Betejë për pronat, tre të plagosur, katër në pranga
DURRES - Konflikti për pronat çon në spital të plagosur me thikë e në gjendje të rëndë tre persona, ndërsa katër të tjerë përfundojnë në prangat e policisë. Ngjarja ndodhi tre ditë më parë në Durrës. Dje tre prej autorëve u arrestuan, ndërsa njëri prej tyre ishte prangosur në ditën e konfliktit. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi në lagjen nr. 16. Beteja ndërmjet 7 personave ishte shumë e ashpër, deri në përdorimin e thikave kundër njëri-tjetrit. Shkak i këtij konflikti, që për pak precipitoi me viktima, ishte pronësia. Tre prej personave mbetën të plagosur rëndë. Ata u dërguan menjëherë në spitalin e Durrësit, ku pas ndihmës së dhënë nga ana e bluzave të bardha kaluan rrezikun për jetën. Sipas policisë, në pranga ra babai me dy djemtë e tij, si dhe një tjetër agresor. Mësohet se të arrestuarit janë, Klodian Myftari, 25 vjeç, Bledi Çerri, 30 vjeç dhe Ymer Myftari, 60 vjeç. Ndërsa Armand Myftari është arrestuar tre ditë më parë. Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë plagosur me thikë Xhaferr Nelin, Agim Myftarin dhe Fatmir Myftarin. Të tre të arrestuarit e djeshëm ishin shpallur në kërkim për veprën penale të "Vrasjes me paramendim, mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim". o.u