E Shtunë, 31 Tetor 2026

Funerali i Whitney Houston, divës i jepet sot lamtumira e fundit

NEW YORK - Ceremonia mortore e divës së muzikës Whitney Houston do të transmetohet drejtpërdrejt në disa televizione dhe në internet. Ceremonia pritet të zhvillohet të sot në kishën e Newark, në lindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mësohet se jashtë kishës do të vendosen ekrane të mëdha, ku fansat e këngëtares do të mund të ndjekin drejtpërdrejt ceremoninë mortore.

Lajmi u bë i ditur nga pronarja e agjencisë se funeraleve, Carolyn Whigham, të cilës i është besuar organizimi i kësaj ceremonie të veçantë.

Whitney Houston u gjet e pajetë mbrëmjen e 12 shkurtit, në hotelin Hilton, në Los Angeles. Mbetet ende i paqartë shkaku i vdekjes së këngëtares, ndërsa sipas raportit të policisë nuk janë gjetur shenja krimi në vendngjarje.

Whitney Houston prej kohësh vuante nga problemet e varësisë nga droga dhe alkooli.

NJË PLEJADË YJESH NË CEREMONINË MORTORE TË WHITNEY HOUSTON
Një plejadë yjesh si Aretha Franklin, Stevie Wonder, Elton John dhe Kevin Costner priten sot të marrin pjesë në ceremoninë mortore të Whitney Houston në Newark, në kishën e vogël ku ajo ka kënduar në fëmijëri.
Ceremonia është parashikuar në orën 17:00 GMT dhe po bëhen përgatitjet e fundit në këtë qytet ku lindi pop-stari 48 vjet më parë.
Familja ka kërkuar që ceremonia të jetë plotësisht private, e limituar me miqtë dhe familjen dhe askush tjetër nuk do të lejohet të hyjë në kishën New Hope, pa ftesë.
Këngëtarja e famshme e soulit, Aretha Franklin, drejtuesja shpirtërore e Whitney Houston do të jetë e pranishme, ashtu si dhe Stevie Wonder dhe aktori Kevin Costner, konfirmoi agjenti i këngëtares, e cila vdiq më 11 shkurt në Beverly Hills.
Elton John, Beyonce dhe bashkëshorti i saj Jay-Z do të marrin pjesë gjithashtu në funeralin e Whitney Houston, sipas shtypit amerikan.
Kevin Costner, me të cilin Whitney Houston triumfoi në vitin 1992 në kinema me filmin "Bodyguard", do t'i bëjë homazhe gjatë ceremonisë, në të cilën do të marrin pjesë këngëtarët, Alicia Keys dhe Dionne Warwick, të afërm të Whitney Houston.
Mbretëresha e "talk-shows" të televizionit amerikan, Oprah Winfrey do të jetë gjithashtu e ftuar.
Prifti zyrtar do të jetë një miku i saj, Marvin Winans. Ky këngëtar në Kishë martoi pop starin dhe këngëtarin e ritmeve bluz Bobby Brown në vitin 1992. Çifti, që ka një vajzë 18 vjeçe, Bobbi Christina, u divorcua në vitin 2007. Bobby Brown, i cili ka marrëdhënie të tendosura me familjen e ish-bashkëshortes, është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë mortore që do të zhvillohet në Newark.
Media të shumta janë vendosur në vend.
Shefi i policisë lokale, Samuel DeMaio theksoi se rrugët rreth kishës do të jenë të bllokuara dhe u kërkoi fansave të Whitney Houston, lindur në Newark, të shikojnë ceremoninë në shtëpitë e tyre.
E ashtuquajtura "Zëri", Whitney Houston dominoi skenën muzikore amerikane të popit dhe të soulit në vitet 1980 dhe 1990 duke fituar gjashtë çmime Grammys.
E njohur për varësinë e saj ndaj alkolit dhe drogës, pop-stari u gjend e vdekur në vaskën e dhomës së saj të hotelit në Beverly Hills, për shkaqe ende të paqarta.
Mes të ftuarve do të jetë edhe drejtori i shkollës së saj fillore, Henry Hamilton.
"Ajo nuk do të kishte dashur që ky të ishte një moment i trishtë. Pres që të ketë më shumë muzikë'', theksoi ai.
Pas ceremonisë, Whitney Houston do të varroset rreth 20 kilometra larg Kishës, në varrezën Fairview në Westfield, ku prehet dhe babai i John, i cili vdiq në vitin 2003, njoftoi stacioni televiziv ABC, duke cituar një burim policor.
Flamujt do të jenë në gjysmë shtizë në të gjithë shtetin e Nju Xhersit. Ky vendim i guvernatorit, Chris Christie ngjalli kritika të ashpra në rrjetin social Twitter, për shkak të së shkuarës të trazuar të pop-star.
Guvernatori mbrojti vendimin e tij duke theksuar se kontributi artistik i Whitney Houston meriton të vlerësohet.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›