KFOR-i dhe EULEX-i nuk merren me zgjedhjet serbe
“Misioni ynë nuk merret me çështjen e zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljevic, duke komentuar deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se Policia e Kosovës, e ndihmuar nga EULEX-i dhe KFOR-i, do të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Republikës së Kosovës, raporton Telegrafi.
Gudeljevic nuk ka dashur të spekulojë se cili do të jetë reagimi i EULEX-it në rast se Policia e Kosovës do të përdorte dhunë ndaj serbëve që do të votonin më 6 maj.
Lidhur me këtë çështje, edhe zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowicki, ka thënë për ‘Danas’ se mandati i trupave paqeruajtëse është që të sigurojnë ambient të qetë dhe të sigurt. “KFOR-i po e monitoron në tërësi vijën administrative kufitare - kjo është e saktë, por KFOR-i nuk është i mandatar të zbatojë çfarëdo procedurash apo punësh policore e doganore. Roli ynë është të përqendrohemi në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në tërë Kosovën”.