E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët, abuzime me pagesat 20 mijë lekëshe të komisioneve

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë “vjedhin” paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk kemi të bëjmë me një vjedhje klasike, nëpërmjet një afere korruptive, por me një abuzim që të zgjedhurit tanë në Kuvendin e Shqipërisë bëjnë me listat e prezencës në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare, duke rritur në këtë mënyrë dhe pagesën që përfitojnë nga frekuentimi i këtij aktiviteti legjislativ. Tashmë prej kohësh është kthyer në modë që deputetë të ndryshëm, qoftë për t’i bërë nder ndonjë kolegu, por në të shumtën e rasteve edhe për të dokumentuar arritjen e kuorumit të nevojshëm, për zhvillimin e një mbledhjeve në komisionet parlamentare, të hedhin firmat e prezencës jo vetëm në emrat e tyre, por edhe në ato të deputetëve të tjerë, të cilët nuk janë të pranishëm. Kjo, përveçse është një shkelje e Rregullores, mbart edhe një faturë jo të vogël financiare, pasi çdo prezencë paguhet afro 2 mijë lekë të reja. Një praktikë e tillë është bërë një shqetësim serioz për financat e vet Kuvendit të Shqipërisë, çka është evidentuar edhe nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, gjatë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, e zhvilluar në fillim të këtij viti. Qëndrimi i mbajtur nga Topalli në këtë mbledhje është lehtësisht i verifikueshëm, në procesverbalin e publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni në internet. Në këtë dokument evidentohet se Topalli, në mënyrë të drejtpërdrejtë, u kërkon kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, që të mos lejojnë deputetët që të hedhin firmat në listëprezenca, pa qenë të pranueshëm në mbledhje. Më poshtë po botojmë të plotë debatin e zhvilluar për këtë çështje në këtë mbledhje, ku kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësuesit e opozitës.

Procesverbal datë 10.01.2011

Jozefina Topalli: Meqë këtu janë prezent edhe kryetarët e komisioneve, do t’ju lutesha që të mos lejonit deputetët që nuk vijnë në komision, të vënë firmë në listëprezencë, qofshin këta të majtë apo të djathtë. Mos u bëni qesharakë. Nëse nuk mund të vijë në mbledhje, le të marrë mungesë. Problemin e orareve të mbledhjeve duhet ta diskutojmë. Për shkak të ndryshimeve të reja që janë bërë, ka dalë si domosdoshmëri pjesëmarrja e deputetëve në dy komisione. Kjo krijon probleme në përplasjen e orareve. Nga një informacion paraprak që kam unë, Komisioni i Ligjeve i fillon mbledhjet në orën 09:00. I Ekonomisë, po ashtu. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për këtë problem. Nëse katër komisione e fillojnë punën në 09:00, katër të tjerët le ta fillojnë në orën 11 ose 12. Kështu evitojmë problemet e firmosjes e të krijimit të kuorumit.

Namik Dokle: E keqja qëndron te vendimi i 20 majit të vitit të kaluar, për të cilin ju keni ngarkuar z. Beja dhe mua për ta ndryshuar. Ne kemi bërë një projekt, e nëse miratohet i eviton këto probleme. Nuk besoj se vjen më asnjë deputet që të humbasë fytyrën për të firmosur. Kjo është bërë për efektet financiare më tepër.

Jozefina Topalli: Ai vendim është bërë për të zgjidhur një situatë të caktuar. Por, pagesë pa marrë pjesë në komisione dhe seanca plenare nuk ka. Shikoni edhe parlamentet e tjera. Përmirësime mund të bëhen, por thelbi mbetet kjo që thashë.

Namik Dokle: Unë nuk po them që kur nuk merr pjesë të mos ketë sanksione.

Jozefina Topalli: Ai vendim nuk është bërë nga deputetët. Vendimi është mbështetur në modelet dhe standardet e funksionimit të parlamenteve të tjera. Është një vendim që ka pasur parasysh çdo element. Ky nuk është debat për këtu.

Namik Dokle: Zgjidheni si të doni. Deputetët socialistë, nuk firmosin pa qenë prezent.

Jozefina Topalli: Jo. Unë këtë kërkesë po e bëj për të dy palët.

Ardian Turku: Këtu bëhet fjalë për deputetët e mazhorancës, të cilët duhet të lëvizin në komisione. Ka pasur vërejtje të ndryshme për vendimin e mëparshëm. Ndoshta duhet zbutur pak vendimi i fundit që kemi marrë, por kurrsesi të kthehemi tek i mëparshmi. Nuk ka dallim në rastet e deputetëve që firmosin pa qenë prezent.

Jozefina Topalli: Ju lutem flisni me kryetarët e grupeve dhe me njëri-tjetrin. Nuk duhet të ketë më raste të anullimit të mbledhjeve, për shkak të mungesave të deputetëve.

Për kalendarin jemi të gjithë dakord? ( të gjithë të pranishmit shprehen dakord).

Ju faleminderit.

Mbledhja deklarohet e mbyllur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›