E Diel, 1 Nëntor 2026

A u godit fati europian i Shqipërisë?

16-06-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Pse duhet pasur droje të shfaqësh mendimin e të thuash: JO!
Por u shfaqen disa mënyra për ta goditur atë. E para fare ishte lindja e mendimit për të dëmtuar  me qëllimin për pushtet. I dyti në radhë  pasoi dëmtues veprimi për të marrë pushtin. I treti vjen kumti, për t’i vënë kundërshtarit emrin e dëmtuesit, që bëhet  me thirrje të drejtpërdrejtë ose përcillet  përmes pohimit.
Pas zgjedhjes së presidentit, kryetari i socialistëve Edi Rama, tha një përzjerie të vërtetash e dëshire për t’u besuar: “Presidenti i ri u zgjodh në rrugë kushtetuese, nuk ndodhi një atentat ndaj kushtetutës dhe as një grusht shteti. Çka ndodhi, është se u godit egër fati europian i Shqipërisë”. Duke pranuar tri gjëra jashtëzakonisht të mëdha e të pakundërshtueshme që janë, zgjedhja e presidentit sipas  kushtetutës, zgjedhja e presidentit pa një atentat ndaj kushtetutës, zgjedhja e presidentit pa  një gusht shteti, kreu i opozitës donte pjesën e vet, kur  dëshirën për pasoja, e theksoi me fjalët se, “u godit egër fati europian i Shqipërisë”.
Natyrisht, Bashkimi Europain di çfarë bën, duke gjykuar hapat integrues që kryen secili vend, përfshirë Shqipërinë. Gjithashtu, qeveria njeh  përgjegjësitë  e përmbushjes së  kushteve për  marrjen e statusit në mënyrë meritore. Edhe opozita e majtë, përpiqet të bëjë, siç u soll për heqjen e vizave, siç veproi  para pranimit në NATO, siç bojkotoi  e bllokoi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, siç edhe  kreu një manovër politike, padyshim të suksesshme në zhvillimin e saj, por të papërfunduar:  u shfaq për konsensus (miradi) me thirrje dhe pjesëmarrje në takime dhe mospranim të asnjë emri, as nga të pozitës as të vetëshpallurin kandidat, ish-kryetari i socialistëve Nano, dhe asnjë emër tjetër nga të vetët. Strategjitë e të dy palëve ishin kryekëput  të kundërta: pozita bisedonte për ta bërë vendin me president, opozita bisedonte për të djegur  raundet.  Taktika e ndjekur e zbuloi këtë strategji të opozitës: zgjedhjet e parakohshme do të ishin caku i synuar, votim me 70+1 të detyrohej për të mos lejuar  një zgjedhje të paktën me 84 vota. Por, dhe vetëm me votat e koalicionit, opozita nuk mundi të dëmtonte kushtetueshmërinë e procesit. Atëherë konsensusin (miradinë) e paarritur, për të cilin Bashkimi Europian u ishte drejtuar të dy palëve, opozita ia thekson Bashkimit Europian që, në gjykimin e dhënies të statusit të vendit kandidat, zgjedhjen me 70+1 votë ta llogaritin si kusht të paplotësuar në marrjen e satusit të vendit kandidat të Shqipërisë.
Por, zgjedhja e presidentit me një proces bisedimesh në nivelin  më të lartë, të hapur, transparent e kushtetues, nuk përbën një goditje të fatit europian të Shqipërisë. BE i ka theksuar të dyja - respektimin e kushtetutës dhe me konsensus (miradi). Kërkesa e dytë nuk mori  rëndësi  të veçantë nga që e theksoi Brukseli, pasi janë të shumtë, edhe ligjet, që kërkojnë votim më një shumicë parlamentare. Bashkim Europian ia theksoi këtë Shqipërisë, edhe si një rast të mirëseardhur, që klasa politike ta përdoret për të zbutur përplasjen e madh qysh nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe mospajtimi i opozitës  me humbjen. Ky mospranim ishte për t’u tejkaluar nga opozita, sepse rezultatet e atyre zgjedhjeve u njohën edhe ndërkombëtarisht dhe koalicioni fitues vijon të qeverisë me rezultatin e atyre zgjedhjeve. Gjatë katër vjetëve opozita nuk pajtohet me asgjë: as me humbjen 2009-të, as me humbjen 2011-të, as me kandidatë politikë për president, as me kandidaturat për president jashtë politikës, as me kandidatin e vetëshpallur, as me dhënien e ndonjë emri prej radhëve të socialistëve, as me presidentin e ri të zgjedhur me votat e koalicionit qeverisës.
Zgjedhja e presidentit nuk përbën goditje të fatit europian të Shqipërisë edhe sepse ky nuk është kushti i 13-të i BE-së. Rekomandimet për marrjen e statusit të vendit kandidat janë 12 dhe, Shqipëria, si dhe Brukseli, e dinë që, është e majta ajo që  bllokoi përmbushjen e tyre, duke mos marrë pjesë në kuvend dhe duke mos votuar edhe pasi mori pjesë.
Mosdhënien e konsensusit, për të detyruar zgjedhje të parakohshme, e sheh edhe Brukseli  siç edhe e di që, kjo është taktikë politike, por  nuk është sjellje europiane e opozitës, për fatin europian të Shqipërisë. Pas  zgjedhjes së presidentit, ka detyra të rëndësishme që kërkojnë përgjegjësinë e menjëhershme edhe të opozitës: të përmbushen kushtet pa vonesë, për të pasur përgjigje pozitive më 12 tetor, si dhe për të  festuar 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, me një Shqipëri në paradhomën e Bashkimit Europian. Pas 28 Nëntorit 2012, vjen koha e garës politike për pushtet, më 2013. Mirëpo, lufta politike  për zgjedhjet e ardhshme, më parë se mes pozitës dhe opozitës, ka filluar si një përplasja e egër e paralajmëruar: ish-kryetari Fatos Nano ka nisur rrugëtimin për të marrë përsëri drejtimin e Partisë Socialiste.  Pikëpyetja është kjo: Rama e ka e a mund ta mbajë, ndërsa Nano se ka e a mund ta marrë? Lufta politike për pushtetin partiak është kthyer në shtëpi në mesin e vitit 2012. Lufta për pushtetin ekzekutiv do të jetë në mesin e vitit 2013.  Ndërsa Shqipërisë, nëse i plotëson të 12 kushtet - pavarësisht kush është në krye të opozitës- Bashkimi  Europian s’ka pse të mos ia jap statusin e kandidat në mënyrë të merituar. Zgjedhja e presidentit ka plotësuar kushtin madhor - atë kushtetues. Këtë e ka pohuar opozita. Nuk pati konsensusin - atë nuk e dha opozita. Këtë e panë të gjithë. Edhe Brukseli.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›