Avokatët, kallëzim penal dëshmitarit Gramoz Selmani
Një nga dëshmitarët kryesorë të akuzës në procesin ndaj bandave të Lushnjës është paditur dje penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për falsifikim dokumentesh. Gramoz Selmani tregoi disa ditë më parë se Banda e Lushnjës kishte tentuar ta vriste ndërsa kishte asistuar në dy vrasje që kishte realizuar personalisht Aldo Bare. Avokati Denion Bogdani, që mbron të pandehurit Ilir Stergu dhe Arben Boriçi, ka paraqitur dje një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Selmanit. Po ashtu, mbrojtësit shpjeguan se në rast se provohet se pasaporta e tij është e ligjshme, atëherë do të depozitonin kallëzim penal edhe për punonjësit e Policisë së Rendit për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Avokatët kanë shpjeguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda se në datën 8 prill të vitit 2010 i kishin bërë kërkesë zyrtare drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe prokurorëve të çështjes për vendimin e pushimit në ngarkim të Gramoz Selmanit.
Ndërkohë, në seancën e djeshme gjyqësore, avokatët e të akuzuarve si anëtarë të bandës i kanë kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha ballafaqimin e dëshmitares së mbrojtur nga drejtësia Mimoza Demiri me dëshmitarin Benet Gjyno. “Fjalët e tyre nuk janë të njëjta për të njëjtën situatë”, thanë avokatët, duke i kërkuar trupit gjykues futjen në fashikullin e gjykimit të një memoje për dëshmitarin Gramoz Selmani, për mënyrën e tij të pyetjes, ardhjes së tij në gjykatë. Nga ana e tij, prokurori Gentian Trenova u shpreh se nuk e dinte sesa e vlefshme është kjo provë për mbrojtjen.
#