E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: Deklaratat për kërcënim të dëshmitarëve, të pavërteta

Nga Express më 31 gusht 2011 në ora 19:33

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj fushatës së egër të autoriteteve të Serbisë kundër kryetarit të kësaj partie Ramush Haradinaj dhe deklarimeve të ndryshme rreth rrjedhës së deritashme të procesit të rigjykimit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mërkurën Besnik Tahiri, anëtar i AAK-së, ka thënë se që nga viti 2004 e deri tani asnjë dëshmitar i ftuar nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës nuk është vrarë, duke shtuar se i vetmi dëshmitar që ka humbur jetën është Kujtim Berisha dhe se shkaktar i vdekjes së tij është një serb nga Mali i Zi.

“Asnjë dëshmitar i ftuar nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës, që prej vitit 2004, nuk është vrarë. Asnjë. I vetmi dëshmitar që ka humbur jetën është Kujtim Berisha, që ka vdekur në aksident komunikacioni në Mal të Zi, kurse shkaktari i vdekjes së tij, dihet botërisht, është serb nga Mali i Zi, Aleksander Ristoviç. Ai, i dehur e ka shkaktuar aksidentin, ndërsa tani është në burg”, ka thënë Tahiri.

Duke ripërsëritur se AAK beson në pafajësinë e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Tahiri ka thënë se që nga rigjykimi i parë i Haradinajt ka qenë një tendencë nga zëra të ndryshëm që të mundohen që këtij procesi t’ia vënë një hije të keqe, duke shtuar se Tribunali i Hagës i ka demantuar tashmë këta zëra, që ka pasur dëshmitarë të vrarë dhe të kërcënuar.

“Ne edhe në gjykimin e parë edhe në rigjykimin e pjesshëm kemi besuar në drejtësi dhe duke besuar në drejtësi kemi qenë dhe jemi të bindur që zoti Ramush Haradinaj me bashkëluftëtarë do të triumfojë, pasi që lufta e tij ka qenë e drejtë ka qenë për liri dhe ka qenë për vlerat më sublime për demokraci dhe ne jemi të bindur që ky proces do të kalojë mirë dhe zoti Haradinaj do të triumfojë. Ka qenë një tendencë edhe në të kaluarën edhe në procesin e parë edhe në vitin 2007 që të mundohet që këtij procesi ti vihet një hije e keqe, por edhe atëherë edhe tani tribunali i Hagës i ka demantuar zërat se gjoja ka pasur të vrarë dhe ka pasur dëshmitarë të kërcënuar”, ka thënë Tahiri.

Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gusht.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues. Por ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallëzim penal për gjykim të pjesshëm.

Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›