Rregullorja e re, si do të bëhet mbrojtja e Doktoraturës sipas Bolonjës
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës përcakton kushtet themelore që duhet të plotësojnë studentët për mbrojtjen e Doktoraturës. Sipas rregullores së re të nxjerrë nga Rektorati i këtij Universiteti, janë disa kërkesa themelore të punës për realizimin e programit të studimit të Doktoraturës. Konkretisht gjatë periudhës së studimeve të Doktoratës, para paraqitjes për mbrojtje, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme.
Kushtet
Kushti parë është që studenti duhet të ketë realizuar së paku, tre referime ose paraqitje shkencore, nga të cilët një referim ose paraqitje të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore/profesionale ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në “proceedings” të indeksuar me kod ISBN-je. Pas kësaj, studenti duhet të ketë botuar, si autor i parë, së paku, tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku, njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial. Si kusht i tretë kërkohet që studenti të ketë paraqitur në Këshillin e Profesorëve (KP) të fakultetit dosjen e plotë që përmban edhe disertacionin (punimin) e përfunduar, me një përmbledhje të miratuar nga udhëheqësi shkencor. Pas shqyrtimit të dosjes, KP i përcjell dekanit vendimin për vazhdimin ose jo të procedurës së mbrojtjes së doktoratës. Kur Këshilli i Profesorëve vendos pozitivisht, ai i propozon dekanit edhe jurinë për mbrojtjen e Doktoraturës. Ndërsa kushti i fundit për kërkesat e punës para mbrojtjes së Doktoratës, kërkon që të paktën një herë në vit, koordinatori i projektit dhe departamenti apo grupi mësimor shkencor duhet të shqyrtojë ecurinë e punës së studentit në programin e studimeve të Doktoratës. Nëse nga këto analiza arrihet në përfundimin se studenti nuk është i aftë për vazhdimin e mëtejshëm të programit, nëpërmjet dekanatit, mund t’i propozojë Këshillit të Profesorëve çregjistrimin e tij nga programi.
Mbrojtja
Mbrojtja e Doktoratës bëhet si rregull, e hapur, përveç rasteve kur, për natyrën e veçantë të problemeve të trajtuara (sekrete, konfidenciale etj.) dekani autorizon mbrojtjen me publik të kufizuar sipas propozimit të Këshillit të Profesorëve. Procedura e mbrojtjes së disertacionit përfshin: paraqitjen nga kryetari i jurisë të dokumentacionit të dosjes, përbërjes së jurisë dhe deklarimit nga ana e tij për hapjen e procedurës së mbrojtjes; paraqitje e temës nga studenti për një kohë prej 25-30 minuta; paraqitje e oponencave; pyetje nga të pranishmit rreth disertacionit dhe oponencave drejtuar studentit doktorant; diskutime; sqarime e replika eventuale nga studenti doktorant dhe udhëheqësi shkencor; shpërndarje e fletë votimeve të hapura e të paplotësuara dhe votim i fshehtë për vlerësimin e doktoraturës; pasqyrimi në procesverbal i rezultatit të votimit dhe shpallje e vendimit me shkrim. Pas mbrojtjes së Doktoraturës, autori dorëzon menjëherë një kopje të tij në Bibliotekën Kombëtare, një kopje në bibliotekën shkencore të fakultetit (ku u krye mbrojtja) dhe një kopje në bibliotekën shkencore Universitetit të Tiranës, përkundrejt pajisjes me vërtetim për depozitimin e tyre. Në të kundërt, autorit nuk i dorëzohet diploma përkatëse. Pas realizimit me sukses të mbrojtjes së doktoratës, doktoranti merr gradën shkencore “Doktor i shkencave”, diploma firmoset nga dekani i fakultetit përkatës dhe rektori i UT-së. Në rast kthimi mbrapsht nga juria, punimi mund të paraqitet për t’u rimbrojtur vetëm një herë tjetër përpara së njëjtës juri, jo më parë se 12 muaj nga data e rrëzimit. Për arsye të përligjura si arsye shëndetësore, fatkeqësi familjare të studentit doktorant mbështetur në kërkesën e tij, Këshilli i Profesorëve mund të zgjasë periudhën e mbrojtjes jo më shumë se 12 muaj.
18 Dhjetor 2009