E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga me maune pa pronar, edhe 2 zyrtarë të akuzuar

 

Fatos Mahmutaj

Trafiku me makina pa pronar, shkon në gjyq dosja e falsifikatorëve. Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të pronarit fiktiv të mjetit, Ilir Mira, blerësit Artur Lami, noterit Mehmet Isai, si dhe punonjëses së Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilët akuzohen për "falsifikim dokumentesh" dhe "shpërdorim detyre". Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur më 27 prill 2004, kur në Portin e Barit, Itali është kapur një sasi prej 32.5 kilogramësh heroinë, fshehur në një trajler me targë TR 6378 J, i cili ishte nisur nga Durrësi. Dërgimi i dokumenteve nga Italia ka vënë në lëvizje prokurorinë e kryeqytetit, e cila ka sekuestruar dokumentet e këtij mjeti, ku ka rezultuar se figuronte i regjistruar në emër të shoqërisë "Artur 2004". Nga dosja ka dalë gjithashtu se plot një muaj para se të kapej droga, mjeti i ishte shitur nga administratorit të kësaj kompanie nga Jorgo Ligori. Në fakt emri i saktë i Ligorit është Ilir Mira, të cilin ky e kishte ndërruar vetëm gjatë viteve 1998 - 2001, kur ka rimarrë sërish gjenealitetet reale të tij. Por, për shitjen e makinës është përdorur një dokument i vjetër i tij, sipas kërkesës së Artur Lamit. Po kështu sipas porosisë së Lamit, i paraqitur si A. Loka, Jorgo Ligori, (Mira), i ka shitur këtij në mënyrë fiktive edhe një mjet tip "Iveco", me targë TR 5696 J. Tetë ditë para trafikimit të narkotikut është bërë një manovër tjetër, pasi Lami është bërë pronar i mjetit "Iveco", pasi e ka blerë nga Loka, ndërkohë që Loka nuk e ka pasur idenë se çfarë po ndodhte, pasi i kishin falsifikuar certifikatën në gjendje civile. Për më tepër edhe blerësi Artur Lami gjatë kohës që ishte nënshkruar kontrata e shitjes së mjetit ka rezultuar i burgosur në Itali. Kontrata ishte nënshkruar te noteri Mehmet Isai, shkak ky për të ngritur akuzën "shpërdorim detyre" ndaj tij. Noteri, sipas Prokurorisë, ka konsumuar elementë të veprës penale, pasi nuk kishte mbajtur kopje dokumentesh identifikimi të palëve, nuk kishte bërë identifikimin e blerësit të mjetit, i cili më pas ka nënshkruar në emër të Artur Lamit. Nisur nga këto veprime të noterit janë pasqyruar ndryshimet fiktive në pronësinë e mjetit me targë TR 8765 I, e që për pasojë kanë sjellë edhe ndryshime të tjera deri targimi i mjetit. Sipas prokurorisë nëpunësja e DSHTRRT, Sadije Agolli ka pranuar dokumentet e paraqitura në emër të Artur Lamit, për kryerjen e ndryshimeve në regjistrin e makinës. Mes tjerash Agolli ka kryer veprime mbi një certifikatë me foto të së pandehurit Lami, por pas hetimeve ka dalë që nuk ka qenë Lami personi i paraqitur te noteri dhe më pas tek sporteli i DSHTRRT. Sipas Prokurorisë, Agolli ka bërë ndryshime fiktive në pronësinë e mjetit tip "Iveco", me targë TR 5696 J dhe më pas ndryshime fiktive të targimit të tij në TR 8765 I. Po kështu prokuroria ka verifikuar edhe personin në emër të së cilit ishin bërë të gjitha veprimet nga të pandehurit, i cili ka rezultuar se nuk ka pasur dijeni për çfarë ka ndodhur.

Të akuzuar

Ilir Mira,         "falsifikim dokumentesh"
Artur Lami,         "falsifikim dokumentesh"
Mehmet Isai,         "shpërdorim detyre"
Sadije Agolli,         "shpërdorim detyre"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›