E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po ju rrihet?

Komisionit për Reformën Zgjedhore i skadon mandati këtë të diel, përderisa ende nuk i ka kryer detyrat kryesore. Partitë nuk po gjejnë kompromis për listat dhe zonat zgjedhore. Kjo situatë ka shtyrë Shefin e Zyrës së BE’së në Prishtinë, Samuel Zbogar, që të ndërhyjë. Vonesat në reformën elektorale e bëjnë edhe më të paqartë kohën e mbajtjes së zgjedhjeve në vend.

Afati i përcaktuar për përfundimin e reformës zgjedhore pritet të skadojë pa rezultatet e parashikuara.

Marrëveshja politike e arritur në prill të vitit të kaluar mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së dhe rezoluta e Kuvendit ka paraparë që deri më 22 prill të këtij viti të përfundojë reforma zgjedhore.

Por, partitë politike ende nuk janë marrë vesh se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova, se si dhe me çfarë listash zgjedhore do të votohet – të hapura apo të mbyllura.

Pas këtyre vonesave, Zyra e BE’së në Kosovë ka lëshuar një reagim dhe ka kërkuar që t`i zgjatet mandati Komisionit Zgjedhor për një kohë të kufizuar, në mënyrë që të kryhet reforma.

Pavarësisht mosreagimit të vendorëve, për reformën zgjedhore shqetësimin e ka shprehur Zyra e BE’së në Kosovë.

BE ka konstatuar se deri më tash nuk ka pasur kurrfarë përparimi substancial.

“Duke pasur parasysh mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Europian për procesin e reformës zgjedhore në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Prishtinë, shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial deri më sot, veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012″, thuhet në deklaratën e BE’së.

Reforma gjithëpërfshirëse për zgjedhjet është përmendur edhe në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE’së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2011, në të cilët është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.

Kërkesa e BE’së për të vazhduar mandati i Komisionit është mirëpritur nga përgjegjësit për reformën zgjedhore.

Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK’së, Imri Ahmeti ka thënë se duhet që sa më shpejt të arrihet marrëveshja për zonat dhe listat zgjedhore.

“Nuk ka asgjë të keqe që kërkesa e BE’së për vazhdimin e mandatit të komisionit, pasi ne kemi përafruar punën. Por, ka mbetur pa u përmbyllur, janë dy çështje që ne si Komision nuk jemi pajtuar që janë zonat zgjedhore dhe listat zgjedhore”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ai ka thënë se AAK ka propozuar numrin më të madh të zonave zgjedhore, derisa Vetëvendosje vetëm një. LDK dhe PDK ende nuk kanë dalë me qëndrimet e tyre.

“Ka pasur propozime të ndryshme prej një zone deri në njëqind zona zgjedhore”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, Ahmeti thotë se ende ka kohë për marrëveshje mes partive politike.

“Është pritur që të ketë një kompromis mes partive politike. Domosdoshmërisht kjo do të ndodhë dhe ka mundësi që të ndodhë këtyre ditëve. Është obliguese të përmbyllet reforma”, ka shtuar ai.

Por, ndryshe mendon anëtarja e Komisionit për reformën zgjedhore nga Vetëvendosje.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se Komisioni ka dështuar në misionin që e ka pasur.

”Ky proces ka degraduar në masë të madhe. Puna dhe qasja e Komisionit dhe grupit punues deri më tani ka qenë në shpërputhje të plotë me seriozitetin e kërkuar për adresimin e problemeve që kemi me dhunimin e vazhdueshëm të votës së qytetarëve. Pra, deri më tani Komisioni ka dështuar në trajtimin që meriton procesi i ndryshimit të Ligjit të zgjedhjeve. Ka munguar transparenca, serioziteti dhe profesionalizmi”, ka thënë Haxhiu përmes postës elektronike, të cilën e ka përcjellë Zëdhënësi Erzen Vraniqi.

Ndryshe, kërkesa për reformë zgjedhore është adresuar nga zyrtarët europianë, të cilët kanë kërkuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Në prill të vitit të kaluar, shumica e partive politike ishin marrë vesh për nisjen e një reforme zgjedhore, e cila është paraparë të përfundojë këtë të diel.

Edhe Komisioneri europian, Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në maj të vitit 2012 i pati nxitur aktorët që të arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Me gjithë marrëveshjen për zgjedhje parlamentare për vitin e ardhshëm, Kryeministri Thaçi ka përmendur fundin e vitit 2014, kur partitë do të ballafaqohen në fushatë për të marrë pushtetin.

“Ballafaqimi me opozitën do të ndodhë në fund të vitit 2014”, ka thënë Thaçi në Kuvend, të mërkurën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›