Zvogëlohet stimuli monetar i BSH, shpresa për stabilitet te leku
Sasia e përgjithshme e kredive me interesa të ulëta që Banka e Shqipërisë ka dhënë për bankat e nivelit të dytë dhe që njihet si “stimuli monetar”, u ul në 25 miliardë lekë në muajin mars, nga 28 miliardë që pati qenë në shkurt. Lajmi bëhet i ditur nga bilanci mujor i Bankës së Shqipërisë që u publikua dje. Këto janë paratë që BSH-ja ua dha bankave të nivelit të dytë gjatë vitit 2009, si lehtësim për pasojat e krizës ekonomike dhe financiare që pushtoi botën. BSH-ja i furnizoi bankat me lekë për të mbuluar tërheqjen e depozitave nga ana e shqiptarëve. Stimuli arriti kulmin në gusht të vitit 2009 në masën 37 miliardë lekë (rreth 280 milionë euro) dhe ishte një nga burimet e zhvlerësimit të lekut dhe inflacionit në ekonominë shqiptare, për shkak se kjo shumë parash u mbulua me emision monetar shtesë. BSH-ja pati lajmëruar në nëntor të vitit të kaluar fillimin e tërheqjes së stimulit monetar nga tregu, por duket se hasi vështirësi teknike, pasi bankat refuzuan të kthejnë me vullnet të lirë kredinë e marrë me interesa shumë të ulëta. BSH-ja miratoi një rregullore të re mbi menaxhimin e likuiditetit ditor nga ana e bankave, gjë që i detyroi këto të fundit të kthejnë gradualisht stimulin e marrë gjatë krizës. Si pasojë e tërheqjes së stimulit, duket se u shmang zhvlerësimi i mëtejshëm i lekut kundrejt euros dhe erdhi stabilizimi i monedhës kombëtare rreth kuotës 139 lekë për euro. Pavarësisht uljes së stimulit, sasia e tij mbetet sërish në nivele jashtë të zakonshmes. Guvernatori Ardian Fullani u premtoi gjithsesi dje bankierëve kryesorë në vend, se institucioni i tij do të vijojë “të ofrojë likuiditetin e nevojshëm në tregun ndërbankar”.
#