ADK dhe LDK drejt unifikimit në një subjekt të vetëm
Bushati dhe Lesi bashkojnë demokristianët
Në vijim të takimeve që Partia Aleanca Demokristiane ka ndërmarrë për të bashkëbiseduar me të gjithë faktorin demokristian sShqiptar ishte dhe takimi i organizuar midis Kryetarit të Partisë Aleanca Demokristiane dhe Kryetarit të Partisë Lëvizja Demokristiane, Nikollë Lesi. Biseda midis dy kryetarëve demokristian u zhvillua në një frymë bashkëpunimi për të gjetur sa më shpejt edhe më mirë modalitetet për unifikimin dhe bashkimin e të gjithë demokristianëve në një subjekt të vetëm. Nga ana e tij, Zef Bushati i cili e ka drejtuar Partinë Demokristiane nga koha e themelimit e deri në Mars 2002, vlerësoi rëndësinë e bashkimit pa kurrfarë kompleksi apo paragjykimi se kush do të jetë ai i cili do t’i drejtojë demokristianët shqiptarë. “Është vetë elektorati ynë, delegatët e zgjedhur të Kongresit të bashkimit të Demokristianëve që duhet ta zgjedhin nëpërmjet një votimi të lirë e demokratik e nëpërmjet një votimi të fshehtë kryetarin e tyre”, përfundoi Bushati. Edhe Nikoll Lesi i cili e ka drejtuar Partinë Demokristiane nga Marsi 2002 deri ne Qershor 2006 në fjalën e tij e vlerësoi shumë bashkimin e të gjithë demokristianëve në një subjekt politik të përbashkët. Ai nënvizoi faktin se, “Lëvizja Demokristiane dhe Aleanca Demokristiane janë dy subjekte demokristiane që veprojnë në të njëjtin spektër politik dhe së bashku janë pjesë e mazhorancës qeverisëse dhe e kanë shumë më të lehtë për të për-afruar qëndrimet e tyre drejt bashkimit”, tha Lesi. Në përfundim të takimit, të dy Kryetarët Demokristian ranë dakord që në ditët e ardhshme të vijojnë takimet për realizimin e këtij bashkimi.
...