E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet, tre raunde për të zgjedhur Pacollin President

Partitë politike që kanë siguruar vende në Kuvend gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare janë duke u përcaktuar për pozicionimet e tyre në raport me seancën plenare, në të cilën pritet të votohet për Presidentin dhe qeverinë e re të Kosovës. Nga kampi opozitar, jozyrtarisht, është paralajmëruar edhe mundësia që në momentin e votimit për Presidentin e ri, të lëshohet salla e Kuvendit. Por grupi më i madh opozitar, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk e ka një disponim të tillë. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, thotë se LDK-ja njihet si parti që nuk i bojkoton proceset. Zgjedhja e Presidentit të Kosovës shihet si më sfiduese krahasuar me qeverinë. Disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kohë më parë, kanë shprehur haptas rezerva ndaj kandidaturës së Behxhet Pacollit. Mirëpo, mbetet të shihet nëse marrëveshja e kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, me Behxhet Pacollin dhe AKR-në i ka zbutur këto qëndrime. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se nuk duhet të ketë dilema nëse PDK-ja do të votojë apo jo si grup parlamentar unik. Zgjedhja e Presidentit besohet se mund të ndodhë vetëm në rrethin e tretë të votimit, kur nuk kërkohen dy të tretat e votave, por shumica prej 61 votave të deputetëve. Bazuar në përvojën nga ish-presidenti Famir Sejdiu, i cili, për shkak të mbajtjes së dy posteve u detyrua të japë dorëheqje nga posti i Presidentit, ngaqë Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar atë veprim si shkelje kushtetuese, Pacolli pritet të mos e bëjë një gabim të ngjashëm. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se çështja është vetëm nëse Pacolli do të japë dorëheqje nga kryetari i AKR-së para apo pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›