E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: në qeveri shqiptarët janë pakicë

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Ahmet Isufi, vlerëson se lidhja e koalicionit mes PDK-së dhe AKR-së është artificiale dhe e bazuar në interesa individuale dhe grupore, siç iu shpreh ai të atyre që mbi çdo interes kanë vetveten dhe jo popullin e Kosovës. “Mund të themi se kjo qeveri krijohet në baza të interesave të ngushta, një qeveri e cila e ka pakicën shqiptare, dhe po ashtu një qeveri që nuk do të përfundoj mandate. Po e themi këtë fatkeqësi, do të ndodhë kështu, ose nuk do të mund të formohet fare. Ka zëra që në PDK nuk do ta votojnë Behgjet Pacollin, por megjithatë, edhe nëse formohet, i ka ditët e numëruara, për arsye se përballet me një opozitë të fuqishme qoftë në cilësi qoftë në numra, të cilët janë shumicë tani”, ka thënë ai. Isufi theksoi se AAK-ja nuk do të votojë një President dhe qeveri dhe e cila nuk është serioze dhe nuk bazohet në interesa të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ndryshe, të shtunën pasdite Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar koalicionin me Aleancën Kosova e Re, Partia e Pavarur Liberale dhe Grupin Parlamentar 6 Plus, kurse pritet të arrihet marrëveshje për koalicion edhe me Listën “Ibrahim Rugova”. Përfaqësuesit e subjekteve politike që do të mbesin në opozitë konsiderojnë se koalicioni i arritur për të qeverisur me vendin është bërë më shumë për ambicie dhe interesa personale të kreut të PDK-së dhe AKR-së dhe jo për interesa të qytetarëve të Kosovës dhe si rrjedhojë nuk do të jenë pjesë e votimit të kandidatit për President dhe Qeverisë. Duke ritheksuar se në vend kishte një proces të dëmtuar zgjedhor, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se arritja e koalicionit PDK-AKR dhe minoritet do të jetë i dështuar, për arsye se nuk përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›