A/H1N1, Mjekët: E pamundur të shpëtohej foshnja e 18-vjeçares
Emanuela Sako
Pas vdekjes së 18- vjeçares, në muajin e tetë të shtatzënisë, mjekët shprehen se e kishin të pamundur të shpëtonin foshnjën e saj. Specialistët që kishin në mbikëqyrje gjendjen shëndetësore të vajzës nga Kuçova, sqaruan rrethanat e ngjarjes, ku si pasojë e gripit të derrit vajza humbi jetën. Mjekët në Spitalin Infektiv të Tiranës shprehen se vajza ishte kuruar në Spitalin Rajonal të Beratit për 3 ditë dhe më pas erdhi në gjendje të rëndë në Spitalin Infektiv të QSUT-së. Ndërsa, që prej tre ditësh ndodhej në gjendje kome. Ata bëjnë të ditur se do të donin të shpëtonin foshnjën 8- muajshe, por nuk mund të ndërhynin kur nëna ishte në gjendje kome. Për më tepër mjekët besonin në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të saj. ISHP-ja ka bërë të ditur se virusi ka marrë përhapje të gjerë dhe po shkon rreth 340 persona. Ndërkohë që është ripërsëritur kërkesa, për të gjithë mjekët e rretheve të rrisin vigjilencën dhe të konfirmojnë rastet me virusin pandemik.
Situata
Sipas mjekëve nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi për foshnjën. Në këto kushte një ndërhyrje kirurgjikale për të shpëtuar fëmijën do të ishte e rrezikshme. Në kushtet kur nëna është në gjendje kome në 90% të rasteve fëmijët nuk arrijnë të mbijetojnë. Specialistët pohojnë se përvoja ka treguar se bebet në muajin e 8-të nuk mbijetojnë në kushtet kur nëna është në koma. 18 - vjeçarja nga Kuçova që humbi jetën si pasojë e virusit A/H1N1 prej gjashtë ditësh mbahej në terapi intensive dhe tre ditët e fundit ajo kishte hyrë në koma. Gruaja dhe foshnja në barkun e saj janë konsideruar zyrtarisht si viktima numër 5 nga gripi i derri në vendin tonë. Shefi i Shërbimit Infektiv në QSUT, Dhimitër Kraja, bëri të ditur se pacientja vuante nga anemia si pasojë e shtatzënisë, ndërsa virusi preku mushkëritë e saj me pasojë jetën. Specialistët e shëndetësisë shprehen se gratë shtatzëna janë të rrezikuara nga virusi A/H1N1 ndaj dhe masat që ky grup duhet të marrë për të mbrojtur duhet të jenë më të larta se tek njerëzit e zakonshëm.
Paniku
Rastet e fundit të pacientëve që humbën jetën nga virusi pandemik kanë shkaktuar panik në popullatë. Gjithçka vjen për shkak se mjekët konfirmuan se të dyja viktimat nuk vuanin nga ndonjë sëmundje tjetër, apo sëmundje kronike, të cilat rrezikojnë gjendjen shëndetësore të pacientëve. Rasti i pacientes shtatzënë dhe i një 31 -vjeçar me iniciale E. M, që humbën jetën pas një gjendje gripale konfirmojnë se situata është rënduar dhe të rrezikuar janë të gjithë qytetarët. Përveç 18- vjeçares, burime zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, thanë se 31 –vjeçari nga Vlora ishte kuruar prej disa ditësh me antibiotikë në shtëpi, por pas përkeqësimit të gjendjes i riu u shtrua fillimisht në spitalin e Vlorës, për tu transferuar më tej nga mjekët në Sanatoriumin e Tiranës. Rasti i pare, që humbi jetën ishte ai i 57- vjeçarit nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera. Ndërsa, viktimat e tjera ishin një 47- vjeçare nga qyteti i Shkodrës, e cila vuante edhe nga sëmundje te tjera. Ndërsa personi tjetër është një 53- vjeçar po nga qyteti i Shkodrës. Pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale dhe është trajtuar prej 5 ditësh me tamiflu. Gruaja 47- vjeçare kurohej prej 5 ditësh në Sanatoriumin e Tiranës, pasi vuante nga sëmundje kronike në mushkëri, hipertensioni dhe nga hiperobeziteti. Kjo ka bërë që 47- vjeçarja nga Shkodra të mos përballonte gjendjen e rëndë shëndetësore. Specialistët e Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se virusi shfaqet tepër i rrezikshëm në rast se pëson komplikacione me sëmundje të tjera.
Rastet Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që të gjithë rastet e prekura nga virusi të tregohen të kujdesshëm, pasi ai mund të krijoje komplikacione. Njëkohësisht, të gjithë personat që vuajnë nga virusi A/H1N1 dhe vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të drejtohen menjëherë tek mjeku specialist për të marrë trajtimin e nevojshëm. Nga ana tjetër, MSH sjell në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A (H1N1) është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive, apo dhe me tumore. Nisur nga kjo, ata këshillojnë të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku, veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal.
Frika nga A/H1N1, studentët refuzojnë praktikën në spital
Elbasan - Paniku nga virusi A/H1N1 ka përfshirë studentet e infermierisë të Universitet të Elbasanit, të cilët kanë refuzuar kryerjen e praktikës në spital. Ata kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë praktikën mësimore në ambientet e njërës prej godinave të spitalit, ku në katin e parë ndodhet reparti i infektivit. Dhjetëra studentë kanë qëndruar poshtë godinës duke mos pranuar të hyjnë në spital ku ishte planifikuar të zhvillonin praktikën mësimore. Është dashur ndërhyrja e pedagogëve por edhe e mjekëve për të sqaruar studentët e universitet “Aleksandër Xhuvani” se nuk ka vend për panik. Aktualisht në Spitalin Infektiv të Elbasanit nuk ka asnjë person të shtruar të dyshuar si mbartës te virusit të gripit të derrit. Po kështu, bluzave të bardha u është dashur të sqarojnë se në ditët e mëparshme 30 raste që u paraqitën në këtë spital si të dyshuar me gripin e derrit, pas analizave përkatëse dyshimet rezultuan negative. Pasi kanë bojkotuar mësimin për 20 minuta studentët kanë hyrë në spital për të zhvilluar normalisht praktikën mësimore.
18 Dhjetor 2009