E Diel, 1 Nëntor 2026

ACR paralajmëron minatorët: Të hënën nis puna. Nikollaj: Zbatoni ligjin

TIRANË- Kompania koncensionare ACR paralajmëroi sot punonjësit e minierës së Bulqizës se të hënën e 12 shtatorit, ora 7:00, do të fillojë puna në minierë, ndërsa ata që nuk paraqiten do të konsiderohen se nuk duan të punojnë më në këtë minerë, duke shpërfillur në këtë mënyrë protestat e minatorëve.
"Puna nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të biznesit të një grupi të vogël njerëzish të udhëhequr nga Kol Nikolla", - thuhet në deklaratën e ACR.

ACR shprehet se përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta. Në njoftim sqarohet që personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë për kompaninë ACR duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e ACR në Bulqizë, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.

"Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me disa modifikime si, paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme dhe e drejta për tu informuar për planet e investimeve në minierë", - deklaron ACR.

Kompania shton gjithashtu se për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, ACR do t’u paguaj minatorëve rrogën e 13-te brenda javës së ardhshme.

Më tej, ACR sqaron se duke qënë se nuk u arrit asjnë marrëveshje me drejtuesit e sindikatës, "ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar".

Ndërsa sot minatorët e Bulqizës kanë protestuar sërish duke kërcënuar se nëse deri të hënën, firma ACR nuk plotëson kërkesat e tyre atëherë ato nuk do i dërgojnë fëmijët në shkollë. Tre kërkesat e tyre jana: Të largohet administratori, të paguhen ditet e grevës dhe sigurimet shoqërore.

NIKOLLAJ: ACR TË RESPEKTOJË LIGJIN
Pas deklaratës së ACR, ka reaguar menjëherë kreu i konfederatës Kol Nikollaj, i cili fton kompaninë e kromit të respektojë ligjin.
“ACR të respektojë ligjin dhe të mos përhapë informacione të rreme për publikun”, tha Nikollaj.

Ai ka deklaruar se duhen siguruar më parë vendet e punës në minerë, pastaj të ftohen në punë minatorët. “Të garantohet kryerja e investimeve nga kompania ACR. Duhet të kryhen invesitime në nivelin 16 deri në 20 dhe të sigurohen të gjitha vendet e punës pastaj të rifillohet nga puna”, tha Nikollaj në reagimin e tij.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›