E Diel, 1 Nëntor 2026

AAK: Qeveria dështoi në liberalizimin e vizave

Në një konferencë për media sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, vlerësoi se me përjashtimin e Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave më së shumti janë dëmtuar qytetarët e Kosovës, për çka fajësoi ekzekutivin e vendit. Qeveria e Kosovës ka dështuar në këtë proces dhe fatkeqësisht për qytetarët e Kosovës, dështimi i një qeverie nuk është kriter për Bashkimin Evropian që t’i fusë ata në liberalizimin e vizave shtoi Ramadani. Ai tha se duhet të konstatojmë se sikur të ishte kriter dështimi i një qeverie me politikat e saj për liberalizimin e vizave, atëherë Kosova do të udhëhiqte rajonin në futjen e Kosovës në vendet me këtë proces.

“Me qeverisjen e ardhshme të AAK-së, çështja e punës në liberalizimin e vizave do të jetë prioritet i arsyeshëm i qeverisë dhe përkushtimi do të jetë i pakontestueshëm dhe ne jemi të sigurt në bazë të analizave që kemi bërë deri më tash se brenda periudhës së parë të qeverisë së ardhshme të AAK-së qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin në mënyrë të lirë, pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, ka theksuar z. Ramadani.

Ramadani tha se AAK kërkon sqarime nga Qeveria e Kosovës në lidhje me atë se sa ka punuar për implementimin e kritereve për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave dhe kur do të arrihet marrëveshja e lehtësimit të vizave me BE-në, si dhe kur do të hyjë Kosova në Shëngenin e Bardhë.

Ndonëse janë bërë gati tre muaj që skandali i vjedhjes në dhomën e provave, policia ende nuk ka ndriçuar rrethanat dhe të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në këtë rast. Kjo, sipas sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, është dëshmi se qeveria e vendit është e interesuar që të heshtë rastin, andaj pret që në lidhje me rastin të merret EULEX-i.

“Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për zbardhjen e këtij rasti, së dyti Qeveria e Kosovës dëshiron të heshtë rastin dhe jemi dëshmitarë se ky rast më as nuk përmendet në agjendën e Qeverisë, së treti puna e të ashtuquajturës “Task Forcës” nuk ka dhënë ndonjë rezultat, sepse ka qenë e ndikuar nga drejtime të ndryshme dhe ka qenë e anshme, nuk ka qenë e paanshme, nuk ka qenë profesionale.

Policia e Kosovës vlerësojmë se ka pësuar një goditje jashtëzakonisht të rëndë, sidomos me imazhin dhe vetëbesimin e saj. Me këtë rast është treguar se në këtë Qeveri të Kosovës nuk ekziston vlera e përgjegjësisë politike, morale dhe profesionale në institucionet që udhëheqin dhe së gjashti që ka qenë kërkesë edhe e AAK-së, tashme do të duhet të shohim veprimin e EULEX-it për të marrë këtë rast”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, zyrtarët e AAK-së thanë se kjo parti ende nuk është përcaktuar për kandidatin e mundshëm në garën për kryetar komune të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ndërkohë që janë në procedurë të shqyrtimit të këtij emri, të cilin AAK do të bëjë publike më vonë. /kosovapress/rtk/start

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›