E Diel, 1 Nëntor 2026

ACIT: Shqipëria ndoshta po humbet aftësinë konkurruese

Analiza Rënia e eksporteve, një sinjal i keq për të gjithë ekonominë

Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, një OJF e specializuar në analizat e tregtisë së jashtme, deklaroi dje se rënia e eksporteve të vendit gjatë vitit 2009 tregon se Shqipëria po humbet terren në konkurrencën me vendet e tjera me eksporte të ngjashme dhe se ka nevojë të përmirësojë eficensën dhe cilësinë, me qëllim që të rikthehet te rritja e eksporteve. Në një forum të zhvilluar dje me rastin e publikimit të analizës së ACIT për tregtinë e jashtme të vitit 2009.

“Edhe pse deficiti tregtar i Shqipërisë nuk u thellua vitin që shkoi, pati një rënie të rëndësishme të eksporteve shqiptare”, tha drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Joseph C. Williams, në një tryezë mbi politikat ekonomike që u mbajt sot në Tiranë. “Kjo thekson nevojën e menjëhershme për të përmirësuar konkurrueshmërinë e produkteve në tregjet e brendshme dhe të huaja”, shtoi ai.
Tryeza, e financuar nga USAID mblodhi përfaqësues nga firma dhe organizata të biznesit, agjenci qeveritare, OJQ, media dhe agjenci ndërkombëtare, për të diskutuar gjetjet e raportit të tregtisë së jashtme 2009. Programet e USAID ndihmojnë në përforcimin e kapaciteteve të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e tyre.

Raporti jep të dhënat e fundit mbi rritjen makroekonomike dhe tregtinë për politikëbërësit dhe përfaqësuesit e bizneseve për strategjitë dhe vendimet për investimet në të ardhmen.

“Rënia e eksporteve shqiptare me 8% gjatë vitit të kaluar tregon se Shqipëria mund të jetë duke humbur terren në avantazhin konkurrues të sektorëve kryesorë eksportues (fason), si p.sh. këpucët (5% rënie). Kjo situatë kërkon një mbështetje më të vendosur për këta sektorë nga politikëbërësit, por gjithashtu një rritje të ndërgjegjësimit të bizneseve mbi nevojën për të diversifikuar tregun e tyre”, theksoi Gentian Elezi, drejtor i ACIT gjatë prezantimit të tij. Rënia e eksporteve gjatë vitit të kaluar iu atribuua gjerësisht krizës ekonomike dhe financiare të Italisë dhe vendeve të tjera që konsumojnë prodhimet e eksporteve shqiptare. Por sipas ACIT, kjo rënie duhet të shikohet jo vetëm në kontekstin e krizës, por edhe në kontekstin e aftësisë konkurruese.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i pranishëm në forumin e djeshëm, pati një mendim krejt të ndryshëm nga të pranishmit.

“Mua më duket pak e çuditshme pozita e opozitës sonë. Opozita jonë, nëse shikoni mediat, [nxjerr] katër apo pesë deputetë, në vende të ndryshme të Shqipëri, me një ushtri me bojë të zezë, duke nxirë realitetin në Shqipëri. Unë i ftoj opozitarët tanë që në vend se të vazhdojnë të lyejnë vendin me bojë të zezë, të lexojnë raportet që bëjnë institucionet prestigjioze të miratuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të parë se kush është realiteti në Shqipëri. Duhet të jemi realistë. Sigurisht që kemi shumë për të bërë, sigurisht që na mbetet jashtëzakonisht shumë për të bërë, por mbi të gjitha duhet të jemi realistë dhe nëse nuk besojmë politikën, duhet të besojmë ata që janë specialistë, që prodhojnë statistika dhe raporte të besueshme”, tha Prifti.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›