E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1, Vasili: Situata, e qëndrueshme

Situata e përhapjes së virusit A (H1N1) në vend është e qëndrueshme, deklaroi sot, në daljen e parë për median, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Vasili bëri të ditur se sot në mbledhjen e Komitetit Kombëtar që administron situatën e gripit A (H1N1), me grupin e ekspertëve dhe njësinë e monitorim-vlerësimit, se "pasi u analizuan me shumë vëmendje të dhënat e fundit në bashkëpunim edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, konstatuam se situata është e qëndrueshme dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë".
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili garantoi se "interesimi për çështjen është prioritar në nivelet më të larta të shtetit shqiptar dhe gjithë informacioni, që marrim në kohë reale dhe e analizojmë, është në dijeni, njohje dhe vëmendje të Kryeministri Sali Berisha".
Sipas tij, kjo situatë e qëndrueshme e virusit A (H1N1), përkon edhe me gatishmërinë e sistemit për të përballuar të gjithë eventualitetet e mundshme.
Vasili shtoi se kur vaksina kundër gripit pandemik A (H1N1) do të jetë e gatshme, do të proçedohet për blerjen e saj. "Ne kemi rezervuar të drejtën për të blerë vaksina, kemi gati fondet dhe kurdo që të jetë e mundshme për t'u blerë, do të operojmë", tha ministri i Shëndetësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›