E Shtunë, 31 Tetor 2026

Soditja qytetare e gjymtimit të parkut të Liqenit Artificial

Anisa Xhitoni

U trondita kur lexova në media për prerjen e papritur të pemëve në parkun e Liqenit Artificial, i vetmi vend ku mund të shkosh për të çlodhur sytë e mendjen apo për të pastruar mushkëritë. Verën e kaluar, kur isha ende në Shqipëri, njerëz të të gjitha moshave mblidheshin aty, ku qe e pamundur të ecje për shkak të mbipopullimit. Pikërisht ky mbipopullim tregon sa i nevojshëm është parku për qytetarët e Tiranës, që të ardhur nga tërë vendi, për të qenë më afër mundësive që ofron kryeqyteti, bëjnë kompromis me zhurmën, pisllëkun, trafikun e mbipopullimin. Papritur, vjen lajmi se pemët janë prerë.

Në lajme shoh të njëjtat fytyra që protestojnë kundër dhunimit të pronës publike. 5 a 10 njerëz, në 3 milionë banorë, vrapojnë sa në një skandal në tjetrin. Thërrasin vëmendjen e mediave, çështja ndiqet për 1 a 2 ditë, e më pas gjithçka harrohet. Njësoj ndodhi një vit më parë, kur pemët e Kopshtit Botanik u prenë, për ti hapur rrugë ndërtimit të paligjshëm të Unazës së Madhe. Çështja u ngrit në media, por më pas gjithçka u harrua.

Takime të panumërta u bënë mes ambientalistëve e Ministrisë së Mjedisit, e cila bllokoi punimet e Ministrisë së Transportit për pak ditë. Më pas, një mori veprimesh të jashtëligjshme u ndërmorën nga ministritë e linjës, dhe sot, Kopshti Botanik është gjymtuar. Ata pak ambientalistë e qytetarë ishin shumë pak përballë fuqisë së organeve shtetërore të fryra me pushtet. Në atë kohë, mundohesha ta ngrija çështjen në forumet online, por pak njerëz e kuptonin rëndësinë e Kopshtit Botanik, si institucion shkencor e kërkimor. Shumë gjykonin se problemi më i madh i shkatërrimit të tij ishte mungesa e një vendi për fotot e dasmave.

Studentët e FShN-së largoheshin nga ne kur u tregonim se çpo ndodhte, të frikësuar nga dekani e rektori i Universitetit të Tiranës, që i kishin dhënë bekimin shkatërrimit të institucionit arsimor. Dua ti lidh praktikat e prerjes së pemëve në Liqenin Artificial e Kopshtin Botanik me shanset e Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE-së. Por mendoj se nuk ekziston një interes i tillë, as në qeveri e as në qytetarinë shqiptare. Të bëhesh pjesë e BE-së do të thotë të respektosh ligjet, të marrësh vendime transparente e të respektosh të drejtat e njeriut. Me sa duket, këto ndryshime nuk janë në interes të  shumicës së shqiptarëve.

Shumë mund tia hedhin fajin për këtë politikës, por ajo nuk ka faj. Faji është i qytetarëve, që me apatinë e tyre, nuk i shohin fenomenet negative në mënyrë kritike. Përkundrazi, ata mbyllin sytë, veshët e gojën dhe e çojnë vëmendjen në çështje të tjera. Nëse duam të shohim ndryshim në vend, pikërisht populli duhet të ushtrojë presion tek qeveria, që kjo e fundit të respektojë ligjet për të mirën e përbashkët. Por nëse rebelohen të njëjtët njerëz për çdo problem, ndërsa të tjerët ndjekin ngjarjet si të mos jenë pjesë e tyre, Shqipëria do të mbetet gjithmonë në vend numëro, larg Evropës, e mbi të gjitha, larg qytetarisë dhe të mirës së përbashkët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›