E Shtunë, 31 Tetor 2026

AANO, 63 vjet bashkëjetesë shqiptaro-amerikane



USTER - Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO), me një aktivitet 63 vjeçar që synon ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe, afrimin e të rinjve dhe bashkëpunimi me brezat e emigrantëve shqiptarë në SHBA ka zhvilluar konventën e saj vjetore në Uster, Masaçusets. Si çdo vit, tërheqës për punimet e Konventës bëhet një nga shtetet e SHBA-së, ku dhe emigrantët shqiptarë kanë një përqendrim të madh në numër pa harruar edhe rastin kur kjo organizatë zgjedh Shqipërinë me qytetet e saj si Tirana, Kruja, Gjirokastra, Korça etj... siç ka ndodhur në vitin 2006.
Kësaj here, vendi i takimit ishte Usteri, qyteti më një përqendrim të madh emigrantësh shqiptarë, qytet në të cilin për tre ditë me radhë, fundjavën e kaluar, AANO zhvilloi punimet e konventës së 63-të, ku parësore ishte dhënia e 6 bursave studimi për gjashtë studentë të rinj me origjinë shqiptare. Ndryshe nga herët e tjera, organizatorët e degës së Usterit kishin zgjedhur një çelje disi të veçantë për mbajtjen e konventës.
Tërheqja e vëmendjes për zhvillimet e veprimtarisë u përcoll si festë e etnisë shqiptare që ngriti flamurin kombëtar shqiptar, krahas atij të SHBA-së, në sheshin e ndërtesës së bashkisë së qytetit , ndërsa grupi i valltarëve “Fryma e Re”, me kostume popullore, interpretoi muzikë shqiptare.
Sipas programit, Konventa e AANO-s u përshëndet nga Kryetarja e Bashkisë së qytetit Usterit zj. Konstantina B. Lukes, me origjinë shqiptare, z.Hary Merty kryetar i përgjithshëm dhe zj. Zana Aliko.
Vend të posaçëm gjatë ditve të zhvillimit të Konventës zunë dhe ekspozimet, shfaqjet video si dhe mbrëmjet vlerësuese dhe çmimet vjetore të mirënjohjes ndaj disa veprimtarëve për punën e çmuar të tyre në bashkësinë shqiptare. Me tyre u vlerësua Lea Bitta- Çikago, mbi përpjekjet e hapjes së shkollës shqipe dhe ndihmën që ajo po jep për t’i bashkuar të gjitha shkollat shqipe në SHBA si një institucion i vetëm, zj. Ruth Karchene nga Bostoni, si organizatore e takimit të 100 vjetorit të Meshës së Parë në Gjuhën Shqipe, z. Louis Pero, si njeriu që i është kushtuar bashkësisë shqiptare gjatë gjithë jetës së tij.
Nëse sigurimi i bursave studimore për të rinjtë me origjinë shqiptare duket si një nxitës mes shumë veprimtarive që AANO-ja synon të realizojë, vlen të theksohet se shpenzimet sigurohen në sajë të dhuratave bujare të bashkatdhetarëve shqiptarë, të cilët e shohin këtë qëllim si një investim të nevojshëm që i shërben forcimit të lidhjeve dhe zhvillimit më tej të bashkësisë shqiptaro-amerikane.

Ardian Murraj

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›