BSH: Bie kërkesa e bizneseve për kredi, shkak shtrëngimi nga kreditë e këqija
Banka e Shqipërisë, nga vrojtimi që i ka bërë kreditimit nga bankat tregtare në vend, përsa i përket tremujorit të dytë në lidhje me biznesin, ka rezultuar se standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar në krahasim me tremujorin e kaluar dhe si rrjedhojë edhe kërkesa për kredimarrje ka rënë. Banka e Shqipërisë argumenton shtrëngimin e standardeve me gjendjen e huave me probleme në sistemin bankar dhe problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja. Sipas të dhënave vlerësohet nga BSH se shtrëngimi i standardeve ka shënuar vlerën ‐6.9%, rreth 14.5 pikë përqindjeje më e ulët se një tremujor më parë. Sipas BSH-së shtrëngimi i standardeve është aplikuar për të dyja kategoritë, ndërmarrjet e vogla e të mesme, dhe ato të mëdha. Balanca neto e bankave që kanë raportuar për shtrëngim të standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është ‐2.3%, rreth 14.5 pikë përqindjeje më e ulët se tremujorin e kaluar. Për korporatat, balanca shënoi vlerën ‐7.9%, rreth 7.9 pikë përqindjeje më e ulët se tremujorin e kaluar. Për sa i përket qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë shtrënguar me pothuaj të njëjtën masë si për kredinë e marrë për financimin e kapitalit qarkullues ashtu edhe për atë për qëllime investimi. E si rrjedhojë, në gjysmën e parë të vitit 2011 biznesi ka përfituar më pak kredi të re nga bankat. Banka e Shqipërisë ka vërejtur se deri në fund të muajit Qershor kredia e re për biznesin kishte vlerën e 107 miliardë lekëve, me një rënie prej 3% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2010. Tregtia, e konsideruar si sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare, në gjashtë muajt e parë të këtij vitit ka përfituar 42 miliardë lekë kredi, me një rënie prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Sipas BSH-së edhe financimet e reja për ndërtimin paraqiten në rënie. Kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 13 miliardë lekëve, me një rënie prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, sektorë të veçantë të ekonomisë kanë përfituar më shumë kredi krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të BSH-së, bizneset e industrisë përpunuese kanë përfituar në gjashtë muajt e parë të vitit afro 16 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 3.6% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2010. Në rritje edhe kredia për sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, që në gjysmën e parë të këtij viti përfitoi 7.2 miliardë lekë kredi, 25% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa sektori i bujqësisë në gjashtëmujorin e parë të vitit është financuar në vlerën e 1.9 miliardë lekëve, krahasuar me një vit më parë financimi i bujqësisë është rritur me 85%. Përsa i përket tremujorit të tretë në lidhje me kreditimin e biznesit, për tremujorin e tretë të vitit 2011, ekspertët bankarë presin shtrëngim të standardeve të kredisë për bizneset. Përqindja neto e bankave që presin shtrëngim të standardeve të kredisë për bizneset ka shënuar vlera negative për herë të parë pas 4 tremujorësh. Pritet gjithashtu, sipas BSH-së, një rritje të kërkesës për kredi nga bizneset e vogla e të mesme dhe rënie të kërkesës nga bizneset e mëdha