E Diel, 1 Nëntor 2026

Seldi-Erionit: Ti i fute vajzat në krevat kur iku Bertina

Seldi e ka ngacmuar së tepërmi me fjalë Erionin deri sa ndezi debat mes tyre. Ai ka thënë se Erionit i është hapur goja vetëm pas largimit të Bertinës e madje ka shtuar se pasi u largua ajo, ai shkoi te femrat e tjera

Tensionet në marrëdhëniet mes banorëve janë rritur së tepërmi. Seldi ka qenë shkaku i debateve më të shumta që kanë ndodhur në shtëpi. Ndërsa banorët diskutojnë ende debatin e tij me Domenikën, ai përfshihet në një debat të ashpër me Tatianën, pasi nuk i linte banorët të flinin. Manal po ashtu vuan nga shprehjet e banorëve se Miri ndikon në sjelljet e saj.

Manal: Familja dhe bota e përtejme

Mungesa e familjes është një diskutim i vazhdueshëm mes banorëve. Miri e pyet Manalin nëse ka filluar ta ndiejë shumë mungesën e familjes. Ndryshe nga ajo që pret Miri, Manal tregon se nuk e ndien mungesën, duke sqaruar se kjo është eksperiencë që do të përfundojë dhe ky mendim e ndihmon të kalojë çdo ndjenjë malli. Gjithsesi ajo ka thënë se familja i mungon në tërësi. Miri e pyet nëse babai i saj që ndodhet në Jordani, e di që ajo është futur në BB. Ajo tregon se gjatë aplikimit dhe momentit të hyrjes, nuk i tregoi asgjë, pikërisht sepse ai do mundohej t’i mbushte mendjen që të mos hynte, ndërsa tani, ajo nuk e di nëse ai e ka marrë vesh këtë gjë. Manal mendon se edhe pse është 21 vjeçe, është e pjekur në maksimum. Ajo thotë se pavarësisht se ka udhëtuar, nuk ka njohur shumë njerëz, nuk ka kaluar shumë eksperienca në jetë sikurse banorët e tjerë dhe jeton në një botë të vogël dhe ajo i di këto gjëra, ndoshta edhe më mirë se ata. Ajo vazhdon mendimin e saj, duke thënë se asnjë nuk e di se cila është arsyeja e jetës së njeriut që, sipas saj, është një provë për jetën e përtejme. Kështu të dy banorët fillojnë një diskutim filozofik për jetën, duke i dhënë edhe ngjyrime fetare nga ana e Manalit. Seldi e ngacmon më tej Manalin, e cila mendon se çdo njëri prej tyre ka të këqijat e veta, ndërsa ajo ka më pak se ata. Të dy djemtë i kërkojnë sqarime, por ajo nuk jep, duke thënë se ata i dinë vetë. Djemtë i thonë se ajo duhet t’i argumentojë mendimet e veta e jo të fshihet pas justifikimit se nuk shprehet dot mirë shqip.

Banorët diskutojnë zënkat Seldi-Domi

Jetmiri, Erioni dhe Domenika dalin në kopsht për të shëtitur dhe biseduar. Ndërsa kujtojnë mamanë e Domenikës dhe të Seldit, Miri e pyet Domin se përse debatoi me Seldin gjatë natës së kaluar. Domenika tregon shkurt se është kthyer në monotoni zënka ndërmjet saj dhe Seldit për të njëjtat gjëra. Miri e pyet nëse u sqaruan, por ajo ia kthen se jo, pasi Seldi është shumë impulsiv. Ajo shton se duhen persona të tretë që ajo të sqarohet me Seldin. Miri habitet nga kjo shprehje dhe propozon që ai me Erionin ta ndihmojnë, por Domi refuzon. Në të njëjtën kohë, Seldi e diskuton këtë gjë me Klodin. Klodi shprehet se ai e teproi me reagimet gjatë debatit, duke e shtyrë edhe më tej atë. Seldi justifikohet se pasi dëgjon bashkëbiseduesin, do edhe ai të flasë dhe në këtë rast, Domenika nuk po e lejonte. Klodi e këshillon që të sqarohet edhe njëherë me Domin, por kur të jetë i qetë, pasi në momentet e nervozizmit atij i del situata nga kontrolli. Klodi e këshillon se ata nuk duhet të prishin raportin e tyre për një të tretë. Seldi thotë se i dhemb kur Domi rri me një person që e ka mohuar, ndërkohë që ajo kalon ditën me të. Për Klodin, fakti që Domi me Mirin kanë pasur debate, nuk do të thotë se nuk duhet të flasin, por sipas Seldit, çdo gjë ka masë.

Klodi dhe Domi flasin për Seldin

Klodi i tregon Domenikës për bisedën që pati me Seldin. Domenika shprehet se po lënë nam duke u zënë gjithnjë për të njëjtat arsye. Klodi, nisur nga ankesat e Seldit, e pyet nëse ajo e dëgjon ndonjëherë atë kur flet, por Domi ia kthen se mënyra se si i flet Seldi e nervozon, pasi i duken si urdhra. Sipas saj, nëse ai do fliste me qetësi dhe respekt, do arrinin të sqaroheshin. Për të, problemi kryesor qëndron te fakti që Seldi ato që ka, duhet t’i sqarojë me Mirin e jo të zihet tërë kohën me të. Klodi e pyet se si e mendon lidhjen jashtë, ndërsa ajo ia kthen me kundërpyetje, nëse ai vërtet i mendon të lidhur ata jashtë. Ajo përgjigjet vetë se kjo nuk do ndodhë, pasi “ujërat” duken që në fillim.

Djemtë luajnë futboll

Seldi u thërret banorëve që të mblidhen, sepse do u komunikojë diçka mbi provën e javës. Ai u thotë të përgatiten, pasi ndeshja e futbollit, që është pjesë e provës së javës, do të fillojë pas pak. Fillimisht ata bëjnë nxehjen, duke menduar edhe për planin gjatë lojës, pozicionet që do mbajnë dhe se cilët do bëjnë mbrojtjen, e cilët sulmin. Vajzat kanë një tjetër detyrë, ato do të bëjnë tifozllik për skuadrën e tyre dhe në duar do mbajnë disa bori. Ata zbresin në fushë ku takohen me skuadrën kundërshtare, e cila është e njëjtë me atë të lojës së të shtunës, pas spektaklit. Vajzat brohorasin për t’u dhënë zemër për fitoren.

Manal debaton me djemtë

Klodi ngacmon Manal për një çokollatë që vajza kishte. Pas tij janë edhe banorë të tjerë që ngacmojnë Manal duke i thënë se ajo e hëngri vetëm çokollatën. Fillimisht Seldi diskuton me Erionin për lojën e futbollit. Dritat e dhomës janë fikur dhe Seldi ndryshe nga të tjerët bën ecejake nëpër dhomë. Manal i thotë që të dalë jashtë për të bërë xhiro, sepse është koha për të fjetur. Erioni i thotë Manalit se shprehje dhe sjellje të tilla ia ka mësuar Jetmiri. Manal nervozohet dhe i thotë Erionit se tani po flet si Olta dhe nuk është e vërtetë, sepse Miri rri me të tjerë. Në debatin e tyre ndërhyn Klodi dhe Mandi, të cilët mbrojnë Oltën dhe i thonë vajzës që këto të mos i thotë tani që Olta ka dalë nga shtëpia. Manal mbrohet duke thënë se këto ia kishte bërë të ditura edhe Oltës. Erioni i thotë Manalit se ajo po mohon shoqërinë me Jetmirin. Manal e kundërshton duke thënë se ajo nuk e mohon shoqërinë me Mirin, por nervozohet kur banorët e tjerë thonë se Jetmiri ndikon tek ajo. Manal thotë se ajo mund të rrijë me këdo, por askush nuk mund të ndikojë në mendimet dhe sjelljen e saj.

Tatiana lag me ujë Seldin

Po afron mëngjesi dhe banorët nuk kanë fjetur akoma, për më tepër vazhdojnë të flasin me zë të lartë në dhomën e gjumit. Ai që bën më shumë rrëmujë dhe ngre më shumë zërin është Seldi. Klodi i bie bilbilit, ndërsa Seldi fishkëllen. Nga zhurma e tyre banorët nuk arrijnë të flenë dhe Kika me Domenikën shkojnë në kuzhinë dhe rrinë aty. Pas disa minutash Kika shkon të shtrihet përsëri, por Seldi vazhdon të bëjë zhurmë edhe duke kënduar këtë herë. Jona i thotë Seldit se do ta lagë me ujë, nëse ai nuk pushon. Tatiana e pyet Seldin nëse e mbaroi spektaklin, ndërsa Seldi i përgjigjet “jo” dhe vazhdon të bëjë zhurmë. Tatiana shkon në banjë dhe kthehet me një kovë me ujë. I kërkon Seldit të pushojë, por ai vazhdon me të tijën, duke menduar se ajo nuk do ta hidhte ujin për shkak të mikrofonit. Tatiana pa e zgjatur shumë, ia hedh një pjesë të ujit duke e lagur të gjithin. Seldi e sheh që në kovë ka ende ujë dhe ia merr me forcë Tatianës duke e ndjekur për ta lagur edhe atë. Banorët e tjerë i bërtasin Seldit që të mos derdhi ujë në dhomën e gjumit, por Seldi nuk i dëgjon. Edhe ai arrin ta lagë Tatianën dhe pas kësaj shkon në banjë. Situata në dhomën e gjumit qetësohet. Më pas Tatiana debaton me Mandin dhe Klodin, të cilët e fajësojnë për ujin e derdhur në dhomën e gjumit, por ajo justifikohet duke thënë se edhe ata kanë faj që mbështesin Seldin. Në momentin që Tatiana debaton me Mandin dhe Klodin, në dhomë hyn Seldi, i cili i thotë Tatianës se nuk ka për ta lënë që të flejë. Tatiana i thotë se as ajo nuk do të flejë ashtu sikurse Seldi dhe shton se ata duhet të bëjnë lojë vetëm kur do Seldi. Seldi nervozohet dhe i thotë “mbylle gojën”. Vajza, nga ana tjetër, e kundërshton. Tatiana i kërkon falje Domenikës që i lagu krevatin, ndërsa Seldi nxehet edhe më shumë me Tatianën dhe i thotë se ajo nuk ka për ta fituar BB3, nuk do të mund ta blejë shtëpinë që do në Tiranë, e madje i thotë se ajo lekët i do për t’i harxhuar në kazino. Përgjigjet e qeta të Tatianës e nervozojnë edhe më shumë Seldin, i cili i thotë më pas se ndoshta i do lekët për të larë ndonjë borxh që ka ish i dashuri i saj nga Laçi. Në këtë moment Tatiana reagon, duke i thënë të mos i përziejë njerëzit jashtë në këtë diskutim. Në debat ndërhyjnë edhe banorët e tjerë, për të qetësuar situatën.

Seldi-Erionit: Pasi iku Bertina i fute vajzat në krevat

Duke folur, Seldi i thotë Erionit se që kur ka ikur Bertina, ai po lulëzon. Erioni e kundërshton, por ai vazhdon duke thënë se Bertina ia ka bërë atij 8 me 2. Erioni i pohon se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë e tillë, edhe pse një mashkull i lidhur ndryshon. Seldi vazhdon duke thënë se nuk e ka parë të flasë ndonjëherë me Bertinën dhe se ajo ia kishte mbyllur gojën, madje e ka parë vetëm me sy të skuqur Erionin. Erioni ndërkohë është larguar, kurse Seldi shprehet se Erionit tashmë i është hapur goja. Klodi i thotë Seldit se nuk duhet ta vazhdonte këtë debat, por ndërkohë është Erioni që do të dijë pse Seldi e mendon këtë gjë. Erioni i thotë se kur është i lidhur, bën sjellje në respekt të asaj që ka në krahë, por Seldi shprehet se pasi doli Bertina, ai shkoi te femrat e tjera. Erioni shton se edhe nëse rri me femrat e tjera, s’ka asgjë të keqe, sepse të paktën nuk e ka bërë këtë kur ishte Bertina. Erioni vazhdon i qetë mëngjesin me të tjerët, ndërsa Seldi rri i nervozuar. Pas pak, duke folur sërish për debatin, Seldi shprehet se ai ngeli duke futur vajzat në krevat, që kur iku Bertina. Mandi ndërhyn duke thënë se vajzat i venë vetë, ndërsa Erioni shprehet se s’ka asgjë të keqe që ai bisedon me to, madje Seldi e ka bërë edhe vetë këtë gjë, ndoshta jo në krevat, por te shezlongët.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›