E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e energjisë, përcaktohen kategoritë që do të përfitojnë kompensim

Jonida Tashi

Përcaktohen kategoritë që do të përfitojnë kompensim nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, duke filluar që nga 1 janari i 2010-s. Më së paku, deri tani bëhet fjalë për gjashtë kategori përfituesish, ku përfshihen familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë, pensionistët si dhe përfituesit e rinj që do të trajtohen për herë të parë me ndihmë ekonomike. Pas daljes së vendimit për rritjen e energjisë, nga Enti Rregullator i Energjisë, ministri i Punës, Spiro Ksera është takuar ditën e djeshme me atë të Ekonomisë, Dritan Prifti për të diskutuar për kompensimin e energjisë elektrike. Sipas ministrave, shteti do të kompensojë vlerën e rritur të çmimit të energjisë për kategoritë në nevojë.
Takimi
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera dhe ai i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, zhvilluan dje një takim të përbashkët për të diskutuar rreth kompensimit të energjisë elektrike për shtresat në nevojë, pas vendimit të dy ditëve më parë nga Enti Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit edhe për konsumatorin familjar, duke filluar nga 1 janari i vitit 2010. Burime zyrtare nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se ministrat shoqëroheshin nga ekspertë të të dyja Ministrive dhe në takim u diskutua rreth kostos së rritjes së energjisë për buxhetin familjar, kategoritë, të cilat në bazë të të ardhurave do të konsiderohen në nevojë, si përcaktimit të mënyrës së kompensimit. Në konferencën për shtyp pas takimit, ministrat njoftuan se miratuan ngritjen e një grupi pune me ekspertë të të dyja ministrive, grup i cili deri ditën e martë të javës tjetër do të ketë gati projektvendimin që do t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave në një nga mbledhjet e tij të radhës, në mënyrë që duke filluar nga 1 janari të gjitha kategoritë të kenë mundësinë të përfitojnë kompensimin për energjinë. Sipas ministrit Prifti, takimi është realizuar menjëherë pas vendimit të ERE-s, për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe pas porosisë së kryeministrit në mbledhjen e fundit të qeverisë, për të përfunduar menjëherë procedurat e nevojshme për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga kjo rritje.
Kategoritë
Ndonëse nuk e kanë marrë ende firmën përfundimtare nga Këshilli i Ministrave, në kategoritë që do të përfitojnë kompensim për çmimin e energjisë janë përfshirë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë, pensionistët. “Këto kategori do të përfitojnë nga subvencionimi që do të akordohet nga qeveria për rritjen e çmimit të energjisë. Tashmë qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliard lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike dhe garantojmë se shteti do të kompensojë 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë”,- deklaroi Prifti. Edhe ministri Ksera siguroi se mbrojtja e shtresave në nevojë është angazhimi i kësaj qeverie dhe se tashmë vetëm në buxhetin e Ministrisë së Punës, për zërin kompensim energji elektrike është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë. “Në vendimin e Këshillit të Ministrave që do të përgatitet nga ekspertët do të përfshihen edhe kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë, pas ndryshimeve të parashikuara në ligjin ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’”,- sqaroi ministri i Punës. Në fund të konferencës për shtyp, ministrat Ksera dhe Prifti u shprehën se pas përfundimit të punës së ekspertëve dhe përgatitjes së vendimit të Këshillit të Ministrave do të bëhen me dije të gjitha grupet e përfitimit, numri i përfituesve dhe kostoja e saktë që do të nevojitet për kompensimin.

Kategoritë që do të përfitojnë kompensimin për energjinë

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike

Familjet që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie

Të papunët

Buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë

Pensionistët

Kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë

Si do të bëhet kompensimi i energjisë elektrike për çdo kategori

Kushtëzimi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike me pagesën e konsumit të energjisë elektrike është një nga format që parashikohet në projektligjin e ri të Ministrisë së Punës “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Sipas përcaktimeve të bëra nga dikasteri i Punës, kompensimi i ndihmës ekonomike do të kushtëzohet me pagesën e faturës së energjisë elektrike nga familjet dhe grupet përfituese. Përfitimi i ndihmës ekonomike dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës së bashkisë/komunës. Në të kundërt, familjet e humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë dhe ndihmën sociale. Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuara, përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë tek zyra e financës. Në të kundërt, personat me aftësi të kufizuar e humbasin të drejtën e përfitimit të subvencionit dhe të pagesës së tyre. Të njëjtin rregull për të përfituar nga kompensimi i energjisë elektrike duhet të ndjekin dhe punonjësit buxhetor me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj, të cilët, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës të institucionit. Në të kundërt, edhe kjo kategori humbet të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë. Kurse pensionistët e vetmuar dhe invalidët e punës, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në institucionin që tërheqin pensionin për të përfituar subvencionin e energjisë. Në të kundërt, humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit dhe të pensionit.

Ku do të tërhiqet subvencioni i energjisë
Subvencioni mbulon disa grupe përfituesish si: Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it: subvencioni është bërë pjesë e listës së pagesës së ndihmës ekonomike që merret në njësinë vendore; Kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti, shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat: subvencioni pasqyrohet në një kolonë të veçantë në listë-pagesën e aftësisë së kufizuar për këtë kategori pranë njësisë vendore; Kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët nuk kanë të ardhura: subvencioni është bërë pjesë në listë-pagesën e marrjes së pensionit në një kolonë të veçantë; Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj: subvencioni është përfshirë si zë i veçantë në listë-pagesën e institucionit përkatës.

Sa do të rritet çmimi i energjisë nga 1 janari 2010-s
Qytetarët shqiptarë do të përballen që nga 1 janari i vitit të ardhshëm me një rritje të çmimit të energjisë prej 13 për qind. Ky vendim është marrë para pak ditësh nga Bordi i Komisionarëve të Entit Rregullator të Energjisë, pas shqyrtimit të ofertave të propozuara nga OSSH-ja. Nga 23 për qind që ishte propozimi i OSSH-së, Enti Rregullator pranoi të rrisë energjinë vetëm me 13 për qind duke marrë parasysh edhe shtresat në nevojë. Ky institucion ka lënë gjithashtu në fuqi tarifimin me dy nivele të energjisë, duke hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së, për të pasur një çmim unik për konsumatorët me një nivel të vetëm tarifimi që në fillim. Për vitin 2010, nga pala çeke që është pronare e OSSH-së, është kërkuar një rritje e çmimit të energjisë deri në nivelin prej 23 për qind, por ERE, përveç mospranimit të ofertës ka lënë në fuqi edhe ndarjen e tarifimit me dy pjesë. Sipas vendimit të marrë nga ERE, qytetarët që konsumojnë deri në 300 kë/orë nga 7 do të paguajnë 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë konsum tarifa nga 12 arriti në 13.5 lekë, pa tatimin mbi vlerën e shtuar. Këto tarifa janë dukshëm më të ulëta se kërkesa e bërë nga OSSH-ja e cila aplikoi për një rritje prej 23.1 për qind.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›