Bankat po mashtrojnë klientët me interesat
Banka e Shqipërisë u bëri të qartë dje drejtorëve të bankave të nivelit të dytë se duhet të rrisin transparencën kundrejt klientëve dhe t’i informojnë ata paraprakisht për të gjitha kostot e shërbimeve që ofrojnë. Duke folur dje në një forum me drejtuesit e bankave, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u shpreh i pakënaqur për efektet që kanë dhënë deri tani disa rregullore të institucionit mbikëqyrës në lidhje me transparencën e bankave, si dhe theksoi se konkurrenca mes bankave mbetet në nivel të pakënaqshëm.
“Në Bankën e Shqipërisë jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë, përdorues të rregullt ose rastësisht të shërbimeve bankare në lidhje me kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Rezulton që në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit të kryer për sa u takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa pasur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë së këtyre detyrimeve. Në raste të tjera përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshëm dhe bindës nga ana e bankës për arsyen e lindjes së detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij”, tha Fullani.
Shumica e bankave në Shqipëri gjatë viteve të fundit kanë akumuluar një histori negative në sjelljen kundrejt klientëve, ku kushtet kontraktuale janë ndryshuar, interesat apo komisionet janë rritur dhe klientët as që janë njoftuar fare. Për më tepër, një gamë e gjerë produktesh bankare janë koklavitur nëpër llogari matematikore shpesh të pakuptueshme për klientin e zakonshëm, duke sjellë çorientim apo keqinformim të tij. Banka e Shqipërisë ka miratuar disa rregullore që i detyrojnë bankat t’ia shpjegojnë më mirë produktin dhe kostot klientëve, por deri më sot, BSH nuk ka hyrë në fazën e miratimit të rregullave kushtëzuese për llojet e produkteve bankare dhe normat kufizuese. Shumica dërrmuese e bankave qendrore nëpër botë miratojnë vazhdimisht rregullore që synojnë të ndalojnë spekulimet e bankave mbi klientët dhe në disa raste ka pasur edhe mbikëqyrje të kontratave për produktet bankare sensitive, apo miratim të kontratave tip.
Komisionet aforfeFullani njoftoi dje se institucioni i tij ka kryer edhe një analizë të detajuar mbi nivelin e komisioneve të ndryshme që aplikohen nga sektori bankar. Nga studimi ka rezultuar se bankat nuk bëjnë analizë të kostove të këtyre produkteve, por i vendosin komisionet apriori. Së paku, ekspertët e BSH-së nuk kanë gjetur ndonjë analizë të dokumentuar të kostove.
“Mungon një standard i formës, i përbërjes dhe i emërtimit të komisioneve për shërbime të njëjta në banka të ndryshme, duke e bërë realisht të vështirë krahasimin ndërbankar prej kërkuesve të shërbimeve dhe duke rritur konfuzionin e publikut. Gjithashtu, transaksionet midis klientëve të bankave të ndryshme penalizohen prej komisioneve relativisht më të larta, duke penguar në këtë mënyrë kryerjen e pagesave nëpërmjet bankave, me pasoja të padëshirueshme për ecurinë e cash-it në ekonomi”, tha Fullani.
Tregu ndërbankar me pakicë në Shqipëri është me të vërtetë pjesa më e pazhvilluar dhe e kushtueshme e sistemit. Njerëzit detyrohen të përdorin kartat e tyre bankare vetëm në automatet e bankave që i kanë emetuar, për shkak të komisioneve shtesë dhe në disa raste, të pakuptimta, që zbatohen nga bankat e tjera.
“Në lidhje me mënyrën e vendosjes së komisioneve, bankat orientohen prej institucioneve konkurruese në treg dhe nuk rezulton të ketë një politikë aktive dhe njëkohësisht vizionare të zhvillimit të shoqërive bankare, duke mbështetur rritjen e përdoruesve që lehtësisht mund të kthehen në klientë potencialë të bankave”, tha Fullani.
Pasojat e kësaj situate janë që tregu në tërësi mbetet i pazhvilluar dhe klientët humbasin besimin te bankat, të cilat në thelb janë thjeshtë institucione besimi.
#