Krimet e Rënda rrëzojnë dy kërkesat e Aldo Bares
Aldo Bare, i akuzuar si kreu i bandës së Lushnjës, do të vijojë të qëndrojë në qeli. Vendimi u mor sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila hodhi poshtë si të pabazë kërkesën e Aldo Bares për rivlerësim të masës së arrestit me burg ndaj tij për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. Gjithashtu, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën tjetër të të pandehurit për përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtares Fatmira Hajdari, me pretendimin që çështja ndaj tij të mos paragjykohet dhe të mos marrë ngjyrime politike.
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Aldo Bare, në proces gjykimi për një sërë veprash penale, mes të cilave dhe vrasje, të kryera nga banda e Lushnjës, kërkoi më 09.12.209 dorëheqjen e kryetares së trupit gjykues, Fatmira Hajdari. Por, kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, deklaroi dje se kërkesa ishte e motivuar politikisht, ndërsa i vuri në dukje të pandehurit se Gjykata është institucion i depolitizuar.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm Aldo Bare dhe avokati i tij, Vladimir Meçi. Pak ditë më parë Fatmira Hajdari u caktua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të drejtuar këtë proces, pas vendimit të këtij institucioni për të pezulluar nga detyra e gjyqtares dhe hequr imunitetin Marsela Balilit. Gjyqtarja ishte në krye të trupit gjykues që gjykonte bandën e Lushnjës, por më 2 dhjetor KLD urdhëroi pezullimin e saj nga detyra dhe heqjen e imunitetit. Proceduralisht kërkesa e Bares për Hajdarin iu paraqit kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili vendosi të mos e pranojë atë. Gjykata i rrëzoi Bares edhe kërkesën tjetër për shuarjen e afateve te paraburgimit. Sipas avokatit Vladimir Meçi, Aldo Bare ka qëndruar rreth 1 vit e 5 muaj ne burg pa vendim gjykate. "Nga arrestimi i tij më 27 mars të 2006-ës dhe deri tani nuk ka pasur një vendim për të", - thotë avokati. Por, sipas prokurorisë, zbatimi i masës së sigurisë nis nga momenti i ekstradimit të tij. Në fund gjykata rrëzoi si të pabazë pretendimin e avokatit të Bares. Duket se Bares nuk po i prin fati në seancat e para gjyqësore me kërkesat drejtuar trupit gjykues.
Vetëm dy ditë më parë, Aldo Bares, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka rrëzuar kërkesën për rivlerësim të masës. Bare, i cilësuar nga organi i akuzës si kapo i bandës së Lushnjës, i kërkoi në datën 5 dhjetor Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu.
Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimin e organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Ai u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti. Krimi më i rëndë që rëndon mbi supet e tij është ekzekutimi i Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar, të cilit i preu kokën dhe ia shëtiti përmes qytetit të Lushnjës.
Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për:
- vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës;
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri;
- vrasjen për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë, të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta;
- vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës;
- vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano;
- vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli;
- vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut;
- vendosjen në mars të 2005-s të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë;
- vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala;
- vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau;
- disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim; për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti; për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
18 Dhjetor 2009