ISKSH, “detyron” mjekët për monitorimin e Hipertensionit dhe Diabetit
Emanuela Sako
Shtimi i rasteve të personave të prekur nga Diabeti dhe Hipertensioni kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Për parandalimin e këtyre sëmundjeve, duke i kapur që në fazën e parë ISKSH-ja ka vendosur që mjekët të monitorojnë pacientët. Sipas ISKSH-së, mjekët do të vlerësohen në rast se ata kapin sëmundjet në fazat e para. Në këtë mënyrë, mjekët duhet të monitorojnë sëmundjen dhe sa më shumë pacientë të identifikojnë, aq më e mirë do të jetë performanca e tyre dhe spitalit. Specialistët bëjnë të ditur se vitet e fundit këto sëmundje po shfaqen tepër të përhapura dhe të rrezikshme në vend. Kjo vjen si pasojë e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe ushqyerjes së popullatës.
Rastet
Sipas përllogaritjeve të specialistëve mjaft persona humbasin jetën çdo ditë nga diabeti dhe hipertensioni. Mbi 7 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset dhe që ka një vdekshmëri mbi 2 mijë persona në vit. Nga ana tjetër, mbi 4 mijë persona preken nga diabeti, ku shumica e tyre humbasin jetën për shkak të komplikacioneve që pëson sëmundja në organizëm. Prekja nga sëmundjet vjen nga faktorë të ndryshëm. Një ndër faktorët më të rëndësishëm që shpeshherë specialistët kanë vënë në qendër të vëmendjes është ndryshimi i stilit të jetesës. Kjo do të thotë një mënyrë ushqyerje ndryshe, cilësia e ushqimit, stresi etj. Rritja e papunësisë dhe shtimi i stresit të përditshëm, çon në reagimin e organizmit, i cili është predispozuar për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme. Ushqyerja është një faktor tjetër që ndikon në reagimin normal të organizmit. Qytetarët duhet të kryejnë një jetë aktive në lëvizje dhe të ushqehen më tepër me produkte bimore, të cilat shtojnë jetëgjatësinë. Përveç faktorëve të jashtëm që ndikojnë në shtimin e vdekshmërisë, nuk përjashtohet edhe trashëgimia, e cila është faktor kryesor në zhvillimin e disa sëmundjeve.
Monitorimi
Për shkak të shifrave të larta, ISKSH-ja vendosi që mjekët të punojnë për parandalimin e kësaj situate. Monitorimi i situatës synon uljen e vdekshmërisë dhe kurimin e pacientëve që preken nga sëmundjet. Prandaj, gjatë një konferencë për shtyp, për miratimin e kontratave të reja me spitalet për vitin 2010, Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se në spitalet do të zbatohen disa kritere të reja përveç atyre ekzistues. Një pikë e rëndësishme e kritereve të vendosura ishte dhe monitorimit i këtyre sëmundjeve, apo synimi për uljen e operacioneve te gratë shtatzëna. Për këtë, Hana theksoi se është vendosur një sistem matje, ku numri i operacioneve në raport me lindjet duhet të jetë më pak se 20 për qind. Nëse ky kufi kalohet atëherë materniteti nuk do të hyjë tek spitalet që kanë performancë të mirë. Ky është një kriter i kërkuar nga OBSH-ja, në raport me lindjet e shumta çezariane tek gratë shtatzëna. Përveç kriterit të vendosur për uljen e numrit të operacioneve në maternitete, ka dhe disa kritere të tjera, për të cilat mjekët do të duhet t’i arrijnë për të pasur performancë të lartë dhe për të përfituar bonus. Një kriter i ri i vendosur nga ISKSH-ja është edhe përqindja e shfrytëzimit të shtratit. Çka do të thotë që sa më i lartë të jetë shfrytëzimi aq më efikas është spitali. Kriter bazë është përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë. Sa më i ulët të jetë ky kriter, aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe performanca e mjekëve, do të jetë më e lartë.
Specialistët kanë menduar që një ndër kriteret për të pasur shërbim më cilësor në spitale, të jetë përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali, ku sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe përfitimi i mjekëve.
Sëmundjet më të përhapura në vendin tonë
Përveç shkaqeve natyrore, vdekshmëria e shqiptarëve është rritur së tepërmi për shkak të disa sëmundje që dominojnë në vendin tonë. Rreth 15 mijë shqiptarë në vit humbasin jetën si pasojë e sëmundjeve që ata vuajnë. Sipas të dhënave të specialistëve përkatës, për çdo sektor të shëndetësisë është dhënë dhe rezultati se cilat janë sëmundjet që çojnë më tepër në humbjen e jetës. Sipas specialistëve, më shumë se gjysma e vdekjeve të shqiptarëve, çdo vit, kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Mbi 7 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset dhe që ka një vdekshmëri mbi 2 mijë persona në vit. Duke iu referuar të dhënave të specialistëve të onkologjikut, 2500 persona humbasin jetën çdo vit nga sëmundjet kanceroze. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve dhe vdesin rreth 1000 mijë shqiptarë. Nga ana tjetër, rreth 150 persona humbasin jetën nga sëmundja e veshkave. Duhet pasur parasysh që këta persona mund të kenë vite që vuajnë nga sëmundjet, apo mund të vuajnë edhe nga sëmundje të tjera. Sëmundjet kronike zënë vendin e parë të sëmundshmërisë së popullsisë në të gjithë vendin. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vitet e fundit sëmundjet kronike kanë zënë një vend të favorshëm në popullsinë e vendit tonë. Vendin e parë ndër sëmundjet kronike, janë sëmundjet kardiovaskulare, ku një në dy persona vuajnë nga këto sëmundje. Specialistët e Shëndetit Publik shprehen se sëmundjet kardio-vaskulare, kanceret e të tjera si këto kanë marrë mjaft jetë njerëzish në vendin tonë.
Vasili: Paketë falas për shërbimet e shëndetit riprodhues
Në kuadër të 15-vjetorit të nënshkrimit në Kajro të planit të veprimit për popullsinë dhe zhvillimin, u organizua në Tiranë një konferencë ndërkombëtare organizuar nga përfaqësia e PNUD në vendin tonë. Të pranishmit në këtë konferencë vunë theksin në arritjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit deri në vitin 2015. Në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili hodhi një vështrim të situatës dhe problematikave të shëndetit riprodhues në vendin tonë. Shërbimet e shëndetit riprodhues, si shëndeti i nënës dhe fëmijës, planifikimi familjar, parandalimi dhe trajtimi i dhunës, HIV/AIDS janë të përfshira në paketën bazë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor që ofrohen falas. Gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare, qeveria shqiptare ka punuar për përshtatjen dhe përmirësimin e kuadrit legjislativ dhe zhvillimin e strategjive për përmirësimin e shëndetit riprodhues të popullatës si: Strategjia Kombëtare për HIV/AIDS, Strategjia Kombëtare për të rinjtë dhe Plani i Veprimit Kombëtar, Strategjia Kombëtare për barazinë gjinore dhe eliminimin e dhunës, Strategjia Kombëtare për fëmijët, Dokumenti strategjik dhe plani i veprimit për shëndetin riprodhues për vitet 2010-2015.
18 Dhjetor 2009