E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai: Si i gjeta fëmijët në vaskë

 

GREQI/ELEFSINE
Adri Terziu, babai 39-vjeçar, i cili humbi dy ditë më parë dy fëmijët e vet, ka rrëfyer se ditën kur ndodhi tragjedia, ishte larguar që në mëngjes nga banesa.  Jo për në punë si zakonisht, por në zyrat lokale për të vulosur librin e sigurimit shëndetësor, pasi vetëm kështu mund të blinte ilaçe me rimbursim për të shoqen, që vuante nga gjendje depresive dhe që refuzonte vizitën te mjeku psikiatër. Sipas agjencisë së lajmeve NOA, e cila citon mediat greke, Terziu ka pohuar për policinë se: "Kisha shkuar tek IKA për të vulosur nga mjekët librin e shëndetit, sepse me të duhet të blija në farmaci disa ilaçe për time shoqe, pasi kam parë se ajo vuan nga probleme psikologjike". Pikërisht teksa kthehej në shtëpi me ilaçet në duar, të cilat duhet të pinte e shoqja, ka parë skenat e tmerrit. Teksa kthehej në banesën që ndodhet në rrugën "Riga Fereu" nr. 35 në Elefsinë, qytet bregdetar pranë Athinës, pak metra më tutje te kryqëzimi i rrugëve "Iera" dhe "Korinthu", sheh të shoqen Bardhën, 37-vjeçare, e cila lëvizte tutje-tëhu nëpër rrugën e makinave. Duke dashur ta lajmërojë se duhet të ketë kujdes, i thërret. Ky çast ka rezultuar dramatik sepse me t'u afruar një autoveturë, e ka përfshirë nën rrota. Në gjendje kome, 37-vjeçarja është dergjur përtokë. I shoqi tregoi se kishte vrapuar ta ndihmonte. Menjëherë ka lajmëruar policinë rrugore dhe më tej ambulancën, e cila erdhi dhe e dërgoi të plagosurën në spitalin shtetëror të Xhanios në Pire. Në ambulancë, e shoqëronte dhe i shoqi, i cili tha se pasi e shtroi në urgjencë për t'iu nënshtruar ndërhyrjes mjekësore, u largua për në shtëpi të shihte fëmijët. "Unë u afrova te porta e shtëpisë por ajo ishte e mbyllur nga brenda, ndaj vrapova nga ballkoni i fqinjës për të hyrë", ka treguar Adri Terziu për policinë dje gjatë marrjes në pyetje. "Kur hyra nëpër shtëpi thirra djalin dhe vajzën, por askush nuk po përgjigjej. Nisa të kontrolloj kudo dhe kur hyra edhe në banjë, atje pashë se që të dy gjendeshin pa lëvizur brenda në vaskë". Babai 39-vjeçar ka treguar se përjetoi çaste të dhimbshme kur pa skenën dhe kuptoi se fëmijët ishin të pajetë. "Në çaste paniku, i nxora menjëherë fëmijët nga vaska, duke shpresuar se do të ishin ende gjallë dhe i vura në shtrat", pohon babai i pikëlluar, që humbi djalin tetëvjeçar, Sotirin, dhe vajzën 10-vjeçare, Aleksandrën. "Në atë çast, ajo që më mbetej ishte të lajmëroja dhe një herë policinë", ka përfunduar babai 39-vjeçar deklarimet në polici. Po kështu nga hetimet e kryera dhe nga ekspertiza, ka dalë dhe versioni përfundimtar mbi ngjarjen. Mjeku ekspert ligjor, Hristos Levkidis, tha dje se mbytja e fëmijëve në vaskë, ka qenë shkaku që i mori atyre jetën.                                      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›