lëshon së ndukuri. Ky pozicion aktual i tij psikologjik klaustrofobik e shtyn atë të nxjerrë një ‘as’ nga mënga dhe tu thotë aleatëve euroatlantikë të shqiptarëve se me të nuk bëhet shaka, se ai nuk është ai çuni i urtë me emrin Nano që sa ti bërtasë mësuesi, i flak tej topat e borës që ka në dorë për të luajtur. Pra, z.Berisha me këtë propozim për gjuhën kinezçe kërkon të trembë perëndimin duke i thënë se ai, së bashku me serbët, grekët e disa nga vendet e tjera të rajonit, mund të kthehen prapë nga lindja, nëse atë nuk e lenë të bëhet sulltan, më së paku të qeverisë edhe 4 vjet të tjera më 2013-’17, me çdo lloj mënyre të mundshme. Dikush mund të pyesë se përse Berisha nuk zgjodhi Moskën dhe rusishten si një mesazh më të egër tradicional ndaj perëndimit, por zgjodhi Pekinin? Kjo do të ishte e vështirë për të ndaj opinionit të brendshëm pasi në Kosovë e Shqipëri, sidomos në pjesën më të madhe myslimano -katolike të Shqipërisë politike, kjo do të quhej një çmenduri, pasi dihet se Shën Petërburgu ka mbajtur një qëndrim konstant dy shekullor antishqiptar, sidomos mbas luftërave napoleoniane dhe sundimit të ishujve jonianë si edhe atyre ruso-turke, me shpresën për të nxjerrë Serbinë në Adriatik në kurriz të territoreve shqiptare. Ndërsa me Kinën budiste-taoiste shqiptarët s’kanë komplekse nacionaliste a religjioze dhe Kina po shihet së fundmi si një superfuqi ekonomike që madje po mban më këmbë perëndimin, duke hyrë fuqimisht në tregun e letrave me vlerë të perëndimit dhe duke imputuar kapital financiar në ekonomitë e tyre buzë zhuritura deflacioniste.
Në fakt, mesazhi i parë i z.Berisha që kishte lidhje me kërcënimin e afrimit zyrtar me Kinën, erdhi kur ai kreu një vizitë të stërzgjatur disa ditore në Kinë para zgjedhjeve të 2009-ës dhe televizioni i tij ‘privat’ i TVSH-së jepte pamje se si ai ngjiste me hov djaloshar, si dikur bjeshkët e vendlindjes, shkallët më të larta të Murit Kinez. Me këtë mesazh tipik maocedunist (Mao Ce Duni kaloi në vitet 1970 lumin Jance me not kur ai përflitej se kishte pamundësi fizike në drejtimin e shtetit të madh aziatik për shkak të viteve që mbante mbi shpinë) ai u tha atëbotë shqiptarëve dhe shemrës së tij rozë të kryebashkisë se nuk duhet ti shkonte ndërmend ti zinte kolltukun këtij atleti me shtat malësori. Dashuria e tij enveriste për kinezët qysh nga koha kur konspektonte si sekretar byroje i PPSH-së në spitalin civil librin “Shënime për Kinën”, gjeti momentin të lulëzonte kur ai nuk shkulej nga Pekini pa takuar sa më shumë personalitete, të cilëve ju rikujtonte romancat politike gati 20 vjeçare midis Enverit dhe Maos, midis Mehmetit dhe Çu En Lait apo dhe dy zyrtarëve të shpallur armiq nga të dy krahët, Beqirit me Lin Biaon. Madje thuhet se kryeministri ynë kishte marrë edhe masat duke mbajtur disa shami dore rezerve për t’ua dhënë mikpritësve të lartë kinezë, të cilët ishin përlotur befasisht kur ai ju kishte kujtuar me krenari se flamuri shqiptar me shkabë kuq e zi kishte qenë flamuri ‘kinez’ me të cilin udhëtonin për disa vjet vaporët e tyre në ujërat ndërkombëtare dhe se Shqipëria bëri çmos për kauzën kineze në OKB rrotull viteve ’70. Qysh atëherë Berisha e kishte mbajtur Kinën si një gur në hobe jo vetëm kundër Ramës për mandatin e tij të dytë, por edhe kundër perëndimit, nëse ata do të bënin kundër tij të njëjtin veprim që bënë me Nanon kundër qeverisjes së tij, për një mandat të tretë.
Z.Berisha mund ti thuhet çdo gjë, por atij nuk i shkon për shtat fjala injorant. Përkundrazi, ai është një njohës relativisht i mirë në raport me aparencën e ngjarjeve decizive aktuale që po ndodhin sot në botë. Themi relativisht pasi ai zor se i di se ç’janë në thelb 7 hordhitë hebreo-mongole nga Uri-Ulan Batori mbi gjithë qytetërimin e bardhë pellazgjian, pandërprerë, për rreth 5,500 vjet rresht (nga vitet 4,000 para Krishtit kur u sulmuan pellazgët e bardhë të martirizuar të Kinës dhe të ishujve egjeanë të Japonisë së sotme e deri në hordhitë e Xhengis Khanit dhe Timurlengut), sulme të cilat kanë konstruktuar me konspiracion realitetet e sotme drejtuese globale. Por gjithsesi, duke mos e vështirësuar puzzlen historik, me këtë presion të qasjes së Shqipërisë ndaj Kinës, ashtu si më 1996 kur me deputetët e vet z.Berisha sulmonte SHBA-të, ai duket se po tenton rishtas të hyjë në një korsi të gabuar nga etja e pashtershme për pushtet dhe kësisoj stacionet ku ai planifikon të qëndrojë apo edhe mënyra se si do e ngasë makinën nuk kanë aspak rëndësi për pasagjerët, të cilët janë nisur për në tjetër drejtim. Z.Berisha e bën këtë propozim sa të papritur aq edhe utopik, pikërisht në prag të një konflikti të madh midis lindjes, të lidhur në një aleancë islamiko-krishteroortodokse-budisto-taoiste, dhe perëndimit kristianoperëndimor-çifut, i cili ka si aleatë të vet në lindjen e largët Indinë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe më në jug Australinë. Këto dy blloqe duket se kanë arritur muajt e fundit në një konflikt të tendosur për shkakun se kush do ti shfrytëzojë burimet energjetike të ngelura pa u shfrytëzuar në Lindjen e Mesme. Ky konflikt duket si një konflikt brenda vetë Elitës, ashtu si konflikti midis Tamerlan fitimtarit dhe Sulltan Bajazitit Rrufé në fillim të shekullit të XV. Parë nën këtë pamje, edhe vizita e fundit të Zv.Presidentit kinez në Washington, përveç shkaqeve të tjera kryesisht ekonomiko-financiare, ka lidhje me një kërkesë gjeostrategjike të perëndimit me synimin që Kina të rijë larg ngjarjeve aktuale në rajonin e Lindjes së Mesme (sidomos në lidhje me ngjarjet në Siri, në projektet për të ndarë Egjiptin si fuqi e madhe konvencionale rajonale myslimane dhe Pakistanin si anëtar i klubit bërthamor dhe pastaj edhe në goditjen ndaj Iranit) dhe të jetë më së paku abstenuese në Këshillin e Sigurimit për vendimet që do të ndërmerren aty në lidhje me këtë rajon të nxehtë. Nga ana tjetër, Berisha e ndien se Greqia ka gjithashtu një tension dhe zhgënjim të hidhur prej një viti në marrëdhëniet e saj me perëndimin për shkak të borxheve të mëdha financiare që ajo ka në bankat e perëndimit judeo-kristian. Po kështu, ai e llogarit që edhe Serbia, pas luftës së saj me NATO-n më 1999 për çlirimin e Kosovës nga thundra serbe, mezi çpret rastin për t’iu skërmitur armiqve të saj euroatlantikas. Z.Berisha e kupton se në ngjarjet e pritshme në Lindjen e Mesme, edhe Turqia sunite ka mundësi të destabilizohet nga revoltat antiperëndimore. Në këtë kontekst, duke qenë se Shqipëria është një avanpost i ri i sigurt i perëndimit në Ballkan, Berisha i kërcënon këta të fundit me utopinë qesharake të mesazhit të gjuhës mandarine si gjuhë e dytë në shkollat tona publike, duke ju thënë me nënkuptim se “nëse s’më mbështesni paraprakisht për rezultatin që do të dalë nga KQZ vitin tjetër, atëherë unë ju destabilizoj dhe afrohem me Kinën”. Madje këtë dashuri shqiptaro-kineze do e frymëzonte edhe Moska, e cila mund të jetë edhe regjisore e këtij skenari jo me pak interes. Pra Berisha me ‘kinezçen’ e tij qesharake i thotë perëndimit: “zgjidhni midis destabilizimit të mundshëm gjeostrategjik nga përpjekjet tuaja për demokraci”, nga njëra anë – “dhe stabilitetit pa demokraci, me mua në krye”, nga ana tjetër, si sundues i sulltanatit të Albanistanit. Fakti që propozimin e z.Berisha e perceptojmë si mesazh kërcënues fatal gjeostrategjik të Shqipërisë ndaj perëndimit buron nga ideja se vetë z.Berisha e di më mirë nga ne që edhe teknikisht mësimi i kinezçes është gati i pamundur, për shumë shkaqe objektive dhe jo se në vetvete mësimi i saj do të ishte diçka e keqe; gjuha zyrtare mandarine është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së. Po kështu, marrëdhëniet korrekte me Kinën, madje edhe me Rusinë dhe Serbinë, nuk do të ishin diçka e keqe, përkundrazi. Por pas vitit 1999 shqiptarët e kanë shkruar me vendosmëri historinë e tyre prioritare të orientimit në marrëdhëniet e jashtme dhe çdo përdorim antiperëndimor i mesazheve të tilla për të siguruar sundimin e sulltanatit nga z.Berisha, do të ishte një aventurë e pashpresë dhe e dëmshme për të gjithë shqiptarët. Më së paku ai do të ngjasonte me sundimtarët fatkeq të Lindjes së Mesme, përmendja e emrave të të cilëve shkakton trishtim dhe pesimizëm kur i dëgjon. Z.Berisha do të ishte më komod personalisht nëse ai do të ishte pak më i vetkufizuar në dëshirat e tij të pacak për pushtet dhe kësisoj të kujtohej te shqiptarët me respektin e duhur si një lider me një spektër të gjerë ngjyrash në menaxhimin e tranzicionit në këtë kapërcyell sistemesh dhe sidomos para bashkimit kombëtar të shqiptarëve, me dobësitë e të mirat e qeverisjes së tij të derisotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›