E Shtunë, 31 Tetor 2026

ACR: Shpërthimi pas hapjes së pusit të ri

Kompania koncesionare “ACR” ka reaguar sot në lidhje me shpërthimin e ndodhur në minierën e Bulqizës. Në një deklaratë për shtyp “ACR” ka sqaruar edhe ngjarjen duke theksuar se aksidenti i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9. Sipas ACR-së gjatë hapjes së këtij pusi, që është edhe një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni.

“Grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 - 50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi i gazit” thekson ACR.

Sipas ACR-së si pasojë e këtij shpërthimi punëtori i ajrimit, Naim Shyti, ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Kompania “ACR” thekson se ende nuk dihet arsyeja e shpërthimit, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun.

“ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur” thekson ACR-ja.

Ndërkohë METE ka theksuar se është dhënë urdhër për pezullimin e punës në minierë derisa të merreshin masat për riparimin e dëmeve nga greva. Sipas METE-s do të verifikohet nëse është shkelur urdhri dhe më pas do të nisin edhe procedurat për shkelësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›