E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parakalimi u merr jetën tre vetave, makina përplaset me maunen

Eljona Lata

LIBRAZHD – Tre persona kanë gjetur vdekjen gjatë përplasjes së një mauneje me targa maqedonase dhe një makine të vogël. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se aksidenti i rëndë automobilistik ndodhi dje në mesditë, ku udhëtarët e mjetit tip “Fiat” humbën jetën si pasojë e goditjes. Aksidenti ndodhi në rrugën Elbasan-Librazhd, në fshatin Xibrakë. Policia ka identifikuar viktimat, të cilët janë: drejtuesi i mjetit, Ismail Zyma, 61 vjeç, si dhe të dy pasagjerët, Fatmir Budra, 40 vjeç, dhe Fatmir Hasa. Sipas burimeve policore, shkak i aksidentit është bërë parakalimi ia veturës në mënyrë të gabuar.
Aksidenti
Mesditën e djeshme, Ismail Zyma, teksa drejtonte mjetin tip “Fiat”, me targë EL 9740 A, ka bërë një gabim, i cili u ka kushtuar jetën atij dhe dy udhëtarëve që ndodheshin në makinë. Ai ka parakaluar një kamion me targë ST460TI, por befas është gjendur disa dhjetëra metra poshtë rrugës. Sipas policisë, vetura, e cila po ecte në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ka bërë disa rrotullime, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tre personave që ndodheshin brenda mjetit. Menjëherë në vendngjarje, në fshatin Xibrakë, kanë shkuar forca të shumta policore dhe një ekip zjarrfikës, ku është dashur kohë për të nxjerrë nga mjeti i përplasur të tre viktimat, drejtuesin dhe dy pasagjerët.
Viktimat janë shtetasit Ismail Zyma, Fatmir Budra dhe Fatmir Hasa. Përpjekjet nga ana e policisë kanë qenë të kota, pasi personat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa si pasojë e përplasjes është plagosur lehtë edhe drejtuesi i kamionit maqedonas me targa të Shkupit. Sipas policisë, dyshohet se shkak ka qenë përpjekja e atoveturës për të parakaluar kamionin. Gjithashtu po vazhdojnë hetimet e mëtejshme në lidhje me shkaqet e kësaj ngjarjeje.
Rastet
Gjatë muajit dhjetor rrugët e vendit tonë janë përgjakur nga aksidentet automobilistike. Aksidenti më tragjik është regjistruar në aksin rrugor që lidh Fushë-Krujën me Laçin. Pesë prej viktimave janë të rinj që po udhëtonin me një mjet tip “Benz”, gjithashtu edhe një tjetër person, rreth të 50-ave ka mbetur i vdekur. Shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonin të dyja mjeteve dhe një parakalim i gabuar i mjetit me të cilin po udhëtonin pesë viktimat.
Aksident tjetër tragjik ishte aksin rrugor Kukës –Shishtavec, ku vdiqën babë e bir. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë fshatit Shtrezë, në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, ku traktori tip zetor me të cilin udhëtonin babai me dy fëmijët e tij adoleshentë, ra në greminë duke lënë të vdekur në vend 2 pjesëtarë të familjes. Në të gjitha rastet policia ka dhënë si shkak të aksidentit ose shpejtësinë e madhe të automjetit, ose rrëshqitjen nga moti i keq. Me afrimin e festave të fundvitit rritet ndjeshëm trafiku në akset rrugore të vendit tonë për shkak të ardhjes së emigrantëve. Për pasojë, në periudha të tilla rriten ndjeshëm statistikat e aksidenteve dhe të viktimave.

Plagoset kalimtari nga automjeti që doli nga rruga

KORÇË - Një kalimtar është plagosur pasi është goditur nga një automjet, i cili doli nga rruga. Sipas burimeve policore të Korçës, mjeti tip “Opel Astra”, i drejtuar nga 24-vjeçari S. Maliqllari, ka dalë nga rruga dhe ka përplasur një kalimtar që ishte duke ecur në këmbë. I dëmtuari është transportuar menjëherë në Spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Fatmirësisht i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në rrugën dytësore Korçë-Sheqeras. Në ngarkim të shtetasit S. Maliqllari, lindur dhe banues në fshatin Sheqeras të Korçës, janë kryer veprimet hetimore procedurale dhe pritet të përballet me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit”.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›