E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen për takime

Deputetët e pozitës dhe opozitës janë përplasur përsëri rreth pjesëmarrjes në një konferencë ndërkombëtare në Vjenë. Kryeministri Thaçi ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes dhe të AAK’së aty janë takuar me zyrtarë të Serbisë. Por, opozita tha se aty kanë marrë pjesë edhe deputetë të koalicionit, derisa akuzuan Thaçin se në këtë mënyrë po tenton ta përgatitë terrenin për një takim me Boris Tadic.

Një konferencë ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga partitë e koalicionit dhe ato të opozitës, është bërë mollë sherri edhe gjatë debatit në seancën e së enjtes.

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar përsëri nga Vetëvendosje dhe AAK të bëjnë publike takimet me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

“Kur akuzoni për takime me zyrtarë të Serbisë, bëhuni edhe vetë të përgjegjshëm edhe kur zyrtarët e juaj takohen me ministra të Qeverisë së Serbisë boni publike, le ta dinë edhe elektorati juaj që edhe ju po takoheni të VV edhe Ardiani…”, ka thënë Thaçi.

Më pas ka reaguar Ardian Gjini, i cili ka thënë se në takimin që po i referohet kryeministri ka qenë edhe deputeti Berat Buzhala.

“Mendoj se ajo që duhet thënë është se duhet me u taku edhe me u kërku takime… Por nuk ishim taku tinëz dhe po më duket se Berati mirë e ka kryer punën e ka informu kryeministrin. Ai ka qenë me mu.. Po flet për një konferencë edhe po akuzon e po them bukur Berat… E kisha nxit edhe kryeministrin me marr pjesë vetë e mos me i dërgu veç këshilltarët. E keqja është me u taku tinëz, me u taku me përfaqësues të bizneseve, me bo biznes tinëz”, ka reaguar Ardian Gjini i AAK’së.

Ndaj deklaratave të Gjinit ka reaguar deputeti i PDK’së, Berat Buzhala, i cili ka konfirmuar se ka marrë pjesë në konferencën e ndërkombëtare, ku kanë qenë edhe zyrtarët serbë, por ka theksuar se nuk ka shkuar të darkojë me ministrat e Boris Tadicit ashtu “siç kanë bërë Shpend Ahmeti dhe Ardian Gjini”.

“Ndoshta kanë raportu 40 veta për këtë punë. Në darkën ku keni qenë ti dhe Shpendi unë s’kam qenë e ju keni qenë në darkë që s’di çka keni fol aty..”, ka reaguar Buzhala në fjalën e Ardian Gjinit të AAK’së.

Ndryshe, Kryeministri ka thënë se nuk është kundër takimeve zyrtare, derisa ka theksuar se askush nuk duhet të quhet tradhtar pse është takuar me dikë.

“Takimet që ndodhin në takime ndërkombëtare, për mua çdo komunikim dhe pretendim për të gjetur zgjidhje janë të mirëpritura. Por, së paku le të jenë të hapura dhe transparente…”, ka shtuar Thaçi.

Në fjalën e tij, Thaçi ka thënë se edhe zyrtarë të LDK’së janë takuar me përfaqësues të strukturave paralele. E kur është pyetur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, se cili zyrtar ka pasur takime të tilla, Thaçi ka thënë se një përgjigje të tillë duhet ta japë kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.

Ndaj deklaratave të Thaçit ka reaguar edhe Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se nuk është i sigurt se cilit takim i është referuar Thaçi, por, sipas tij, nëse po flet për konferencën e mbajtur në Vjenë, aty ka përfaqësuar Vetëvendosjen dhe se ka qenë bashkë me anëtarët e të gjitha partive parlamentare të Kosovës.

Për Ahmetin, barazimi i takimeve të Vetëvendosjes në konferenca me takimet e fshehta që bën Thaçi me Tadic janë absurde dhe qëllimkeqe.

“Po përgatitet koncesioni i radhës për veriun dhe unë mendoj që kjo më shumë sot ka që të përgatitet populli për një takim të mundshëm të Thaçit me Tadic, dhe nëse relativizohen krejt çështjet dhe thotë që edhe Vetëvendosja është takuar, nuk është punë e madhe, disi po na duket si përgatitje për këtë takim”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›