ACR: Takimi me minatorët nesër në orën 11:00 në Tiranë
Kompania “ACR” ka dhënë një tjetër sinjal për tu ulur në bisedime me minatorët për të arritur një zgjidhje për situatën e krijuar në minierën e Bulqizës.
Në një deklaratë për shtyp kompania “ACR” ka theksuar se bordi drejtues ka vendosur që takimi tre palësh mes minatorëve, përfaqësuesve të kompanisë dhe bashkisë së Bulqizës të zhvillohet nesër në orën 11:00 në zyrat e kompanisë në Tiranë.
Gjithashtu ACR-ja ka propozuar që të dyja palët të përfaqësohen nga 5 anëtarë ndërsa ka konfirmuar që si negociator i kompanisë do të jetë administratori Giga Bedineishvili.
Kompania “ACR” gjithashtu ka deklaruar se mirëpret si kryenegociator kryebashkiakun e Bulqizës Roland Keta, kjo duke pasur parasysh që ai gëzon edhe besimin e minatorëve ndërsa përjashton nga takim kreun e konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla dhe Taf Kolecin.
"Përsërisim edhe njëherë që mirëpresim në përfaqësinë e minatorëve secilin nga 695 minatorët punonjësit tanë, me përjashtim të atyre personave që kanë ushtruar dhunë ndaj administratës së ACR-së dhe tashmë ndiqen penalisht sipas ligjeve në fuqi” thuhet në deklaratën e kompanisë.