“Historianët të rishkruajnë historinë jashtë ndikimit të ideologjisë”

Kryeministri Berisha përshëndet në konferencën në temë “Ditët e Albanologjisë”: “Gjuha shqipe, vend qendror në të gjitha programet shkollore”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se ndër vite kombi shqiptar ka pasur problem raportin me të vërtetën. Duke folur në konferencën me temë “Ditët e Albanologjisë”, organizuar për të tretin vit radhazi nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Berisha ka vlerësuar punën e albanologëve shqiptare për konsolidimin e të vërtetave e mëdha të këtij kombi të cilat sipas tij janë të lidhura me identitetin e tij, me të vërtetën. “Në të gjithë historinë tonë, kombi ynë ka pasur një problem madhor dhe ky ka qenë raporti i tij me të vërtetën. Ne duhet t’i shohim gjërat me sensin e realizmit. Një komb i lirë e ndërton këtë raport gjithnjë më të saktë me të vërtetën. Një komb i shtypur nuk e ndërton dot atë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë ka kërkuar mbrojtje të gjuhës shqipe dhe një vend qendror në gjithë programet shkollore. Sipas tij qeveria do të mbështesë albanologët për studimet e mëtejshme, në mënyrë që shqipja të vihet në piedestalin që i takon. “Gjuha s’mund të injorojë se për arsye të ndryshme njohu vështirësitë e saj. Ishin të mëdhenj ata burra që me një përballje shkencore u përpoqën ta zhvillonin dhe konsolidonin atë në një hulli natyrale, por përpjekja për ta zhveshur gjuhën nga ajo pjesë e saj që ishte ligjëruar në shekuj, që ishte liturgjia ishte një përpjekje e bazuar në doktrinën staliniste”, theksoi kryeministri Berisha. Gjithashtu Berisha u ka kërkuar historianëve të rishkruajnë historinë, jashtë ideologjisë që të dalin në shesh të vërtetat e mëdha të kombit. “Viktima e parë e një filozofie, apo më e lidhura me filozofinë, është historia. Nuk ka pasur ndonjë popull më fatkeq se ne në këtë aspekt. Unë që kam qenë një apasionant i saj, nuk arrita kurrë të njoh historinë e vendit tim, sepse ajo ishte e ndrydhur, ishte në bunker, ishte e deformuar. Dhe kjo ka qenë kështu, kudo për shqiptarët. Në Kosovë, ishte armiku përballë dhe, natyrisht, historia pastaj shkruhej siç mund të shkruhet ajo kur ke përballë pushtuesin, armikun. Por tani ne jemi të lirë. U gëzova shumë kur mësova se keni siguruar 450 mijë faqe dhe ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë juve të siguroni edhe 4 milion e gjysmë faqe, edhe 45 milionë faqe dhe çfarë të keni nevojë. Mbështetja për ju dhe për qendrën tuaj është një përparësi absolute për qeverinë. Le ta shndërrojmë këtë 100 vjetor të pavarësisë jo në një moment akuzash, le të lëmë akuzat ndaj njëri – tjetrit mënjanë dhe le të merremi me nxjerrjen në shesh të të vërtetave të mëdha. Ne i kemi ato. Pavarësisht se ne në histori kemi ngritjet dhe rëniet tona, por absolutisht ne kemi 1001 arsye për të qenë krenarë me disa nga momentet më kulmore të kësaj historie, të cilës ne i dedikojmë ekzistencën tonë. A ka gjë më primitive se sa shqiptarët të mos dinë akoma se cili ishte kryetari i Lidhjes së Prizrenit, - kjo sepse duhet t’u thuhej ashtu siç donte diktatura - dhe në vend që të lartësohej Abdyl Frashëri bëhej e kundërta? Kjo fazë është kapërcyer tashmë, por unë po marr kohën kur mësoja historinë. Kjo nuk ekziston më dhe unë e kam të qartë këtë. Por a kishte një deformim të saj? Po, kishte! Prandaj dhe ju keni një shans historik të madh, të jashtëzakonshëm, ta shkruani atë mbi bazën e të vërtetave tona kombëtare, ta interpretoni atë jashtë ideologjive pushtuese, se edhe komunizmi ishte ideologji pushtuese”, tha Berisha. Ai theksoi se 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, duhet të shndërrohet në një proces të tërë, të një vlerësimi objektiv të të gjithë udhës sonë, nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot.
...