Halim Mejzini ekspozon në Galerinë e Ministrisë
Grafika me motive nga lufta e fundit në Kosovë të artistit Halim Mejzini do të ekspozohen të enjten në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë. Ekspozitën do ta hap kritiku i artit, Ilir Muharremi. Sipas tij, temat e Mejzinit ndërlidhen ngushtë me përjetimet e luftës së fundit në Kosovë .
“Vrasjet dhe eksodin, ai i shpreh përmes fytyrave të rrudhura të portreteve, të cilat duken si të shfrytëzuar maksimalisht. Ata shikojnë, dhe i ngjajnë një migrene të fortë e cila të godet në kokë. Grafikët e tij qahen me lot të nxehta dhe janë mërguar nga temat më prekëse, pothuajse kulmore”. Mejzini është i vetëdijshëm se teknologjia grafike hynë në grupin e industrive prodhuese dhe detyra themelore e saj është projektimi, përgatitja, shtypi (shumëzimi) dhe përpunimi grafik i prodhimeve të shtypura grafike.
Ndryshe, Mejzini ka triumfuar në Bienalen e Kinës, ku është paraqitur me dy punime, duke konfirmuar kështu se atë që nuk e bën politika, e bën arti. Sukses tjetër i tij është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Sofjes, ku u radhit në vendin e tretë.