E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE pezullon lejen e ACR-së për shfrytëzimin e minierës

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka vendosur sot pezullimin e lejes së ACR-së për shfytëzimin e minierës së Bulqizës.

Pezullimi ka ardhur pas kërkesës së Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierave për mbylljen e përkohshme të minierës dhe për pezullimin e lejes minerare të ACR-së deri në rehabilitimin e plotë të saj.
 

Ndërkohë RISHM ka depozituar sot një padi penale në prokurorinë e krimeve të rënda për drejtuesit e grevës së urisë me akuzën dëmtim me pasoja të rënda të pronës publike dhe shkelje të sigurisë në punë.
 

Në padinë e tyre ekspertët e RISHM-it theksojnë se janë konstatuar se është shkelur Ligji Nr 8741 për sigurinë në punë, si edhe janë konstatuar shkelje të rënda të rregullores së teknikës dhe sigurisë duke vënë në rrezik jetën e minatorëve.
 

Ndërkohë katër inspektorë të Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, (RISHM) kanë hyrë sot brenda minierës së Bulqizës ku prej 16-të ditësh vijojnë grevën e urisë 13 minatorë. Specialistët e RISHM-it të shoqëruar edhe nga minatorët kanë inspektuar nga afër gjendjen brenda galerisë.

Pas padisë së RISHM-i, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, i cili ka deklaruar minatorët kanë organizuar grevë të ligjshme. Sipas tij, RISHM-i nuk duhet t`i bëjë shantazh sindikalistëve. “RISHM-i të mos bëhet pjesë e lojës së ACR-së. RISHM-i ka hyrë në minierë pas 6 muajsh”, u shpreh Nikolla. Po ashtu ai ka theksuar se dëmtimi i minierës është bërë nga mungesa e investimeve.

Akuzat e RISHM-it janë bërë për shkelje të sigurisë në punë dhe shkelje të rregullores së teknikës dhe sigurisë.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›