E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha: “Shqiptarët, komb urban – regjistrimi i popullsisë, procesi i parë modern”

22-12-2011 / Gazeta 55

“Shqiptarët janë një komb urban dhe kjo u vërtetua nga regjistrimi i fundit i popullsisë”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, duke komentuar të dhënat paraprake të nxjerra nga Censusi i INSTAT-it. Kryeministri e cilësoi këtë proces regjistrimi, si të parin të realizuar në liri dhe ne kushtet më optimale, se të gjitha proceset e tjera të regjistrimit, të realizuara në Shqipëri. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, Berisha evidentoi prirjen e popullsisë drejt qyteteve, ku për herë të parë në histori, ka përmbysje të shifrave mes popullsisë urbane dhe asaj në fshat. Berisha theksoi se 53.7 për qind e shqiptarëve jetojnë në qytete dhe 46.3 për qind në zonat rurale, shifër kjo e përmbysur për herë të parë në Shqipëri. “Zhvillimi më i rëndësishëm është rezultatet e censusit. Ky ishte censusi i parë që shqiptarët realizuan në liri të plotë dhe në kushtet më optimale nga të gjithë censuset e mëparshëm, të cilat kanë pasur në treguesit e vet, lirinë, në periudhën e mbretërisë, por kushtet tmerrësisht të vështira të realizimit; u manipuluan gjerësisht gjatë diktaturës sipas oreksit të diktatorit; censusi i vitit 2001 pati defekte nga më seriozet, ku faktohet në mënyrë të padiskutueshme se u përdor regjistri i gjendjes civile në shumë rrethe. Ky është censusi i parë i vërtetë modern i shqiptarëve, ndaj dhe unë gjej rastin të shpreh falënderimin më të përzemërt të qeverisë shqiptare për të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë proces faktimi të qenies, të banesës dhe treguesve të tjerë; të falënderoj të gjithë regjistruesit për punën e shkëlqyer që kanë bërë, duke trokitur derë më derë, duke përmbushur me përgjegjësi të plotë detyrën e tyre. Dëshiroj të falënderoj Institutin e Statistikës, Komitetin dhe Kryetarin e Komitetit të ngarkuar për realizmin e tij që udhëhoqën një proces shumë të rëndësishëm, një proces plotësisht të suksesshëm. Të dhënat paraprake të censusit kanë një tregues jashtëzakonisht pozitiv. Për herë të parë në këtë census, në Shqipëri popullata  e qyteteve dominion mbi zonat rurale. Ne, për shumë arsye të njohura kemi qenë një vend kryesisht rural, ndonëse në qytetet tona llamburitnin dritat, kur të tjerët ishin akullnajë, por sërish historia ishte njerkë me ne dhe në rast se ne mbetem një komb rural, një zonë kryesisht rurale, ne mbetem të tillë për tu vetëmbrojtur për të siguruar ekzistencën, se nuk ka pasur tokë më të lakmuar se ky bri perëndimor i Gadishullit të Ballkanit, pra toka jonë, ndaj edhe shqiptarët bënë gjithçka që të ruajnë ekzistencën e tyre, por lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë kombe të cilat të lira ndërtojnë prosperitetin, mëkëmbjen dhe të ardhmen. Rendimenti i tyre ekonomik është shumë herë më i madh. U gëzova shumë kur pashë rezultatet  e këtij regjistrimi, i cili dëshmon se aktualisht 53.7 % e shqiptarëve jetojnë në zona urbane, 46. 3 %  e tyre jetojnë ne zona rurale. Këtu marrin një përgjigje të gjithë ata, të cilët kanë qenë agresivë në qëndrimet e tyre ndaj lëvizjes së lirë dhe procesit të urbanizimit të kombit. Ky është procesi më i shpejtë që një komb mund të ketë pasur ndonjëherë. Unë po ju jap vetëm një te dhënë, në vitin ‘79 në qytet jetonin gjithsej 800 mijë shqiptarë dhe rreth më shumë se dyfishi i tyre jetonte në fshat. Në vitin ‘89 në qytet jetonin serish rreth mbi 1 milion qytetarë shqiptarë, me pak se në fshat. Ne vitin 2001 përsëri së paku 25 % e shqiptareve ishin më shumë në fshat. Këtë dhjetëvjeçar ka ndodhur kapërcimi i madh. Këtë 10 vjeçar shqiptarët janë një komb kryesisht urban dhe kjo është shumë premtuese. Ky është një proces që u realizua sigurisht me shpejtësi, por u realizua në liri”, u shpreh Berisha. Përpos kritikave dhe skepticizmit të shprehur nga elementë të caktuar, kryeministri tha se censusi dëshmoi qartë zhvillimin pozitiv në rrafshin social. Sipas tij, censusi reflekton trefishimin e popullsisë në qytetet e mëdha. “Unë i kuptoj të gjitha zhurmat dhe kritikat, por zhvillim më të madh se ky në rrafshin social nuk ka. Duhet te theksojmë se ky proces shndërrimi madhor ka sjelle dy apo trefishimin e qyteteve të mëdha. Bashkia e Kamzës sipas këtij censusi renditet e gjashta në Shqipëri për frymë popullate. Para saj janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani. Një qytet i tëri i ri, pra qendrat përreth Tiranës, që të gjitha grupohen në vendbanimet me mbi 10 mijë banorë. Pra, një Shqipëri me këtë census faktohet komb urban”. Ndërkaq, Berisha tha se në 10 vjet shqiptarët kanë ndërtuar banesa 38 për qind më shumë se më parë. “Në 10 vjet, dëshmon regjistrimi, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në te gjitha kohërat. Pra një rritje e sipërfaqes së ndërtimit në 10 vjet me 38 % krahasuar me sipërfaqen e ndërtimit të të gjitha kohërave është e jashtëzakonshme. Dhe kjo është dëshmia e eficencës së konvertimit të energjive të këtij vendi dhe te këtij kombi në mirësi materiale. 38 % me shumë banesa se sa në regjistrimin e viti 2001. Këto janë disa të dhëna paraprake sepse të dhënat përfundimtare Instituti i ka në përpunim e sipër dhe do ti bëjë të njohura dora dorës, pas përpunimit elektronik”, tha ai. Një tjetër zhvillim pozitiv, kryeministri cilësoi ritmet e shtimit të popullatës. Këtu Berisha solli në vëmendje se qeveria do mbështesë politika demografike ne interes kombëtar. “Zhvillimi tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është se akoma janë të mira ritmet e  shtimit të popullatës. Ka një tendencë në rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike ne interes kombëtar, të cilat janë faktuar si eficente, por nuk është rasti ende dhe nuk kemi pse ti vëmë ne rendin e ditës, aktualisht”. Referuar pjesës së popullsisë që refuzoi censusin, Berisha tha se shifra është shumë minimale që s’i kalon kufijtë e 1.1%. “Në regjistrim nuk morën pjesë gjithsej vetëm 1,04 % që është devijacioni më minimal në regjistrim, në një kohë moderne. Por është i evidentuar çdo refuzim, e theksoj këtë, sepse është trokitur ne çdo derë dhe ky është regjistrim në liri, por shmangja është më minimalja se në çdo vend tjetër”, tha më tej kryeministri. Në bazë të të dhënave të censusit 2011, 10 bashkitë më të mëdha të vendit janë qytetet si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Kamza, Fieri, Korça, Kashari, Paskuqani, Berati dhe Lushnja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›