E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njësitë bashkiake që ofrojnë shërbime më të mira, do të përfitojnë më shumë fonde nga buxheti”

22-12-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha zhvilloi konsulta dje pas dite me qytetarë të njësive bashkiake nr. 8 dhe nr. 9


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vijoi dje konsultimet, me banorë të Njësisë Bashkiake nr. 1. Basha bëri të ditur projektet që do të mbështet nga buxheti i vitit 2012, për Njësinë Bashkiake, ku ndër të tjera përfshihet sistemi i shtratit të Lanës, ndërtimi i Urës së Shkozës ndërtimi i një shkolle dhe një çerdheje. “Do të kemi vazhdimin e sistemimit të shtratit të Lanës dhe sistemimin e rrugëve paralele, deri tek ura e Shkozës. Ndërtimi i urës së Shkozës, i cili është një premtim i imi, rikonstruksioni i rrugës ‘Agusht Jorgjevica’, po kështu në zonën e Shkozës, rikonstruksioni i rrugës ‘Pasko Hysa’, vazhdimin e rrugës ‘Hasan Sufa’ deri te Materniteti i Ri. Në fushën e arsimit dhe kujdesit social janë përfshirë dy objekte, ndërtimi i shkollës 9- vjeçare, në rrugën ‘Ali Demi’ dhe çerdhja nr. 50 në rrugën ‘Shemsi Aga’”, u shpreh Basha. Kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 1, Lindita Nikolli kërkoi mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha për ndërtimin e një qendre komunitare në këtë Njësi Bashkiake, propozim i cili gjeti mbështetjen e kryebashkiakut. Në këtë takim, Basha bëri të ditur se në këtë buxhet do të hapet modeli i garës për fonde bashkiake, ku do të përfitojnë ato  njësi që do të ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin. Kryetarja e njësisë bashkiake nr. 1 në kryeqytet, Lindita Nikolla, ngriti shqetësimin për ngritjen e një qendre komunitare për të rinjtë, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e drejtorëve të bashkisë së Tiranës. “Në këtë buxhet do të nisim modelin e garës, për fonde bashkiake dhe do ta përforcojmë gjatë vitit dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që minibashkia ku territori mbahet më pastër, atje ku klima ndihet më miqësore ndaj qytetarit dhe biznesit, minibashkia që bën më shumë për rininë, që nga fëmijët e vegjël dhe rinia para – universitare, do të stimulohet me fonde dhe projekte nga Bashkia e Tiranës. Me këtë dua të them, që do të shkojmë një hap më tej për kërkesën që parashtruat dhe jo vetëm që do ta mbështesim këtë që po bëni, por do ta nxisim këtë në të gjithë territorin e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku, Lulzim Basha.  “50 për qind e investimeve që do të bëjë bashkia do të jenë tërësisht të reja”


Njësitë bashkiake nr.8 dhe 9


Njësia bashkiake nr. 8 dhe 9 kanë qenë ndalesa e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dje pasdite, në konsultimet me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2012. Në buxhetin e Bashkisë i cili përllogaritet në rreth 70 milionë dollarë parashikohet trefishim i investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit. 50 për qind e investimeve që do të bëjë Bashkia do të jenë tërësisht të reja dhe 50 për qind vazhdim i atyre ekzistuese. Lulzim Basha ka bërë të ditur para banorëve të këtyre njësive investimet që do të mbështesë buxheti i vitit 2012, që nga infrastruktura rrugore, arsimore, sociale, etj. “Në njësinë Bashkiake nr 8 ne kemi parashikuar këto investime. Në programin e manaxhimit të rrugëve dhe transportit publik ndërtimin e segmentit nga rruga Mahmut Fortuzi në ndërprerje me unazën, rrugën e Dibrës me trotuare dhe ndriçim, rrugën Gjon Buzuku, rrugën Xhemal Tafaj, rrugën Pandi Stillo si dhe sistemimin e infrastrukturës dhe asfaltimin e rrugës së brendshme në blokun që kufizohet me rrugën e  Dibrës, rrugën Bardhyl dhe rrugës 4 Dëshmorët. Rikostruksionin e kopshtit 35, ndërtimin e një shkolle të mesme, si dhe rikualifikimin urban të bllokut 34/1 dhe sheshit pranë Medresës me një sipërfaqe prej 2.3 hektarësh. Këtu nuk është përfshirë, blloku tek ish Uzina Dinamo një investim me një vlerë për afro 3 milionë euro për të cilin bashkia ka aplikuar për fonde në Komisionin Europian”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përmendur ndër investimet e parashikuara për njësinë bashkiake numër 9 si rikualifikimin urban e 3 blloqeve banimi, ku përfshihen kanalizime, ujësjellës, infrastrukturë rrugore, arsimore e sociale, hapësira të gjelbra etj. Po kështu me vëmendje të veçantë është trajtuar edhe rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve dhe objekteve arsimore. “Njësia Bashkiake nr. 9 do të ketë ndërtimin e segmentit të kryqëzimit të ish Kombinatit Josif Pashko, ish Uzina Dinamo e re, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën Don Bosko me rrugën Egnatia, ndërtimin e rrugës tek Finanto, rrugën Lazar Qapatini, rrugën Isuf Balta, trutuarët e krahut të djathtë të rrugës Don Bosko, trotuarët e rrugës Siri Kodra, rikostruksionin e kopshtit nr. 3, rikonstruksion të plotë të shkollës Hasan Vogli, ndërtim shkolle 9 vjeçare te Parku i Autobuzëve, riskonstruksion si dhe shpronësimet për rrugën Uranit Pano dhe Bardhok Biba. Ndërkohë që do të ri-kualifikohen nga pikëpamja urbane 3 blloqe: blloku 2 dhe 6 me sipërfaqe 4.7 hektarësh, blloku 53 dhe blloku Mine Peza për fazën e dytë që po kryhet me bashkinë e Barcelonës”, tha Basha. Kryebashkiaku i ka njohur banorët edhe me investimet strategjike ku në një pjesë të madhe përfitojnë te dy njësitë bashkiake siç është zhvendosja e stacionit të trenit, bulevardi i Tiranës, ndërtimi i tramit etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›